Nënë e dashur Terezë!
Asnjëherë në jetë nuk kam bërë dallime te librat, te literatura. Për mua, si teolog, siç janë të shenjtë librat hyjnorë, Kur’ani dhe Bibla, po kaq të shenjtë janë dhe librat e tjerë, të cilitdo zhanr letrar, të cilësdo disiplinë a lëmi shkencore dhe filozofike. Në rrafshin e leximit dhe krijimit, ndërkaq, së pari, gjatë punës e konsideroj për të domosdoshme përdorimin e rregullt të fjalorëve dhe leksikonëve, madje dhe të enciklopedive, për mësimin dhe përvetësimin sa më të thellë të gjuhës dhe letërsisë amtare, dhe, së dyti, edhe për thellimin e njohurive sa më solide për gjuhët e huaja të cilat sado kudo i zotëroj, qoftë në të folur, qoftë në të shkruar, përfshirë këtu edhe fjalorët e fjalëve të huaja. Këtu bën pjesë dhe, po në radhë të parë, domosdoshmëria për të njohur mundësisht sa më shumë e sa më thellë historinë tonë kombëtare me gjitha specifikat dhe veçoritë e saj, dhe, në radhë të dytë, për të thelluar edhe njohuritë nga historia e nacioneve, kulturave dhe qytetërimeve të tjera.
Të ndalem vetëm pak te ajo e ynja. Dua të vë theksin veçanërisht te domosdoja e, veç të tjerash, përqëndrimit tonë sa më të thellë në lexim, studim dhe përsiatje rreth periudhës së Rilindjes tonë të artë Kombëtare, të Lëvizjes së përgjithshme Kombëtare dhe, sidomos, nga periudha e Neoshqiptarizmës e këtej, themelet e së cilës i vuri fuqishëm neorilindasi Branko Merxhani (1894-1981; shkrimtar, kritik letrar, përkthyes, sociolog dhe filozof), për t’i thelluar ato në vijim dhe sociologë, filozofë dhe mendimtarë të tjerë shqiptarë.
Tani e them hapur në cilësinë e një kleriku, e një teologu, në kuptim të një digresioni: për mua siç nuk mund të bëhem dot një besimtar mysliman i mirëfilltë nëse nuk besoj, mësoj e zbatoj “shehadetin” -dëshminë themelore të përkatësisë islamike, dhe ato 33 “shartet” – kushtet fundamentale të kësaj feje, po kështu, njëlloj, nuk mund të jem o të bëhem një shqiptar i mirëfilltë, i vetëdijshëm e i ndërgjegjshëm kombëtarisht nëse nuk i kam përzemër, nuk i mësoj dhe nuk i zbatoj me përpikmëri kushtet dhe parimet (“shartet”) më themelore e më substanciale të SHQIPTARIZMËS, të RILINDJES sonë KOMBËTARE dhe të NEOSHQIPTARIZMËS. Dorën në zemër, unë këtë e kam predikuar zëshëm kudo në atdhe dhe në mërgim, në gjitha komunikimet e mia me vëllezërit e mi shqiptarë të besimit islamik, po njëlloj dhe me vëllezërit dhe motrat e mia shqiptare të besimit katolik dhe ortodoks. Këtë e kam përdëshmuar dhe në gjitha shkrimet e librat e mi.
E kam bërë këtë predikim dhe vazhdoj ta bëj akoma për arsye se në komunikimet e mia mbi tridekadëshe kam vënë re që një pjesë e konsiderueshme e bashkatdhetarëve tanë, nga gjitha shtresat dhe kategoritë, nuk kanë njohuritë e mjaftueshme për themelet vetanake, qoftë kombëtare, qoftë fetare. Madje, disa prej tyre, edhe ato njohuri që kanë, i kanë në një trajtë jo të drejtë, jo të saktë, o të bastardhuar, që nuk përputhen me burimet autentike të akëcilës disiplinë o doktrinë mësimore. Së këndejmi, përgjithnjë në jetë kam qenë i detyruar të qëndroj, thënë kushtimisht, në pozicione të kundërta predikimi:
Fetarëve të dalldisur u kam folur kryesisht për vlerat materiale, të kësobotshme, mandej edhe për vlerat tona gjithëfarëshe kombëtare, ndërkohë që ateistëve, materialistëve dhe patriotëve të devotshëm u kam folur kryesisht për vlerat sakrale dhe shpirtërore përgjithësisht…
Definitivisht, ideali madhor kombëtar dhe puna e aktivitetet e gjithëmbarshme në rrafshin e mbrothësisë sonë kombëtare dhe në rrafshin e SHTET-NDËRTIMIT SHQIPTAR duhet të jenë kryeprioritet mbi gjitha prioritetet tjera te çdo shqiptar e shqiptare e mirëfilltë, sepse, thjeshtë, asnjë prioritet tjetër nuk mund të funksionojë në mënyrë të plotë e lirshëm pa kryeprioritaren: pa një NGREHINË, pa një SHTET TË MIRËFILLTË, TË SHËNDOSHË E TË FUQISHËM SHQIPTAR …
(Fragment nga libri im “Bisedë shpirtërore me Shën Nënën Terezë”, Prishtinë, 2020)
P.S. Në foto me mikun tim të shtrenjtë Prof. Islam Gegaj (i cili ishte edhe recensent i librit) pas promovimit të këtij libri në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.
Zekerija Idrizi – Teolog
Berlin/Shkup
Burimi/Facebook


Leave a Reply