Me fillimin e gymnasit, ndër muejt e pushimeve verore, punësohesha sezonal n’fabrikën e konservave t’Shkodres, e me ato pare mbyllshe nevojat e mija për tesha e libra. Punët ishin t’ndryshme, por kryesisht bartshe kavanoza prej oborrit n’repart, ku puntoret i lajshin e i mbushnin me prodhime t’ndryshme. Edhe pse puna ishte e vshtirë e me turne, gazi e humori prej do “simpatikve”, ishin t’përditshëm. Emnat e pamjet e personazheve t’humorit, hallexhive e putanave, romëve e bracave, t’ftyrave me ngjyrë e verdhacukë apo t’fuqishëm si kali a t’dobtë si hardhuca, m’janë ngulitë n’kujtesë.
Salambo e Sherifja, Cafi e Domja, Noci e Isaja, popull nga t’gjitha shtresat…., që punojshi si skllav tuj u mundue me kthy “lodhjen” n’forcë me batuta humori, por edhe me ndoj seancë seksi ndër skutat e mshehta t’repartit.
Në t’gjithë ktë mori njerzish e historishë, gjaja ma interesante për mue ishte njohja me Ndoc Gacin, një burrë i pashëm e karizmatik, i fuqishëm e shumë vital, që ishte “fabrikë” batutash humori e që ishte punëtorë ngarkim shkarkimi n’magazine.
Nji ditë, ndërsa Ndoci dorzonte turnin, n’oborrin e ndermarrjes u fut nji maunë nga Durrësi që duhej ngarkue për eksport. I mërzitun Ndoci i kërkon ndihmë, me telefon, Isasë (përgjegjësit t’fabrikës) i cili na urdhnon dy a tre rinokëve me u paraqitë për punë te Ndoci, qe tuj turfullue, i paknaqun për punën që “i kishte mbet n’dorë”, na sheh tuj zgurdullue sytë i habitun e i drejtohet Isasë:
– Çka janë kta mor Isa? Jo mor burrë…., merri, … mi hiq sysh. Unë t’kërkova puntorë e jo stilolapsa….
****
Nga nji herë, për “me ndihmue” ekonominë familjare apo “me damtue” diktaturen, puntorët “merrshin” me vedi ndoj kavanoz me komposto pjeshke a qershije, me reçel fikut apo kumbulle. Ndokush me ide ma t’avancueme, vendoste brez apo rryp t’gjanë pantallonash tuj e mblue me xhaketen e punës, ku vendoste si gjerdan fishekësh kompostot.
Rreziku ma i madh ishte kalimi të roja i ndërmarrjes, që ishte nji oficier sigurimit i “liruem”, që ulej qellimisht jashtë kabinës tuj ngushtue daljen e vetme, me i ba “skopinë” gjithë puntorëve n’dalje, tuj i kqyrë rreptas mos kanë xhepat e çantat e fryeme.
Nji ditë, ndërsa Ndoci kishte lanë turnin e po bisedonte me rojen, nji puntorit që po delte mbi biçikletë, i rreshqet nga brezi nji komposto mu para kabinës …
– He mor…zogj kurvash edhe n’kavanoza keni fillue me gjuejtë..a – …kthehet Ndoci tue bertitë e tue i tregue me gisht rojes, do njerz t’mbledhun tek shkallët e repartit…
Pjeter Logoreci
Burimi/Facebook


Leave a Reply