…Për herë të parë kam parë televizor në shtëpinë e një shokut tim të klasës, GL, sot dentist në Athinë, Greqi. Babai i tij ishte drejtor i Ndërmarrjes së Tregtisë në Sarandë, një burrë i shkurtër, robust, energjik, që lahej me ujë të ftohtë çdo mëngjes në dimër. Ashtu dhe vdiq një ditë. Kishte mbaruar studimet në ish Bashkimin Sovjetik dhe kishte sjellë prej andej një televizor diku te 18-20 polsh. Një ditë GL më pëshpëriti në vesh: “Eja nga unë në shtëpi, do shikojmë televizor!” Në qytet nuk kishte askush televizorë. Ishte viti 1964-65. Nuk isha as 16 vjeç. Mesa duket nga antena e malit të Pandokratos së Korfuzit, që ishte ngritur atij viti, valët e stacioneve greke e italiane vinin lirisht edhe në Sarandë. E ku dimin ne se ç’ishte televizori atëherë?! Askush nuk e njihte atë aparat çudibërës që gëlltiste në barkun e vet gjithë habitë dhe mrekullitë e botës, shumë më shumë se pasqyra e Shtrigës në përralla. Vetëm radio kishim.
Sa hymë në shtëpi, miku im ia hoqi televizorit të vogël mbulesën dhe unë pash një ekran të kurbëzuar e të çuditshëm xhami ngjyrë gri. Nxori nga poshtë minderit antenën dhe ja ku mbi atë xham diç u spërndrit. I gjeti një vend që ai e dinte dhe mbi qelq doli një pare´ këngëtarësh grekë dhe orkestrina me 3-4 buzukë. Zot çfarë tingulli, zot çfarë këngësh! Këndonte një nga të mëdhenjtë e muzikës tradicionale greke, Dhimitris Mitropanos. Unë ia njihja këngët, i këndonim me shokët mbrëmjeve buzë detit, në shetitore dhe më larg saj, që mos të na dëgjonin. Rrethuar nga njerëz si në një darkë shtëpie, teksa Mitropanos këndonte, një çift të rinjsh kërcente në sheshin e vogël. Dhe buzuku ta copëtonte zemrën, fuste aty mijëra tinguj, dridhje telash, ëmbëlsi orfeane. Por ajo që më habiti ishte mbushja e sheshit me lule. Pastaj njerëzit shkonin aty bri këngëtarit dhe thyenin pjata. Ç’ishte kjo, u pataksa unë. Një rit i çuditshëm që nuk e kuptoja dot pse i thyenin?! Asaj kohe shtëpitë tona i ruanin si sytë e ballit ato pjata balte lyer me një cipëz porcelani sipër, qenë si me kimet; më së shumti përdornim pjata alumini. Ndofta një thyerje e tillë e pjatave teksa këndohej vinte nga riti i dasmës, ushqimi, bollëku, qejfi, ekstaza. Nuk e di. Ishte dhe i bukur dhe sfidues ai gjest. Sheshi mbushej plot me trëndafila dhe pjata të thyera.
Çfarë zëri, çfarë këngëtari, çfarë muzike, çfarë arti! Isha shastisur fare. Si në një rit magjik hipnotik.
Arti ishte vallë apo ai qelq në atë kuti të çuditshme që quhej “televizor”, ku shfaqeshin fytyra njerëzish, buzukë, këngëtari Mitropanos, njerëz që këndonin së toku me të dhe… dhe… pjatat e thyera? Ishin të gjitha bashkë. Ishte fuqia e jashtëzakonshme e artit, por po aq, në mos më shumë, ishte imazhi që të përthithte mbi syprinën e atij qelqi magjik, që unë e kisha aq pranë, as dy metra larg, dhe më bëhej aq intim, aq i afërt, aq grishës, aq emocionues. po, kjo ishte nje nga mrekullitë e ekranit të vogël. Ai ishte me ty, për ty, i yti, jo larg teje, i ftohtë… Më dukej sikur Dhimitris Mitropanos këndonte bashkë me mua, aty pëtbri, jo larg; sikur qe i ftuar në shtëpinë time. Dhe kështu për herë të parë ndjeva fuqinë hipnotike të imazhit të “afërt”, siç e ka ekrani i një aparati televizori, po njësoj sot edhe ekrani i një celulari… Ishte e gjitha një goditje, gati si një scock. Kisha parë filma në kinemanë e vjetër të qytetit, isha mësuar me ekranin e madh, pra kisha bërë një pakt mirëkuptimi e mirëpranimi me imazhin filmik, me virtualitetin e tij, me shëmbëllimin, me objektin dinamik e në lëvizje apo me objektin pasiv e panoramik, që përthyehej mbi një beze. Mirëpo ekrani i televizorit, përkundrazi, ishte i vogël, unë po rrija fare afër tij, ulur në një minder. Paçka se distanca ishte fare e vockël, megjithatë efekti ishte i jashtëzakonshëm, qelizor, endemik. Syprina kthehej ne thellësi. Unë përhumbesha, e kisha harruar veten me sytë e përthithur tek ai ekran. Dhe këtë fuqi joshëse që “ekrani i vogël” kishte në syrin dhe mendjen e njeriut e preka fillimisht vetëm atyre ditëve. Thithja kishte diçka nga syri i Çirçes. Ishte sugjestioni.
