(Nga jeta e Shna Ndout, pjesa e fundit)Sëmurët rëndë
Në orët e para të 13 qershorit, gjendja shëndetësore e Antonit papritmas u rëndua. Duke parë se fundi është i afërt, u kërkoi bashkëvllezërve që ta çonin në Padova, ku dëshironte vdekjen, pranë Kishës së Santa Maria Mater Domini.
Bashkëvllezrit ja plotësuan dëshirën. Ishte ora 12 e të së njëjtës ditë kur bashkëvllezrit e shtrinë mbi një qerre të tërhequr nga një pendë qe, dhënë nga bujaria e fshatarëve.
Shenjti, para se të nisej, falënderoi dhe bekoi të pranishmit, që luteshin dhe qanin.
Drejt motër vdekjes
Qerrja lëvizi ngadalë, shoqëruar nga fra Luka, fra Rugjeri dhe nga disa fshatarë. Të nxehtit të merrte frymën, rruga e prishur dhe qerrja kërcente mbi çdo gropë. Fra Luka, herë pas here, e ndalte kortezhin me i lejuar të sëmurit pak pushim. Mbas pesë orësh udhëtim, në afërsi të Padovës, Shenjti hyri në agoni. E panë me vend të ndaleshin në Arçela, në eremitin e fretneve, pranë manastirit klarisave.
Kënga e fundit e Zojës
E sistemuan në një qeli të kuvendit ku qëndroi pa lëvizë, pa folur dhe me sy mbyllur. Bashkëvllezrit, të pikëlluar, prisnin fundin. Papritmas, Shenjti hapi sytë, përmblodhi forcat, çoi krahët dhe, me zë gati të fikur, ia filloi një këngë të Zojës, këngën e tij më të dashur: “O gloriosa Domina, excelsa super sidera…!” (O Zojë lavdiplotë, lart përmbi yjet…!).
Ishte lutja e birit që kërkon ndihmën e nënës në orën e vdekjes.
“Po shoh Zotin tim!”
Mbas kësaj këngë, fytyra e tij u ndriçua.
Çoi sytë duke i mbajtur të ngulitur lart, thue se po shihte diçka. Një bashkëvlla e pyeti se çka po shikonte. Iu përgjigj: “Po shoh Zotin tim!”. Jetoi edhe disa çaste, shoqëruar nga uratë dhe vaji i bashkëvllezërve, mandej, përshpirtshëm, e zuri gjumi në Tenzonë.
Ishte muzgu i 13 qershorit 1231.
Fëmijët shpallin vdekjen e Shenjtit
Fretnit vendosën ta mbajnë sekret lajmin e vdekjes së tij dhe ta transferojnë fshehtazi trupin e tij në Santa Maria Mater Domini. Mendimi i tyre ishte i urtë dhe i përshtatshëm. Ndërkohë në Padova kishte shkuar lajmi i ngjarjes. Grupe fëmijësh , të shtyrë nga nga një frymëzim i brendshëm, u derdhën rrugëve të qytetit duke bërtitur: “Ka vdekur Shenjti! Ka vdekur fra Antoni!”. Ishin miqtë e tij ma të dashurit që, të pikëlluar, qanin për të dhe brohoritnin. Ashtu sikurse lajmin e vdekjes së Shën Françeskut e dhanë laureshat, ishin fëmijët ata që e përhapën lajmin se kishte vdekur miku i tyre: i kishte lënë të kthehet të “Zoti i vet”.
Burimi/Facebook


Leave a Reply