E tmerrshme! Vetëm pas gjashtë muajve të këtij moti përvëlus, fare pa ekuilibër,-i mërguar në dhe të huaj,-nuk do të kisha mundësin të dëgjoja edhe për gjëmën që kishte ndodhur!: Djali më i “vogël “ në klasën e aktrimit, kur kthehesha i djegur nga malli në vëndin tim, nuk është më!…Nuk do ta gjëja më në Tiranë, tashmë “plakushin”me flokë të bardha që më kishte befasuar mua , pedagogun e tij , me filmin “Dimëri i Fundit”, dhe po më befasonte ca më tepër me përfaqësimin e tij si krijues në një “Festival Kinematografie” në Vjenë të Austrisë së kulturuar, me veprën e tij “Nusja e Shtetrrethimi” që kishte realizuar së toku me vlonjatin tjetër Ibrahim Muça. Duke dalur kështu mbi nivelin e mësuesit të tij të “strukur internimeve,burgjeve e mërgimeve të largëta”,-i privuar tashmë nga krijimi për një periudhë tepër të gjatë (më se 20 vjeçare!), aqsa të vepronte edhe “ligji i pashkruar” që thoshte se “është e shkruar diku që nxënësi ia kalon edhe mësuesit!”. Por ai qe po ai, i thjeshti dhe i ëmbëli Kristaq, “Imcaku i Vlorës”, që atëhere nuk “ma mbushte mëndjen se do të bëhej gjëkafshë!”, me atë ndroje të dikurshme, ku fshihej modestia shëmbëllore e një krijuesi që në profesionin e regjisorit të filmit kishte dalur aq lartë, sido që etika e artistit të përkor e bënte ta mbante kokën ulur, pa e shuar buzëqeshjen e shpirtin e bukur. Dhe, duke u përpjekur që unë ta ndjeja veten mirë, duke pirë një kafe me të, përbri monumentit të Mbretit të Dikurshëm, që shoku i tij i klasës , Saimir Kumbarua, i kishte “ujdisur” dy filma të jashtëzakonshëm anekdotikë. “Mirëse ke arrdhur, profesori im i dashur,-më tha ai, duke më vështruar, po me atë dashuri e respekt, si atëhere, dhe unë do ti thoshja se kisha “marrë udhën e mundimin bashkë që të shkruaja një liber me portretet e tyre mbresëlënëse, që tashmë i donin dhe i shikonin si personalitete të skenës e të ekranit (duke numëruar kështu emrrat e Birçes, Timos, Mevlanit, Nikos, Petrikës, si edhe të tij patjetër, por edhe të atyre që ishin shuar para kohe: të Llazit e Minellës!), porqë mua që delia nga “galera”, nuk ma”vërshëllente” askush që edhe ta mbështeste botimin. E ai,- pa fjalë, do të vraponte bashkë me mua për tek Saimiri që i kishin dhënë një “detyrë” e një zyrë për “mbojtjen e të drejtave ligjore të filmdhënies”, për ta bërë të mundur edhe botimin e këtij libri tashmë të vonuar, tek po largoheshin nga jeta edhe ata, personalitete nga brezi i ri i artit e i artistëve shqiptar të filmit . Qe larguar tashmë Llazi Serbua që kishte habitur publikun e Vjenës me rolin strikt e të tmershëm të oficerit nazist, po në filmin e tij, pas tij edhe Minella, pas tyre edhe vet Kristaqi, i miri Kristaqi im!
***
Lindi në Vlorë në vitin 1948. Me mbarimin e Shkollës së Lartë të Atrimit, Kristaq Mitro e gjeti veten shpejt si regjizor, aty ku u emërua: në Kinostudion “Shqipëria e Re”, në vitin 1970. Dhe iu deshën plot dy vjet, që në vitin 1972, të debutonte me filmin e tij dokumentar “Basketbollistja Nr 10”. Pas suksesit të merituar të këtij filmi, sidomos për imazhet e gjetura që ishin fiksuar aty dhe portretit të basketbollistes energjike, ai realizoi edhe 6 filma të tjerë të këtij karakteri, ku pikasi gjithashtu dokumentari virtuoz: “Përse qajnë fëmijët dhe njëmijë pse!”. Ndërkohë ishte pjekur miqësia dhe marrëveshja e një bashkëpunimi artistik me Ibrahim Muçon, për planet e reja krijuese.
