Një jetë e tërë brezash piqerasiotësh është e lidhur me këtë rrjedhë të përjetshme uji që buron nga mali karshi detit, në afërsi të përroit të Katunishtës. I ndërtuar me kuben e gurit që e ka edhe sot, në pronat e vëllezërve të hershëm Gjini, me pesë vrima të hapura në një masiv guri, që më pas zëvëndësohet (gjysëm metri më lart), me lugun e gurtë të hedhjes së ujit. Më sipër ndodhet një pllakë guri me gërma greke e pa datë, që hamëndëson se kroi është ngritur para sundimit turk, prej banorëve të fshatit që lundronin gjer në Korfuz me varkat e tyre, ku shquan emri i Nikollës ( prej familjes Gjini ndër breza, duke mbritur së fundi tek gjyshi im Nikolla, dhe te nipi im në Kanada Niko), si edhe më poshtë shquhet emri Nikaj, që mund të lexohet si fjala greke “FITORE”, po ndofta edhe si një usta nga Nikajt!). Këtu vinin për mbushjen e bucelave me ujin e pijshëm që i ngarkonin me litar në shpinë gratë e fshatit. Atje ku lanin llërët e duarve vajzat tona të bukura e përgjonin djemtë…Atje ku mbushnin paguret udhëtarët, mërgimtarët e të lavosurit e ushtrive të huaja, kur jo pak herë edhe këndejë ndjehej era e barutit…Se uji është e mbetet një BURIM JETE!
Disa shekuj më von, kur familja e Andrea Xhanit (plakut) e ngriti shëpinë aty afër, “Kroi i Gjine” u mbiquajt “Kroi i Xhane”.Uji i këtij kroi, i bollshëm në dimër dhe me rrjedhë të vogël në stinën e verës, sipas analizave të mëvonshme, eshtë i lehtë, i ftohtë dhe i pasur me minerale. Dhe gota e xhamit të mbushet menjëhere me bulëza uji të akullta! “Burim JETE” shekullor për banorët e tij që gjezdisnin botën kurbeteve. Jetëgjatësia e këtij burimi dhe struktura e ndërtimit prej banorëve të hershëm të fshatit, meriton të shpëtohet nga dhuna e bagëtive dhe njerëzve të pakujdesshëm, të mbahet mirë e të “rindërtohet” në gjithë teritorin e vetë , si MONUMENT KULTURE e të “mbrohet nga shteti”, duke e strukturuar përmes një projekti urban nga Bashkia e Himarës a Ministria e Kulturës, duke e kufizuar teritorin e tij prej bagëtive të ndryshme (që e ndotin!) e të vlerësohet për arkitekturën ndërtimit solid që u ka rezistuar kohrave e rrebesheve të panumërta, po edhe më gjërë, në studimin e deshifrimin më të sakt të pllakës së ndërtuesit, në realizimin përfundimtar të një “Vënd pushimi” të kulturuar e historik, si mjedis i freskët dhe i qetë, fare pranë rrugës nacionale dhe qendrës së këtij fashati piktoresk….Përse mos të shpëtojë e të mbahet, si “shënjë kulture utilitare” edhe për turistët e huaj që kanë nisur të vijnë të kënaqur e të interesuar gjer këtu e të mos ketë edhe ky mjedis i lashtë fatin e keq që pati “UJËSJELLËSI I LASHTË” i Bunecit poshtë ( që furnizonte dikur anijet e huaja me ujin e pijshëm e që sot “derrdhet në det”, ndërkohë që banorët rropaten e mbledhin ujin me çisterna, nga kroje të largëta e pa ujë të bollshëm!?) dhe “MANASTIRI I KREMESOVES” lartë që u shkatërruan (të dyja) nga barbarët e kohës së Diktaturës më të egër që pa BOTA, e jo (ama) të na gënjejnë vetëm “me një tabelë !”, ku vetëm shkruhet ”Monument Kulture”, që gjoja “MBROHET NGA SHTETI!”, pa vënë fare “dorë!”, sikur i ndodhi këtij manastiri të shenjtë,gjersa mbetën vetëm muret, ndërsa ikonat me vlera maramendëse, sot ndodhen diku, në njerin prej shteteve të Europës!?
A nuk e meriton ky fshat, i lakmuar edhe nga turistët e huaj,që të bëhet diçka edhe për të, mase duke filluar prej këtij Kroi 500 vjeçar e duke e shtuar përkujdesjen reale edhe për Manastirin e Braktisur, po me këtë datim egzistence?! Ndofta edhe për Kishën e shëmbur dikur, me “fatin e saj të tmerrshëm” që sot të jetë një “shtojcë qesharake” e bashkimit të dy apartamenteve të një kohe të errët (që e rrëzoi verbërisht dhe Priftin e Xhane, që e bënte liturgjinë edhe në gjuhën e bukur shqipe, do ta vdisnin pas një muaji!)…Kur vallë,do “kthehen sytë”edhe nga PIQERASI?!
Mjeshtër i Madh- Miho Gjini
Video-Kamera nga Art IRINA HYSI.
Piqeras, më 25 gusht2023.
Burimi/Facebook


Leave a Reply