…Sot Kristaq Dhamo kishte një vjetorin e vdekjes. Familja dhe organizatorët më kishin ftuar; kisha dëshirë të isha aty, të flisja dhe unë diçka, por nuk munda. Pengun që kisha ja, po e shlyej me këtë artikull enciklopedik për personalitetin e tij të veçantë, të pazëvendësueshëm dhe imponues në kinematografinë shqiptare.
DHAMO, Kristaq (1933- ). Regjisor filmi, kritik i kinematografisë, pedagog. Lindi në fshatin Libofsh të Fierit, më 20 prill. Kreu liceun artistik “Jordan Misja”*, më 1952, dega dramaturgji, duke vënë në skenë pjesën Dëftesa e pjekurisë të K. Simonov, ku interpretuan regjisorët e ardhshëm të teatrit shqiptar Pirro Mani*, Kujtim Spahivogli*, Esat Oktrova*, Mihal Luarasi*. Studimet universitare i kreu në Institutin e Lartë të Teatrit dhe Kinematografisë në Budapest, Hungari, më 1956, dhe fill më pas u emërua në kinostudion “Shqipëria e re”*. Për një periudhë të gjatë kohe, K. Dhamo ka qenë udhëheqës artistik i kinostudios (1973-1981 dhe 1984-1992). Është regjisori që realizoi filmin e parë artistik shqiptar me metrazh të gjatë, Tana, i cili qe gjithashtu edhe filmi i tij i parë, me të cilin mbrojti edhe diplomën (1958). Ky film gjendet sot në versionin e parë, që u shfaq edhe si premierë në vitin 1958, ndërsa versioni i selektuar është zhdukur për shkaqe ende të panjohura. E shqyrtuar në kohën e vet, filmi anashkalon mjaft skema, duke u rrekur të sjellë një realitet social të besueshëm, i gërshetuar ky me një subjekt dashurie të vështirë, ku xhelozia e antagonistit kthehet në premisë konflikti me pasoja dramatike. Bashkautor me regjisorin rus Juri Ozerov xhiron filmin artistik Furtuna, një përpjekje për të dhënë tablonë epiko-heroike të Luftës Nacionalçlirimtare, por që vuante nga hapërdarja e linjave subjektore, patetika, cektësia e paraqitjes së të vërtetave historike. Pas filmit Detyrë e posaçme (1963), në vitin 1965 ekranizoi romanin e bujshëm të asaj kohe Këneta të Fatmir Gjatës*, nën titullin Vitet e para, nderuar me Çmimin e Republikës të Klasit II, si dhe me diplomë nderi në Festivalin I të Filmit Ballkanik në Varna (Bullgari, 1966) për “Regjinë e skenave masive me vërtetësi kronikale”. Në rrafshin e estetikës kinematografike, filmi solli risi për kohën dhe nivelin e mbërritur deri atëherë, duke krijuar sidomos tablo epike e skena masive, me një narracion dinamik që harmonizonte dramatiken me episodet gazmore të kantierit, duke riprodhuar fotografi etnokulturore realiste të kohës në raportet e njeriut me punën dhe transformimin e mjedisit. Në rrafshin e ideve, ai vuante nga ndikimi i fortë i klisheve ideologjike e politike të kohës me të ashtuquajturën “lufta e klasave”, “sabotimi dhe sabotatorët”, “armiku i jashtëm dhe i brendshëm” etj. Me filmin Mëngjese lufte xhiruar në vitin 1971, kushtuar fëmijëve gjatë luftës çlirimtare, optria e tij regjisoriale bëhet më e vëmendshme kundruall të thjeshtës dhe të zakonshmes në rrethana jo të zakonshme. Kjo prirje, por tashmë e pasuruar nga përvoja, mençuria dhe sensi i të vërtetës, gati shpallet si parësore dhe me atributet e një parimi estetik në filmin e bukur Nga mesi i errësirës, 1978. Përveç trajtimit të një ngjarjeje interesante, ngujimit përbrenda të ankthit që shkaktonte aksioni i dykrahshëm dhe rritjes së kureshtjes nga veprimi në ngjitje i suspansës dramatike, në këtë film të josh edhe mënyra e rrëfimit, në dukje e përmbajtur, por që vlon nga prania e situatave të panikut dhe terrorit, sikurse edhe nga përshkrimi sarkastik i intrigave që gjallonin në institucionet dhe radhët e ushtarakëve të lartë fashistë. K. Dhamo fitoi edhe çmimin për “Regjinë më të mirë” në Festivalin e Filmit Shqiptar, 1979. Nga ana tjetër, cilësia e imazhit regjisorial, kompozimi figurativ, gjetjet, ritmi i brendshëm, posaçërisht funksionalizimi i dritëhijes me kontrastet dhe kontrapunktet e menduara hollë i dhanë filmit një bukuri formale kinematografike të vlerësuar nga audienca dhe kritika. Me Qortimet e vjeshtës, i realizuar më 1981, K. Dhamo sjell një alternim të suksesshëm të kohës dramatike të pushtimit me veprimtarinë dhe karakterin liridashës të heroit (nënkupto Heroin e Popullit Qemal Stafa). Duke përjashtuar mbivendosjet ideologjike që