Perandori Justinian i pati dhuruar kishës së Shën Mërisë në Labovën e Kryqit një copëz druri nga kryqi i Krishtit, e cila peshonte afro 60 derhem. Ajo është sjellë në vitin 559 prej Kostandinit nga Labova, i cili ishte bashkëpunëtor i ngushtë i perandorit Justinian. Në momentin që Druri i Shenjtë mbërriti në Labovë, episkopi i Drinopojës, Kostandini celebroi një liturgji, gjatë së cilës u bë edhe shenjtërimi i kishës. Copëza prej kryqit të shenjtë peshonte rreth 152 gramë dhe ishte vendosur brenda një kutie druri të punuar hollë. Të dyja anët mbylleshin me tetë kapëse prej argjendi. Kryqi i Labovës përfaqëson një relikuar të shenjtë, që mban brenda tij kutinë me një copëz druri nga kryqi i kryqëzimit të Krishtit. Ai është punuar me argjend dhe në të dy anët paraqet skena ikonografike të gdhendura. Në njerën anë paraqitet skena e “Pagëzimit”, ndërsa në anën tjetër skena e “Kryqëzimit”. Në katër anët e kësaj skene janë punuar me mjeshtëri imazhet simbolike të katër ungjillorëve. Sipër kryqit paraqitet ungjillor Joani, nëpërmjet figurës së shqiponjës. Djathtas paraqitet ungjillor Marku, nëpërmjet figurës së luanit, ndërsa majtas ungjillor Matheu, me simbolin e njeriut. Figura e fundit është ajo e ungjillor Llukës, e cila paraqitet me simbolikën e kaut. Në vitin 1981, kur u çel Muzeu Historik Kombëtar u kërkua që kryqi i Labovës të përfshihej në eksponatet e tij, por labovitët nuk pranuan. Fatkeqësisht, në vitin 1989, kryqi është grabitur nga persona, të cilët dëshironin të fshinin nga kujtesa historike kishën, ku gjendej copëza prej kryqit të shenjtë mbi të cilin u kryqëzua Krishti.
Justiniani urdhëroi që më 8 shtator, ditën që kremtonte kisha, në Lunxhat të bëhej një panair i madh, në të cilin mblidheshin rreth 10-12 mijë njerëz. Panairi vazhdoi të bëhej në Lunxhat deri në vitet e mbretërimit të Kostandinit IV Pogonatit (668-685). Ky perandor vendosi që panairi i madh që bëhej në Pelakos (Lunxhat), të zhvendosej në pjesën e Kaonisë në vendin e quajtur Pogon (që përkonte me emrin e perandorit). Në këtë panair, që zgjaste një muaj, grumbulloheshin shumë njerëz.
Në ditën që kremtonte kisha në Labovë zhvillohej një panair i madh me pjesëmarrjen e mijëra njerëzve, të cilët vinin nga Lunxhëria, Libohova, Dropulli, Zagoria, Pogoni, Gjirokastra etj. Pasi zhvillohej ceremonia në kishë, të pranishmit shkonin në Lëmin e Valleve, ku shtrohej gostia e madhe. Panairi i Shën Mërisë zgjaste tri ditë. Në ditët e panairit pleqësia e fshatit merrte masa për pritjen e pelegrinëve. Sipas numrit të pelegrinëve caktohej sasia e mishrave, që do të piqeshin dhe çdo gjë që nevojitej për panairin. Pleqësia caktonte burra dhe djem nga fshati, që të mbanin rregullin dhe qetësinë gjatë zhvillimit të panairit. Një ditë para panairit vinin tregtarët ambulantë nga Gjirokastra dhe Libohova, të cilët tregtonin artikuj industrialë dhe ushqimorë te Lëmi i Valleve. Gjatë natës shumë besimtarë flinin brenda në kishë, duke u lutur për problemet e tyre familjare.
Nga Andre Llukani



Burimi/Facebook


Leave a Reply