Marrë nga Reuters
Të paktën 30 persona humbën jetën pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat në jug të Pakistanit të dielën. Media lokale citon një zyrtar të qarkut, i cili tha se më shumë se 80 njerëz janë plagosur në aksidentin hekurudhor.
Rreth 10 vagona të një treni pasagjerësh dolën nga shinat në distriktin Nawabshah në provincën jugore të Sindhit, rreth 275 km nga qyteti më i madh i vendit, Karaçi.
Media lokale, Geo, njoftoi se disa njerëz ishin ende të bllokuar brenda një vagoni treni dhe të tjerët ishin dërguar në spitale. Transporti me tren në rrethet e brendshme të Sindhit është pezulluar, ndërsa në zonë janë dërguar ekipet e shpëtimit.
Aksidentet janë një fenomen i zakonshëm në sistemin hekurudhor të vjetëruar të Pakistanit. Qeveritë janë përpjekur për vite të tëra që të sigurojnë fonde për të përmirësuar rrjetin hekurudhor si pjesë e nismës kineze “Një brez Një rrugë” për projektet e infrastrukturës.
Një aksident i rëndë hekurudhor në Sindh në vitin 2021 u mori jetën 56 pasagjerëve dhe plagosi më shumë se 100 të tjerë.
Burimi/Zeri i Amerikes
Leave a Reply