shfaqen herë-herë në linjën subjektore dhe raportin e heroit me komunizmin, filmi është një poemë e ndjerë e plot flukse emocionale për rininë antifashiste shqiptare dhe heroin e saj idealist, fisnik, të kulturuar. Shmangia e panegjerikës dhe ekzaltimeve në perceptimin aktorial të heroit, pëlqimi i një tregimi të thjeshtë me syrin tek ana njerëzore dhe përvijimi i ëndrrës për ndryshim, ishte vazhdë e stilit të regjisorit për t’i ndërfutur “heroikes” dhe “të jashtëzakonshmes” aspektet e të zakonshmes dhe njerëzores. Filmi Vendimi (1984) shënoi një rritje të mëtejshme të artit të K. Dhamos, si dhe një sukses për kinematografinë, posaçërisht kur ai vlerësohet nga fushëpamja e strukturës filmike, e ritmit të brendshëm, e trysnisë psikologjike dhe e suspansës, me peripecitë interesante që ka. Por nga fushëpamja e brendisë ai mbetet brenda “vijave të bardha” të historiografisë komuniste, pa e tejkaluar komplimentimin e akteve terroriste që drejtuesit e Partisë Komuniste Shqiptare kryenin për të likuiduar kundërshtarët e vet politikë duke i quajtur këta të fundit “tradhtarë të popullit” etj. Me filmin Botë e padukshme, 1987, nderuar me çmimin “Aleksandër Moisiu”, regjisori i ikën temave dhe konflikteve mirëfilli politike dhe përqendrohet në proceset emancipuese të vetëdijes së njerëzve në raport me punën dhe qëndrimin ndaj saj, kritikën ndaj vesit, ambicies profesionale, shoqëruar me apelin për ndershmëri dhe sinqeritet ndaj tjetrit. K. Dhamo ka realizuar gjithsej 11 filma artistikë dhe 5 filma dokumentarë. Është nderuar disa herë me çmime të dyta në festivalet e filmit shqiptar. Si regjisor i filmave dokumentarë, ai e nisi herët karrierën me Ne u dashuruam me Shqipërinë (1959) dhe Ansambli i këngëve dhe valleve (1960), të dy të xhiruar me Gëzim Erebarën* si bashkëregjisor. Filmi dokumentar më i arrirë i tij ishte Ata nuk vdesin. Një nga lamitë ku K. Dhamo ka dhënë një ndihmesë të pazëvendësueshme dhe unike ishte ngritja e “Studios Krijuese” pranë kinostudios “Shqipëria e re” (1973), në funksionin dhe nivelin e kurseve pasuniversitare për specializime në gjedhe të ndryshme të artit të kinematografisë si regjisorë, operatorë, skenaristë, montazhierë etj. Nga kjo “Studio”, si dhe të tjera kurse specializimi të ngritura më parë pranë Institutit të Lartë të Arteve (1974-1992) u përgatitën një numër i konsiderueshëm artistësh që iu përkushtuan kinematografisë, ashtu sikundër nga përvoja e fituar u krijuan kushtet e domosdoshme për themelimin më vonë të degës së Kinematografisë në Akademinë e Arteve. Tjetër lami e pëlqyer e tij ka qenë edhe kritika artistike e studimet për dukuri, probleme të larmishme të filmit shqiptar dhe gjerazi të kinematografisë, ashtu sikundër edhe vlerësime për personalitetet më në zë, deri te recensionet dhe hartimi i zërave enciklopedikë. Në prill të vitit 2000, u nderua me Çmimin e Karrierës. Mban titullin “Artist i Popullit” (1987).
Bibl.: Kabo, Përparim: Tingull – Përse Prometheu nuk është ende i qetë, Plejad, 2008, f. 351-368. Filmi TANA, “Zëri i Popullit”, 19 korrik 1958; V. Gjika: Tana, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”; S. Afezolli: Detyrë e posaçme, “Zëri i Rinisë”, 27 mars 1963; N. Koleka: Një film premtues i kinematografisë sonë, “Zëri i Popullit”, 13 korrik 1965; P. Mitrojorgji: Gjurma, “Zëri i Popullit”, 4 maj 1970; K. Gjonaj: Trajtimi i kontradiktave jo antagoniste në filmat tanë, “Drita”, 4 korrik 1976; I. Dede: Një film me gabime të mëdha ideologjike. “Puna”, 23 dhjetor 1973; F. Kongoli: Mbi filmin artistik “Brazdat”, “Drita”, 20 janar 1974; F. Sina: Fragmente nga heroizmi i ditëve të luftës, “Drita”, 12 nëntor 1978; K. Blushi: Nga mesi i errësirës, “Në shërbim të popullit”; F. Sina: Filiza të botës së re, “Drita”, 15 gusht 1982; K. Gjonaj: Qortimet e vjeshtës: “Zëri i Rinisë; N. Lako: Vendimi “Zëri i rinisë”, 14 korrik 1984; L. Rama: Bota e gjerë e njerëzve tanë, “Ylli”, 1987/12; A. Kallamata: Personazhi dhe dramaturgjia, “Drita”, 1 nëntor 1987. L. Vujoshi: “Tana” shkollë e vazhdueshme emocionale e kinematografisë sonë, “Demokracia”, 7 prill 2001. Dhamo, Kristaq: Tana, Skena dhe ekrani, nr. 2, 1982, f. 32-33.
Burimi/Facebook


Leave a Reply