Lefter Çipa
(Lindi më 14 Shkurt 1942)
Piko ti moj penë, piko edhe shkruaj,
Shpirtin dot s’ma blenë me flori të huajt.
Floririn s’e kam njohur, as nuk e kam parë,
Po njoh Shqipërinë plot margaritarë.
Tek linda, u rrita, për kombësinë time,
Qumështin që piva, ma dha Nëna ime,
Me gjuhën e artë, unë zogjve u fola,
Brenda shpirtit, bashkë, të gjitha i mblodha.
Lumin që lan Nëna, shumë e kam dashë,
Shumë ma do zemra këtë tokë të lashtë.
Ku kam loz e qeshur, rroj dhe jam përherë.
Si qiri të ndezur e shikoj Atdhenë.
Herë përmbi dëborë, herë majave t’holla,
Me gjuhën e hollë, dritave u fola.
Nën yje të qiellit nuk jam i vetmuar,
Shikimin e Diellit e mbaj nëpër duar.
Në bën mjaltë bleta duke fluturuar,
Dhe unë vërtet gjeta, gjithë dritat zgjuar,
O ju ditë të bardha, ju shoh duke ecur,
Jetën nëpër shkallë mbeta duke qepur,
Veçse pak kurbeti, na la dëshpëruar,
Mbeta me të drejtë, se zogjtë janë larguar.
Kur punon tek tjetri, kudo që hedh këmbën,
Thoshte Andon Sheperi,: Ke të çarë zemrën.
Ja një zë i ëmbël, vjen më zgjon në ëndërr,
Më thotë; bashkimin ta bëjmë me një ëngjëll.
Buza të puthë buzën, ngaqë është e tharë,
Toka që bën bukën, të mos ketë të çarë.
Se dritat i hapëm, mbrapa e lamë natën.
Me liri jetëgjatën, e ndryshuam hartën,
Se ishim të etur, merak na kish mbetur,
Me buzë të qeshur, të mbyllej ky shekull.
Se koha ka ardhur, koha arbërore,
Erdh një re e bardhë, një dëshirë Kosove.
Ëngjëjt ligjërojnë, tempujt ëngjëj lindin,
Malet kuvendojnë, detet bëjnë zgjimin.
Do ta mbledh bletën në pëllëmbë të dorës,
Mbi majën e penës, sipër malit t’borës.
Aty të pikojë, pika e shpirtit t’kombit.
Qielli të këndojë përsipër Tomorrit!…
Nga libri ” Këngët e Akroqeranit”
Botime TOENA- Tiranë
P.S: Në foto: Pamja nga shtëpia ku shkroi dhe nga dheu ku prehet Poeti.
I paharruar mbetesh ” Bilbil i vendeve të mia !”

Burimi/Facebook


Leave a Reply