Po, ai ekran i vogël ishte i tëri një sugjestion. Ti harroheshe aty, sikurse ai nuk të “harronte” ty. Sepse ishte bërë për ty. Një shtëpizë në mirëbesim, që nuk të trembte, nuk të tjetërsonte, sepse aty ishit vetëm ju të dy, askush tjetër. Ky ishte pikërisht intimiteti, afërsia, pranimi në mirëbesim, ndryshe nga ekrani i madh ku perceptimi qe publik, pra tok me të tjerët. Dhe u përhumba me tërësej. Shi këtë pushtet grishës, joshës, sugjestiv dhe magjik televizori e ka në vetë indin e tij, po njësoj edhe sot, andaj dhe ndiqet pafundësisht. Është një farë arratie, por një arrati e ujdisur me ty, e pranuar prej teje, si dytës a realitet i hamendësuar, që diku aty para syve të tu, ani pse përtej dhe në tjetër kohë, ai po ndodh, ka ndodhur apo mund të ndodhë. Janë, pra, dy kohët e bëra bashkë: e shkuara dhe e tanishmja. Gjëja ka ndodhur më parë por ti e percepton atë dhe vetë kohën sikur tani po ndodh. Të shikuarit në televizor, sot në ekranet e telefonëve, laptop-ëve, Ipad-ëve është kthyer në një drogë, të cilës nuk i bishtnon dot, veçse të trallis, të bën të varur, një rob të tij…
2.
…Kur koncerti i grekut të mirënjohur Dhimitris Mitropano mbaroi, miku im GL lëvizi çelësin e televizorit dhe në ekran doli Athina. Kamera ndiqte rrugët e saj mbushur me makina. Pastaj deti, Pireu me dhjetëra transoqeanikë të ankoruar në radë. Pësova një tjetër schock. Na kishin folur për varfërinë e njerëzve në Greqi, unë po shihja njerëz të veshur mirë. Na kishin folur për mjerimin e tyre, unë po shihja begati. Na kishin folur për kasollet, unë po shihja vila të bukura, rrugë të gjera, pallate, parqe. Na kishin treguar se si të varfërit shisnin fëmijët e tyre tek të pasurit për një grusht parash, kurse unë shihja fëmijë që qeshnin, vraponin, veshur bukur. Na kishin folur për barakat e kalbura të peshkatarëve, unë po shihja dhjetëra transoqeanikë dhe kroçiera turistike. Na kishin folur për… për… E çfarë nuk na kishin folur! Zot, çfarë goditje ishte ajo! Në humbellat e mendjes sime hyri një dritë e fortë, që askush nuk duhet ta shihte, veç meje. Ishte JETA sikundër qe, ajo e njëmendëta, jo ajo që na servirnin. Ishte e VËRTETA. Ishte INFORMACIONI. Tri atribute të televizorit si medie e pakonkurrueshme.
Shkova disa herë në shtëpinë e mikut tim, kur ai e dinte që i ati ishte në punë. I ati e kishte porositur që mos të thoshte asnjë fjalë jashtë shtëpisë. Gëk! Mbyllnim derën me kyç, siguroheshim mirë e mirë, dhe shihnim televizor fshehurazi. Po ta merrnin vesh gjitonët mund ta haje, mund të ndëshkoheshim nga shkolla, të na ulnin notën në sjellje etj. E prapëseprapë, nën poushtetin e asaj kutie të vogël magjike që quhej televizor dhe atij qelqi të trashë gri, ne mbyllnim derën dhe shihnim e shihnim… Ja Italia, ja Roma, ja qytetet e mbushura me skulptura, piktura, parqe, dete, plazhe, veliera. Zot i madh, ç’bëhej ashtu! Ç’ishin ato bukuri, ato mrekulli?! Truri im ishte nën një sulm të furishëm imazhesh, magjish, qytetesh të mbytyra nga makinat dhe shkëlqimi, njerëzish të veshur bukur, modës, muzikës, artit. Dhe rrëzoheshin e rrëzoheshin nga koka ime gjësende që i kisha përsëritur si papagalli nga tekstet shkollore mbushur gjithë slogane, gënjeshtra dhe disinformacion të qëllimtë. Dhe ajo drita e fortë hynte e hynte thellë e më thellë skutave të mendjes sime. Dhe si pa e kuptuar as vetë, zdrukthi i kohës dhe limat e holla të asaj bukurie që rridhte e rridhte nga ekrani nisi të më presë gëdhenjtë që koha kishte krijuar thellë shpirtit tim të pambrojtur dhe të pafajshëm prej 15-16 vjeçari. Po si pa e kuptuar, në vend të atyre gëdhenjëve të propagandës kallpe dhe shkretane ato imazhe që pashë disa ditë rresht nga televizori në shtëpinë e GL, unë ndjeva sakaq se dikush i padukshëm, një dorë bamirëse thuajse apostolike po m’i shartonte ata gëdhenj me një tjetër filiz duke i dhënë shpirtit dhe mendjes sime klorofil e blerim. Atë klorofil të munguar që u ngjiz vetiu në pjesën time më të bukur, më poetike. Ndofta ishte ai televizor, në një moshë aq të brishtë, që mendja ime nisi të bredh përtej “botës sime” të vockël, “botës sonë socialiste” të varfër e të mbyllur drejt një bote tjetër, të bukur, të pasur e të paanë, BOTËS SË MADHE…
Burimi/Facebook


Leave a Reply