Është i një rëndësie të jashtëzakontë mendimi i një kleriku shqipar mysliman për botën e krishterë, në përgjithësi, dhe për figurën madhore, kolosale e gjithënjerëzore të Shën NënësTerezë, në veçanti, e cila, ndonëse i përkiste besimit katolik kristian, e ndihmoi botën, veçanërisht shtresat e saja të varfëra, të sëmura e të pastrehë, pa bërë kurrfarë dallimesh fetare, racore, kombëtare e regjionale. Prononcimi i botës myslimane, veçanërisht i klerit të saj, rreth figurës së Shën Nënë Terezës ka akoma më shumë vlerë e peshë sot kur, mjerisht, po përbaltet e komprometohet si mos më keq ajo nga një shtresë e pandërgjegjshme besimtarësh e klerikësh injorantë e fanatikë, që janë të veshur me petk engjëlli, por që, në fakt, kanë zemrën e djallit. Mëkat! Akoma më i tmerrshëm është fakti tjetër që ca çallmaxhinj fanatikë në predikimet e tyre (predikime u thënçin!) i bëjnë vendin në ferr Nënës Terezë. I pyes botërisht këta çallmaxhinj miopë e fundamentalistë: A ka mëkat më të rëndë se sa të luash rolin e Zotit në tokë, se sa të marrësh prerogativat e kompetencat e Tij, duke satanizuar njerëz të besimeve e kulturave të tjera e duke i anatemuar e linçuar ata në bazë besimi e feje ?!!!
Këto ditë madje, teksa nuk më është shqitur nga “sytë e trurit” përfytyrimi i imazhit engjëllor të kësaj gjithëmëmëje botërore, më ka ndodhur disa herë të përsëris një lutje shumë sublime për shpirtin tim: “Im Zot, mos vdeksha pa vënë në jetë një nga shkrimet më sublime për këtë nënë famëmadhe shqiptare, për këtë vendase timen tashmë me famë botërore! Bën që kjo ide një ditë të kulmojë në një libër të veçantë! Amin!”
Këtë ide ia kumtova në radhë të parë bashkëshortes sime. Ajo u ngazëllye pa masë. Ngeli pa frymë. “Do ta kesh mbështetjen time në këtë ndërmarrje të shenjtë, i dashuri im!” – më tha ajo me plot entuziazëm e shpirt. Dorën në zemër, ajo për mua është një “shpirt terezian” në familje dhe gjetkë. Rrit, ushqen dhe edukon me një përkushtim të pashembullt katër gocat tona. Ajo ka një zemër të madhe bujare, tipar ky të cilin e trashëgon nga prindërit bujarë, babë Sefa dhe nëna Sevdije. Së këndejmi dhe ajo i respekton pa masë anëtarët e familjes, farefisin,mysafirët dhe miqësinë e gjerë, si dhe në asnjë rast të vetmin nuk kthen duarbosh skamnorët dhe bonjakët. Të merremi vesh, për mendim tim çdo nënë shqiptare e dinjitetshme, që rrit, ushqen dhe edukon fëmijët në mënyrë të shëndetshme e konstruktive, si dhe sakrifikon gjithçka për familjen, fqinjët dhe njerëzimin pa dallim, ka imazhin e një Nënë Tereze. Madje, një të këtillë imazh ka edhe çdo femër, si në vend ashtu edhe në botë, që lufton me zemër, me ligjërim dhe me laps në mbrojtje të dinjitetit të gruas në shoqëri në në të gjitha segmentet e saj, në mbrojtje të të drejtave të grave dhe të njeriut në përgjithësi.
Çuditërisht, në ditët që përgatitesha intensivisht për mbajtjen e fjalimit tim në Augsburg, i gjendur në një ekstazë të thellë shpirtërore, fillova shpesh herë t’i thoshja ballë për ballë bashkëshortes sime se sa shumë e dua. Po njësoj veproja edhe me fëmijët e mi: i përqafoja, i përkëdhelja shpesh, u thoja se i doja shumë dhe lutesha te Perëndia për mirëqenien e tyre. Bashkëshortja e vuri re këtë disponim timin të skajshëm dhe një ditë më pyeti për ndryshimin tim në sjellje.
“E lumja Nënë Terezë në fjalimin e saj në Oslo ndër të tjerash porositi: “Nëse për shkaqe objektive nuk mund t’u dhuroni gjë varfanjakëve, puna më e madhe që mund të bëni është të përhapni dashurinë në familje, te të afërmit tuaj! Kjo është dhurata më e madhe nga Perëndia, prandaj shfaqni dashurinë e madhe në familje, sepse familja është e shenjtë!” – iu përgjigja unë. Ajo buzëqeshi me shpirt, mandej duke u lutur te Perëndia për dashurinë dhe mirëqenien tonë më tha:
“Burri im, gjesti i saj kishte përmasa shenjtërie, hyjnore do thosha, kur natën solemne të pranimit të çmimit prestigjioz Nobel për Paqe ajo refuzoi të ulet në drekën pompoze që i kishin përgatitur komisioni laureues dhe u bashkangjit në darkim me njerëz të rëndomtë dhe me ushqim modest. Ajo tha qartas dhe vendosmërisht kështu: “Unë nuk mund të marrë pjesë në një drekë festive të tillë, ndërsa njerëzit tanë vuajnë nga uria, vdesin… Ne duam të jemi të varfra si ata, për dashuri ndaj Zotit dhe për t’i kuptuar ata deri në fund”.
“Aferim! Ashtu ka qenë, grua! – i pohova unë.
Çdo shqiptar që ka ndërgjegje të çiltërt religjioze, kulturë njerëzore dhe vetëdije të lartë kombëtare tregon respekt të lartë për figurën madhore të Shën Nënës Terezë. Rrjedhimisht dhe ne, unë dhe bashkëshortja ime, dyt jemi profesionalisht teologë të besimit mysliman, por kemi respekt të thellë për të, shpirtin e dëlirë të saj, për religjiozitetin e saj të përkryer dhe për veprën e saj madhore përmasash planetare dhe historike. Të merremi vesh, një personalitet të rangut e prestigjit të saj kombet e lindin njëherë në milenium, për të mos thënë në mileniume ….
(Fragment nga libri “Bisedë shpirtërore me Shën Nënën Terezë”, Zekerija Idrizi, SHB Prokultpress, Prishtinë)
Burimi/Facebook


Leave a Reply