“Kur zbardhi një ditë” ishte filmi i parë – një realizim i bukur kinematografik i tri tregimeve të shkrimtarit Anastas Kondo, ku ata të dy ishin asistentë të regjisorit Piro Milkani, i cili kishte studiuar në Çeki dhe, me këtë vepër kinematografike sillte një notë realizmi në atmosferën e kohës së luftës. Në mënyrë të veçantë, episodi i partizanit Meço, qe një nga realizimet më interesante të tyre, jo thjesht nga një interpretim i shokut të klasës së Kristaqit, Timo Fllokos, po kryesisht për atmosferën, rrethanat e fiksuara bukur dhe për ritmikën e zhvillimit të veprimit, përmes detajesh, gjetjesh befasuese, kontrastesh e dinamikës së imazhit në atë ngjitje në kambanore, kur vërshëllenin pareshtur plumbat, deri aty ku bie kambana e që bie edhe heroi, me një gjëmim kambane të shurdhët, të pabujshme, në romantikën me ngjyrime lirike të aktit të vetëflijimit heroik.
Tek filmi i tyre i parë i përbashkët i “Vëllezërve Siamezë”, i Kristaqit dhe i Ibrahimit: “Dimri i Fundit”, realizuar me shumë pasion, drejtë një afirmimi të sigurt artistik në vitin 1975 në kohën e një dimri të vërtetë e të acartë, me dëborë të dendur, kur aktorët duhej të interpretonin në atë thëllim real të të ftohtit dhe kur, nga goja e aktorëve dilte vazhdimisht avull e frymëmarrja e tyre sforcohet, në një kohë kur ritmika e luftës dhe natyra përreth bëhej më e papërballueshme, paralel me atë të rrethimit të forcave gjermane. Të pazakonta janë këtu portretet e grave që lëvizin në një grafikë filmike nga më të rrallat.
“Tokë e përgjakur”, realizuar në vitin 1976, është vepra e tyre e dytë, e rëndësishme për nga vlerat edhe kjo, e cila e përforcoi besimin se, këta dy djelmosha, mund të bënin filma e mund t’u besohej pa asnjë ngurrim realizimi i tyre, si të rinj që ishin, – një film realist, emocional, ku të mbeten në mendje dy nga vrasjet më të realizuara, si imazhe të forta realiste, ajo e Mitit në pjesën e parë dhe ajo e Mullisit në pjesën e dytë. Tingëllimi i gjëmës individuale merr natyrshëm tiparet e një akti tragjik shoqëror që të rrëqeth, por edhe ngre peshë revoltën kolektive, me mjetet shprehëse të artit të vërtetë.
Po këtë tension të kuadrit filmik e të portretit aktoresk do të kishte edhe filmi “Nusja e shtetrrethimi”, i realizuar në vitin 1978, ku pasqyrohet po ajo tematikë guerrilase e kohës së luftës, me personazhe të rinj, përmes një fabule të thjeshtë e reale, të shkruar prej Elena Kadaresë, që merrte jetë e figurshmëri prej kamerës interesante të Bardhyl Martinianit, me mjete të reja shprehjeje. Për të mbërritur një vit më vonë në një kulminacion tjetër, sikundër qe filmi “Liri a Vdekje”(1979), me një skenar letrar të goditur, ku tonet realiste qenë edhe më të shtrira e të vetvetishme, në subjektin e një filmi që evidenton anën intime e njerëzore të heroit, që e shpie luftëtarin e pavarësisë kombëtare drejt udhëve më të natyrshme të flijimit të heroit, i cili nuk stonon e nuk “kërcet” as në skenarin letrar e as në realizimin filmik, por jepet natyrshëm e me vërtetësi, si vlerë e lindur vetiu dhe e ndikuar prej rrethanave konkrete. Por edhe si kërkesë estetike e mjeshtrave në fjalë, ku fantazia e regjisorëve përputhet mrekullisht me ato të skenarit te Vath Koreshit.
