Ati im qan
fshin lotët me gishtërinjtë e djegur
nga trishti e malli
por lotët e tradhëtojnë,
ato nuk rreshtin,
lotë për shokët e tij të vrarë në luftë!
Gjysmë shekulli më parë kur ata u vranë
ai nuk qau,
qëlloi qiellin me pushkë,
në dëborë shokëve u mbyllën sytë
dhe shkuan përsëri në bregun tjetër të luftës
ku gjithçka gremisej, s’dihej ku.
Ah, ati im, pemë fillikate e humbëtirës,
lotët i rrjedhin,
rrëkezat i bëhen përrenj të zhurmshëm,
një lumë nis të gjëmojë e shkumbëzojë
kushedi në ç’dert
plot zëra të një bote të rrënuar.
Ati im qan sot si një fajtor i madh
për ata që shkuan
për ata që u vranë
qan për luftën që shkoi kot
për ëndrrat e thyera
për tempullin e shembur të lirisë dhe dashurisë
tempullin prej gjaku të humanizmit
gjersa një ditë kështjella e utopisë u shëmb
mbi vdekjet dhe gjakun e atyre që nuk u kthyen më.
Ati im qan me një dënesë të heshtur
që ngjan se vjen poshtë varreve,
thua se të vrarët tashmë arrijnë ta dëgjojnë,
madje të flasin dhe të falin,
të vrarë të zgjuar,
të vrarë të rrebeluar
që plagët e vjetra nuk i lënë të ngrihen dot,
qortojnë atin tim se idealin e tyre nuk e mbrojti dot.
Ati im qan dhe thotë nën zë
se më mirë të ishte vrarë dhe ai,
që mos të shihte zhgënjimin e madh,
shëmbjen e tempullit të tyre të lirisë,
lirinë e prangosur,
lirinë gojëkyçur e të gjunjëzuar,
ati im qan për gjithë të vrarët e zgjuar,
qan për luftën e fituar dhe atë të humbur
dhe botën e ëndërruar që vonon të vijë
dhe ashtu i lodhur humbet tutje në mjegullën e madhe…
Një dritare në blu
————-
Ti je një dritare në blu
kanatet e hapura si një grua e bukur
që nga deti vjen e etur gjithnjë
të më prehë nën një qiell të yllëzuar,
ti je dritarja me sy blu dhe vetulla purpuri
një dritare e çlirët, e hapur gjithnjë,
ti je më shumë se një dritare…
je një udhë e gjatë plot erë e brymë
ku unë humbas dhe përsëri të gjej në ag.
E rigjeta gruan
———–
Ishte vjeshtë kur ti erdhe si furi e dashur,
më zgjove papritur kur flija ende
dhe sytë i kisha të humbur nëpër qiej
në një përrallë të trishtë, të vjetër,
më more mbi duar dhe më ngrite lart
si të isha një foshnje pa mbroje,
një engjëll,
ti, e ëmbla grua…
Ishe një furi e bukur si kurrë ndonjëherë,
vështirë ta përballoja detin tënd të trazuar,
as erërat e tua që përpinin çdo gjemi,
duhej të isha një Promete ta shuaja zjarrin tënd
në udhën e gjatë kthimit,
llavën e shpërthimit që ndizte yjet e qiejt
dhe digjte gjithçka të brishtë që dilte përpara.
Më le pa frymë dhe më ngjalle sërish
me frymën tënde si të ishe një shenjte,
mi dogje buzët dhe gjoksin që përpëlitej
por jo shpirtin
që të mund të flisja me ty,
të pëshpërisja një fjalë:
E rigjeta gruan dyzet vjet më vonë
si të isha fëmijë e njëkohësisht Apollon!
Burimi/Facebook


Leave a Reply