1.
Gjyshi im nga baba ishte një burrë që fliste pak, dhe mendohej gjatë para se ti nxirrte ato fjalë të pakta prej gojës së tij.
Aty nga vitet shtatëdhjetë një miku i tij nisi të ndërtonte një shtëpi jo vetëm të bukur, por edhe shumë të madhe.
Ndoshta më e bukura shtëpi e stilit modern e ndërtuar deri në atë kohë në Malësinë e Gjakovës, pamja ballore e saj kishte as më shumë, as më pak, por plot gjashtëmbëdhjetë dritare të rrethuara me qemer, si edhe një ballkon të dalë në mes, që ngjante me shpinë ku u shpall Pavarësia në Vlorë.
Thonin që kjo shtëpi kishte gjashtëmbëdhjetë dhoma, të gjitha me nga dy dritare të mëdha.
Gjyshi im e kishte porositur jo një herë shokun e tij të cilin e donte dhe e çmonte fort: Mos e ba shpinë ma të madhe se komitetin, se nuk vret mirë në sytë e partisë dhe të pushtetit.
Ai se dëgjoj, shpia e re shndriste në sytë e udhëtarëve, pasi për dreq ishte edhe buzë rrugës nacionale.
S’shkoj shumë gjatë dhe Tropojën do ta vizitonte vet Mehmet Shehu, kryeministri gjakatar i kohës.
Kur makina e tij kaloj pranë shtëpisë së rrallë, ai kishte pyetur: Çfarë institucioni është ky?!?
Ai që e shoqëronte në makinë, i kishte thënë që është shtëpi private dhe është e filanit.
Akoma s’kishte mbrritur uji i Valbonës me u përzie me të Bunës, kur e arrestuan të zotin e saj, dhe për familjen e tij filloj saga e vuajtjeve deri në vitin ’90 kur ndërroj sistemi.
2.
Nuk e di a e dinte gjyshi im që porosia e tij për mikun e vet ishte një rregull i pashkruar urbanistik i qytetërimeve që nga ai romak, bizantin por edhe otoman; Asnjë ndërtesë nëpër qytete s’mund të ishte më e lartë se katedralja, kisha apo minaret e xhamisë.
Edhe regjimi komunist ndoqi të njëjtën statukuo të pashkruar ndër shekuj, ai që guxonte të bënte një shtëpi ndryshe nga rregulli, pra më të madhe se komiteti, ndëshkohej me burg, denigrohej dhe përfundonte i deklasuar.
Për ironi të fatit, miku i gjyshit tim edhe pse i nderuar e mbylli jetën e tij në moshën 90 vjeçare me një plumb që kokë, të cilin ja dha vetës së tij, njëlloj si ish kryeministri gjakatar, Mehmet Shehu.
Me ndryshimin që ky i fundit plumbin e kishte në zemër dhe dyshimi që nuk ja dha vetës, por ja lëshoj dikush tjetër lindi që natën e (vet)vrasjes dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite.
3.
Sa herë që e kaloj semaforin e Rrugës “Xhorxh Bush” pranë urës së Lanës, për të dalë në Bulevardin “Gjergj Fishta” ku në të djathtë më shfaqet Xhamia e Re, më e madhja në Ballkan, me sa kam dëgjuar dhe në të majtë përtej Lanës më bën hije kulla më e lartë në Shqipëri më vjen ndërmend kjo histori e dëgjuar dhjetra herë, përveçse edhe e përjetuar, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.
Ndryshimi mes këtyre artefakteve është se buzë “shtëpisë më të madhe se komiteti” rridhte lumi më i pastër në Europë , ndërsa midis “Kullës më të lartë se Xhamia e qytetit” rrjedh lumi më i pistë i Botës…
Tiranë me 1 Nentor 2023.
Burimi/Facebook


Leave a Reply