Por do të shpreheshin edhe më bukur në një vepër kinematografike pasardhëse, sikundër qe “Njeriu i mirë” tre vite më pas, më 1982, nëpërmjet ekranizimit të novelës së Dritëro Agollit (me skenar të Nexhati Tafës), ku me guxim goditet burokratizmi pushtetor, si edhe korrupsioni i njerëzve, kur vjen puna për të fituar favore e “hapje shtigjesh”, nëpërmjet pagesave dhe hatëreve. Ata sjellin këtu një notë të dukshme realizmi, për të thënë publikisht se si duhet të jetë ky model i kohës së atëhershme, me thjeshtësinë njerëzore dhe vlerën e një shoqërie të përparuar, – një aludim, me të vërtetë i guximshëm për kohën e frikshme që po jetonim. Mandej e përforcojnë mesazhin e tyre etiko-moral, paskëtaj, në vitin 1983 në filmin poetik “Apasionata”, përmes një episodi ku rrëfehet se si rrezikon dashuria përmes shpirtligësisë e manisë për të “gërmuar” në biografinë e njerëzve. Atje trajtohet depersonalizimi i njeriut përballë egoizmit prindëror dhe rrëfehet me finesë se sa delikate është qenia njerëzore kur, pa u menduar gjatë, mund ta lëndosh njeriun. Dashuria është aq delikate, si një gjethe që mund të bjerë përtokë dhe vyshket …, dhënë përmes ekranit me interpretime realiste, në një regji filmike të kulturuar, me mjete shprehëse vizive të një kategorie estetike të lartë dhe bashkëkohëse.
Dhe, sikur e plotësojnë veten me mesazhet e së ardhmes, të një shoqërie të emancipuar, të përparuar e moderne me filmin “Duaje emrin tënd” (1984), me skenar të Nasi Lerës, duke rrëfyer me mjeshtri se sa duhet që të vuajë njeriu i ndershëm për të rifituar dinjitetin e personalitetin e vet! Për të vazhdur më tej, me idetë e mesazhet e tyre të guximshme, me filmin tjetër “Telefoni i një mëngjesi” (1987), kur themelet e shtetit të dikurshëm kishin filluar të lëkundeshin dhe kur bazat e një shoqërie të korruptuar qenë bërë edhe më të dukshme. Nuk kam mundur të shoh edhe një film tjetër, sikundër qe filmi i tyre “Një djalë e një vajzë” në vitin 1990, përsëri me skenar të Nasi Lerës për të pohuar rishtas vlerën etiko-morale të këtyre kineastëve në shigjetimin e atyre “plagëve” që sollën rrokullisjen e një shteti të kalbur, të brejtur nga krimbat e korrupsionit, që e deformuan njeriun e asaj kohe, e korruptuan, duke shprehur, me kurajë qytetare, ato fenomene frenuese që sollën ndërkohë protestat e gjalla të studentëve kundër diktaturës së egër.
Me siguri që regjisori Kristaq Mitro, ai imcaku i dikurshëm, që erdhi me plotë droje në Shkollën e Aktrimit, ka patur të bëjë në këtë proces krijues të notave novatore të një filmi me vlera sociale, që ecte në shinat e së ardhmes bashkëkohëse. Pas 12 filmash të përbashkët, të sigurt tani për forcat e tyre krijuese, “vëllezërit siamez” të filmit shqiptar, mundën të dalin përballë spektatorëve të kinemasë edhe të vetëm. Dhe tashmë mesazhet e një pastërtie të moralit, Kristaq Mitroja do t’i shprehte plotësisht me nivel artistik, me emocionet e veta, i çliruar shpirtërisht, në filmin dokumentar “Haleluja” që realizoi tërësisht i vetëm, kushtuar vizitës dhe meshës së parë në vëndin tonë, të Papës Gjon Pali i Dytë.
***
Mirëpo gjëma ka ndodhur..U shua edhe Kristaq Mitro,-kineasti elegant. Dhe mua më mbeti në kujtesë, ashtu i gjallë dhe fisnik, shtatshkurtër e energjik, pasionant dhe miqësor, nga ata njerëz që ta “japin zëmrën ndër duar”, me po atë buzëqeshje fëminore, edhe pse i zbardhte “dëbora” mbi krrye. Si kthehet nga Vjena nis përgatitjen për të prezantuar filmin “Dimri i Fundit” në Festivalin e Filmit të Bolonjës në Itali. Njëherësh kishte gati skenarin e filmit të tij të ri që do të xhirohej së bashku me kineastët austriak. E menjëherë nisi të më flas për linjat, mesazhet e imazhet e filmit të tij të ardhshëm, pa e ditur se “ku përgjonte fundi si kusar”, sikundër shprehet trishtueshm një miku im poet! Ai do të largohej nga jeta në fillimin e prillit të këtij viti, kur apo çelnin lulet, dhe dy javë më përpara se të kremtohej “çlirimi i Jezusit të mbërrthyer në kryq”!…
Piqeras, Himarë-,më 8 shtator 2023.




Burimi/Facebook


Leave a Reply