– Sot në gazetën ExLibris –
Nga Yzedin HIMA
Letërsia e shkrimtarit të shquar Zija Çela, krahas nivelit të lartë estetik, është thellësisht humaniste. Ndaj, sa të ketë njerëz, do të ketë lexues të tij.
Atë që shumëkush e ndjen, e mediton, e monologon, atë që shumëkënd e mundon, e torturon, por nuk ka as kurajo, as gjuhë për ta shprehur si dashuri, si pendesë, si mall a trishtim, befas e shfaq si tekst shkrimtari Zija Çela, duke i ardhur gjithkujt në ndihmë. Thuhet se të gjitha kuptimet e një teksti letrar gjenden te vetë teksti, gjenden te lexuesi, gjenden te nënteksti, gjenden edhe te konteksti. Por në rastin e letërsisë së shkrimtarit Zija Çela, kuptimet e tekstit marrin dritë edhe nga jeta e njëmëndët e autorit, humanizmi i thellë, ndjeshmëria dhe ndershmëria e lartë, emocioni dhe mahnia, tipare që shpesh mungojnë edhe tek autorë të shquar.
Te Zija Çela mesazhet kuptimore dhe mesazhet artistike realizohen njëherësh në mendjen e në shpirtin e lexuesit. Duke leçitur Zija Çelën, lexuesi përndritet nga nyjëtimi artistik i tekstit, njëkohësisht përfton atë katarsis mendor dhe shpirtëror, si proces zanafillor i letërsisë.
Vepra e shkrimtarit Zija Çela është voluminoze, me një arkitekturë të menduar që në fillesat e saj. Tani mozaiku i kësaj vepre shfaqet i plotë, duke zënë një vend tejet të veçantë e të rëndësishëm në letërsinë shqipe dhe në letërsinë bashkëkohore në përgjithësi. Ai është një shkrimtar i shquar shqiptar dhe njëherësh europian për mesazhet artistike e semantike që përcjell me veprën e tij.
Dihet etja për letërsinë që kishte lexuesi gjatë viteve të diktaturës. Aty gjente të bukurën, humanizmin, ledhatimin e shpirtit dhe të intelektit nga tekste letrare si të Zija Çelës. Në këtë letërsi lexuesi gjente strehimin shpirtëror e mendor, duke u larguar nga dhuna, vulgariteti i dhunshëm i botës së njëmëndët dhe tekstet pseudoletrare si fotografi e atij realiteti dhunues të autorëve të socrealizmit, ku mungonte funksioni estetik dhe shfaqej funksioni qëllimor i tekstit që kishte pushuar së qëni tekst letrar. Zija Çela, ndonëse krijoi edhe në kohë dhune, tekstet e tij letrare i shpëtuan morsës së aestetikës së socrealizmit falë talentit të fuqishëm letrar, humanizmit të thellë që është shenjë themelore e kuptimit të teksteve të tij. Në tekstet e tij së pari lexuesi dallon shtyllën e fuqishme të funksonit estetik, që përbën shtyllën kurrizore të këtyre teksteve. Natyrisht, nuk mungon edhe funksioni ndikues dhe ai formues në të vetimin kah, atë njerëzor.
Autori është njohës i thellë i shpirtit njerëzor. Ai ndjen dhe dallon edhe vibrimet më të lehta të këtij shpirti. Gjithashtu në tekstet e tij dallohen qartë tatuazhet e dhunës që njeriu i ka shkaktuar njeriut, jashtë çdo arsyeje njerëzore. Shkrimtari Zija Çela është anëtar i denjë i Bankës së Ankesave, ku ka depozituar dhimbjen e tij për vuajtjet, padrejtësitë, ankesat e njerëzve të thjeshtë, të cilët nëpërkëmben çdo ditë nga ata që janë persona vip të bankës së korrupsionit.
Në tekstet letrare hermetike lexuesi gjatë dekodifikimit të tyre zbulon edhe njeh edhe veten, anën irracionale të tij. Ndaj kur kemi para një tekst letrar si tregimi i shkurtër “Trokitje”, krahas kënaqësisë estetike, zbulojmë edhe veten, prekim ato vise te brendësia jonë, të cilat nuk do t’i kishim njohur e prekur kurrë, pa ndihmën e letërsisë së madhe, si letërsia e shkrimtarit të shquar Zija Çela.
(Shkrimi i plotë në ExLibris, ku i bëhet një analizë e përveçme edhe tregimi të shkurtër “Trokitje”.)


Burimi/Facebook


Leave a Reply