Katerina Moustakelli punon në Rodos si kameriere hoteli. Ajo thotë se turistët tani janë larguar, kurse të tjerët që do të vinin kanë anuluar planet e tyre.
“Ne kemi nevojë për turistë që të kthehen. Për shkak të tyre ne jemi gjallë pasi është një ishull i varur nga turizmi,”- tha ajo për BBC Newsbeat.
“Kushdo që e viziton do të shohë dhe dëgjojë se “grekët janë të bashkuar”,- thotë ajo.
Zjarret mbërritën edhe shumë afër shtëpisë së 30-vjeçares Katerina.
“Nuk mund të marrësh frymë lehtë. Unë mund të shoh malin dhe pemët që janë djegur. Gjithë natën na është dashur të rrimë zgjuar, sepse ka ende vatra të vogla zjarri. Kisha foshnjat pranë meje dhe më është dashur t’i largoj për shkak të tymit. Është e dhimbshme,”- shton Katerina.
Imazhet para dhe pas tregojnë shkatërrimin nga zjarri
Mijëra njerëz janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre dhe të braktisin pushimet në ishujt grekë, përfshirë Rodosin dhe Korfuzin, pasi zjarret janë përhapur në të gjithë rajonin ditët e fundit. Flakët kanë shkatërruar shumë shtëpi dhe biznese në qytetin turistik bregdetar të Kiotari në Rodos.
Zjarret do të kenë ndikim shkatërrues në ishull
Në ishullin grek të Rodosit, banorët janë ngritur për të ndihmuar të prekurit nga zjarret. Antonis është një student që jeton në Archaggelos, një fshat në lindje të ishullit. Që nga fillimi i zjarreve, ai ka sjellë furnizime për të ndihmuar fqinjët, zjarrfikësit dhe pushuesit.
Por ai thotë se vullnetarë si ai nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga pushteti vendor.
“Nuk ka asnjë autoritet për të bërë organizim. Janë kryesisht mësues shkollash dhe njerëz nga fshati që po përdorin paratë e tyre për të blerë ushqime, pajisje mjekësore, maska dhe doreza,”- thotë ai.
Shumica e turistëve, shton Antonis, kanë mundur të kthehen në hotelet e tyre – me përjashtim të atyre që qëndrojnë në “pesë apo gjashtë” hotele që janë djegur.
Disa banorë vendas kanë hequr gjëra nga shtëpitë e tyre për të siguruar shtretër për turistët e mbetur, si dhe për banorët, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga zjarret.
“Vullnetarët janë vetëm. Zërat tanë nuk po dëgjohen nga qeveria greke dhe media lokale,”- thotë ai.
“Kjo do të ketë një ndikim shkatërrues në ishull, ekonomi dhe klimën,”- shton Antonis.
Cila është lidhja midis zjarreve në Greqi dhe ndryshimeve klimatike?
Zjarret e mëdha ndodhin natyrshëm në Mesdhe, kështu që është e vështirë të dihet me siguri nëse ndryshimi i klimës ka shkaktuar fillimin e një zjarri individual ose të jetë më i gjerë se aq.
Megjithatë, shkencëtarët janë të qartë se ndryshimet klimatike po i bëjnë më të mundshme kushtet e motit të nevojshme për përhapjen e mëtejshme të zjarreve.
Nxehtësia ekstreme e ditëve të fundit e përjetuar në të gjithë Evropën Jugore, për të cilën shkencëtarët thonë se do të kishte qenë “praktikisht e pamundur” pa ndryshimet klimatike ka larguar lagështinë nga toka dhe bimësia.
Pasi të ndizen, qoftë nga shkaqe natyrore apo njerëzore, këto kushte të thata sigurojnë lëndë djegëse që zjarret të përhapen me një shpejtësi të jashtëzakonshme, veçanërisht nëse erërat janë të forta.
Mënyra se si njerëzit përdorin tokën për shembull, shndërrimi i bimësisë natyrore në plantacione pyjore ose bujqësi, gjithashtu ndikon në përhapjen e zjarreve.
Kjo do të thotë se ndërsa disa pjesë të botës kanë parë një rritje të sipërfaqes së djegur në dekadat e fundit, të tjerat kanë parë një rënie.
Por megjithatë, zjarret pritet të bëhen më të shpeshta dhe më intensive në të ardhmen për shkak të efekteve të kombinuara të ndryshimit të klimës dhe ndryshimit të përdorimit të tokës.
Burimi/BBC
Leave a Reply