Valixhja është aty…
Sa e rëndë!
Ka brenda një grusht dhè;
aromën e bukës,
të ujit të freskët të pusit,
Të kodrës së mallit…
Në xhepa ca dhimbje…
Një muzg agimi, një zhytje dielli.
Lidhur në fjongo të kuqe – kujtimet…
I ruaj me kujdes,
Si rripin bojëhiri që kam në brez,
Gjallë t’më mbajnë frymën
rrugëve të botës
Në kërkim të vetvetes…
Të kafshatës pa shije,
njerëzve të ftohtë,
ditëve të shkurtra
fjalëve njërrokëshe,
Të verërave të varfra, pa këngë e valle
Dimrave kërrusur, borë e halle,
Sakrificave që s’shihen,
të afërmve që s’njihen….
Njëlloj valixhja, vit pas viti!
Asgjë s’ndryshon, veç ne plakemi,
harrohemi fjalëve të kota…
Mbi shpinë të tjera torba.
Nyjë mallëngjimi, lidhur për fyti,
zemrat ndrydhur.
Mbi kokë, padronë,
në gji, malli brinjëve gjëmon.
Dita, muaji, viti, jeta
Sa hap e mbyll sytë shkojnë
E unë shuhem dheut të huaj…
Një ditë tri vjeshta,
mallin, n’ valixhe ruaj
Burimi/Facebook


Leave a Reply