Më 15 nëntor, në Royal Regency Hotel, në Yonkers të Nju-Jorkut, familja Osmani organizoi pritjen për ngushëllime me rastin e ndarjes nga jeta të prindit, vëllait dhe familjarit të tyre, Osman Osmani, i cili ndërroi jetë më 18 tetor në Prishtinë.
Që nga orët e para të mëngjesit, pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, miq dhe bashkëpunëtorë të të ndjerit, në grupe të shumta, pritën në radhë për t’i shprehur ngushëllimet familjes Osmani. Pjesëmarrja ishte masive dhe dëshmoi respektin e madh që gëzonte Osmani në mesin e bashkatdhetarëve.
Ndër personalitetet e shumta që morën pjesë për t’i shprehur ngushëllime familjes Osmani ishte edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, me të cilin i ndjeri Osman Osmani kishte ndërtuar një miqësi të ngushtë dhe një marrëdhënie të veçantë respekti të ndërsjellë.
Presidenti Clinton e njihte Osman Osmanin prej vitesh dhe e vlerësonte lart miqësinë me të dhe familjen e tij. Osmani kishte qenë në vazhdimësi pranë tij, duke e informuar dhe duke biseduar për zhvillimet në Kosovë, si para ashtu edhe pas luftës, si dhe për përpjekjet dhe aspiratat e popullit shqiptar.
Gjatë qëndrimit në të pame, ish-presidenti Clinton shprehu dhimbjen e tij të thellë për humbjen e mikut dhe fqinjit të mirë. Ai theksoi se vdekja e Osman Osmanit për të ishte humbje personale, duke e kujtuar si mik të çmuar, veprimtar, filantrop dhe ndërmarrës të shquar.
Clinton qëndroi mbi një orë në mesin e familjarëve dhe të pranishmëve, duke shprehur ngushëllimet e tij për vajzat Luljeta, Vali dhe Boni, për vëllezërit Hasanin dhe Esatin, si dhe për mbarë komunitetin shqiptar.
Përveç ish-presidentit amerikan Bill Clinton, në pritjen e organizuar për ngushëllime nga familja Osmani morën pjesë edhe shumë personalitete të shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan, veprimtarë të çështjes kombëtare, miq të familjes dhe bashkëpunëtorë të të ndjerit Osman Osmani.
Në mesin e tyre ishin ambasadori i Kosovës, Blerim Reka, ish-kryetari i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joe DioGuardi, së bashku me Shirley DioGuardi, veprimtari Jim Xhema, deputeti Vedat Gashi, veprimtari Hajdar Bajraktari, kryetari i Federatës Vatra, Elmi Berisha, drejtori ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Agim Aliçkaj, chaplaini i Policisë së qytetit të Nju-Jorkut, dr. Tahir Kukaj, sekretari i Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane, Ferid Bedrolli, imami Edin ef. Gjoni, si dhe shumë personalitete të tjera të komunitetit shqiptar.
Të pranishmit kujtuan me emocione jetën dhe veprimtarinë e Osman Osmanit, përkushtimin e tij të palodhshëm për Kosovën dhe kontributin e tij në organizimin dhe forcimin e komunitetit shqiptaro-amerikan.
Në emër të familjes, vajza Luljeta dhe vëllai Hasani falënderuan të gjithë pjesëmarrësit për ngushëllimet, respektin dhe nderimin e treguar. Ata shprehën zotimin se do ta vazhdojnë rrugën dhe amanetin e Osman Osmanit.
Osman Osmani do të kujtohet si një veprimtar i përkushtuar, si një atdhetar i shquar, njëri ndër themeluesit e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe një lobist, mik i shumë personaliteteve, filantrop dhe ndërmarrës i shquar, i cili la gjurmë të çmuara në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe në përpjekjet për çështjen e Kosovës.
**Elez Osmani**



Burimi/Facebook/Gazeta Dielli – Faqja Zyrtare


Leave a Reply