Me rrëfimin e mbrëmshëm të Spahiut në News24, duket se mori fund edhe zbardhja e negociatave të dështuara mes PS-së dhe AK-së. Gjëja e pare që bie në sy nga maratona 10 ditore është se palët si kurrë më parë në historinë e negociatave politike, nuk u kursyen në hollësi, duke thyer një rregull të pashkruar të politikëbërjes në Shqipëri, i cili thotë se transparenca e negociatave kushtëzohet nga parimi politik ”noli me tangere”, dmth ”mos më prek” aty ku s’duhet, nuk të prek as unë.
”Noli me tangere” u kthye në një ”bjeri t’i biem” pa rregulla e doreza, ku tranparenca aq e dëshiruar politike u kthye në një mjet lufte. Një shprehje e Eskilit thotë, viktima e parë e luftës është e vërteta. Në çastin kur Rama e ktheu transparencën në një mjet lufte, ai shpalli edhe viktimën e parë të luftës, të vërtetën.
Kush mendon se ai që sulmon i pari ka zakonisht të drejtë, pasi ai që mbrohet fsheh diçka, duhet të fillojë ta rimendojë gjendjen nën dritën e shprehjes eskiliane, viktima e parë e sulmit është e vërteta.
Nuk dua të ndalem tek negociatat në vetvete, pasi e kam bërë në një shkrim të mëparshem, por tek strumbullari i negociatave, Berisha.
Meqënëse të dy partitë nuk kanë asnjë lidhje thelbësore ideologjike apo historiko-politike, pozicionimet e tyre nuk kanë si të kenë ndonjë lidhje jashtë konjukturës politike të ditës. Me këtë nënkuptoj, që të dyja palët bëjnë vërtet pjesë tek opozita, por vetëm tek opozita konjukturale, tek e cila bën pjesë edhe FRD-ja apo parti të ashtuquajtura të djathta, qe ishin deri dje jashtë koalicionit qeveritar.
Në këndvështrimin e opozitës konjukturale, AK-ja si parti e re dhe e pozicionuar ideologjikisht dhe historiko-politikisht jashtë të majtës, do të bënte pjesë tek opozita edhe sikur në pushtet të mos ishte Berisha, por Rama. Po kështu si opozitë konjukturale çdo lloj negociate para apo paszgjedhore që do të mund të bënte me fuqitë e tjera opozitare, do të kishte për bazë parimin konjuktural.
Për të evituar parimin konjuktural, sipas të cilit edhe partitë komuniste dhe naziste, janë pjesë e opozitave e në emër te tij mund të bashkohen në të njëjtin koalicion opozitar, vendet e ndryshme europiane kujdesen që Kodi Zgjedhor t’u japë shanse partive të mos kenë nevojë ta përdorin atë parim.
Ndërkaq Kodi ynë zgjedhor është bere enkas prej Berishës dhe Ramës, që partitë të jenë të detyruara të zgjedhin parimin konjuktural, nqs duan ndonjë përfaqësim parlamentar.
Pra, strumbullari i hapjes së negociatave nuk mund të ishte asgjë e askush tjetër përpos Berishës, largimit të tij me çdo kusht.
Mirëpo cili ishte qëndrimi përkatës i palëve ndaj Berishës?
Rama shprehu tek emisioni ‘Opinion’, se ai nuk mund ta ndëshkonte Berishën, pasi kështu do e kthente në martir (dhe kjo do të ishte pikërisht e kundërta e asaj që duam).
Ndërkaq Spahiu shprehu tek News24, se kërkesa e tij ishte që brenda 100 ditëve të hiqeshin gjithë barrierat politike, të cilat ndalojnë organet e Gjyqësorit të arrestojnë Berishën, por Rama i kish thënë se Berisha nuk më preku e unë nuk e prek ( prapë i mirënjohuri ”noli me tangere”).
Në këtë mes, kuptohet qartë që edhe parimit konjuktural, i cili mbledh palët në negociata i vihet kazma, sepse nëqoftëse Berisha nuk dënohet, çfarë kuptimi ka koalicioni, përpos ndarjes së karrigeve ?
Më i humburi nga një marrëveshje ku Berishës i garantohet paprekshmëria, del padyshim Spahiu, prandaj në bazë të rregullave të cilësdo negociatë të paprinciptë, një tërheqje e tij nga ky pozicion radikal ndaj Berishës duhet të ishte kompensuar me garanci më të mëdha.
Këto garanci kompensuese ndaj ngjalëzimit të AK-së ( sepse AK-ja do të ngjalëzohej, nqs nuk merrte as ndëshkimin e Berishës e as Bashkimin me Kosovën, por vetëm karrige nga listat e përbashkëta), Rama e tha troç që nuk kishte ndërmend t’i jepte.
Z. Grid Rroji në një shkrim e ka quajtur AK-në me fat që negociatat dështuan, une mendoj se fati në këtë mes hyn fare pak, sepse përgjegjësinë për dështimin e negociatave duket ta ketë qëndrimi i Ramës, une marr gjithçka dhe s’të jap asgjë, ose prano ose do të të shkatërroj në luftë të hapur.
AK-ja shpëtoi nga ngjalëzimi, kjo është pak por e sigurtë; e shpëtoi kalkulimi i gabuar i Ramës apo intuita politike e Spahiut, kjo do të ketë ende një tis misteri, derisa lufta mes palëve të pushojë dhe e vërteta që iku dem si viktimë e parë, të rilindë ( jo si rilindja e Ramës).
Ajo që duket qartë nga këto negociata, që s’ka më kurrfarë misteri, është që fushata e vërtetë elektorale e Ramës do të jetë kundër AK-së, nqs me fushatë elektorale nënkuptojme fushatën për bindjen e atyre pak përqind të pavendosurisht që të zgjedhin nje parti dhe jo palaçollëqet e rëndomta parlamentare e institucionale, të cilat janë për argëtimin e votuesve përkatës të sigurtë.
Rama e braktisi elektoratin gri qysh me marrëveshjen e ngjalave, tashmë rruga e vetme që i ka ngelur për të shtuar përqindjet është të tërheqë drejt vetes, ata votues dikur të majtë, që militojnë në radhët e AK-së, e për të bërë këtë i duhet me çdo kusht që të shkatërrojë AK-në.
shinasi.wordpress.com
Per”Alba – Dansk” shkodrani
Leave a Reply