(Shoqata “Shqiponja” në Reggio Emilia përkujton Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe çështjen Çame)
Në kalendarin e veprimtarive vjetore, shoqata “Shqiponja” në Reggio Emilia prej vitesh e ka bërë traditë të përkujtojë në qershor një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe çështjen çame, si tema që kanë të bëjnë me tërësinë territoriale të kombit tonë, të cënuar padrejtësisht nga Fuqitë e Mëdha të Kohës.
Edhe sivjet, shoqata “Shqiponja” në bashkëpunim me shoqatën “Zëri i Atdheut”, organizuan një veprimtari tematike kushtuar këtyre ngjarjeve. Bashkë me miqtë e mi Nereida Xhakolli dhe bashkëshortin e saj Renzo Bonafini, mik i përhershëm i shqiptarëve, nisemi që nga Trentino për të marrë pjesë në këtë veprimtari edhe si përfaqësues të shoqatës “Besëlidhja” në Rovereto. Presidenti i shoqatës “Shqiponja”, Klodian Cami, pas një dreke të kaluar sëbashku me gatime shqiptare në lokalin e një pronari shqiptar, ju uron mirëseardhjen edhe miqve të tjerë, si përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Cremona, të komunitetit shqiptar në Parma, gazetares dhe prezantueses së njohur të aktiviteteve shqiptare në Brescia e në aktivitetet që organizonim dikur me Federatën FNAI, Lori Duka, e cila ka ardhur bashkë me shokun e saj, Edin, personalitetit të kulturës arbëreshe Mimmo Imbrogno që vjen nga Bergamo me kitarrën që e ka pjesë të vetvetes etj.
Na jep kënaqësi takimi me shkrimtaren Lumturi Plaku, e cila ka ardhur me tren që nga Rimini, ku po kalonte pushimet familjarisht. Ajo ka me vete një valixhe me libra. Ka tre vite që nuk takoheshim me Lumen. Me pandeminë dhe periudhën pas Covidit ajo ka kaluar momente të vështira nga ana shëndetësore, por gëzohemi tek e shohim të vijë e qeshur si gjithmonë dhe në formë, me dëshirën për të lëvizur përsëri nëpër shoqata të ndryshme për të promovuar krijimet e saj më të reja. Pavarësisht sëmundjes, ajo nuk ka pushuar asnjëherë së shkruari. Madje ka krijuar një nga romanet e saj më të bukur, atë me titull “Margarita”, të cilin kam patur kënaqësinë që ta lexoj e vërtet ia vlen ta kesh në bibliotekën personale. Pasi presidenti Klodian Cami përkujton Lidhjen shqiptare të Prizrenit, kalohet në promovimin e romanit të Lumes. Ajo flet me lirshmëri për librin e saj, për krijimet më të fundit dhe për librin që ka nëpër duar, i cili është i një gjinie të veçantë.
Për cështjen çame flet zonja Shpresa Minina, drejtuese e komunitetit shqiptar në Cremona, e cila, duke qenë me origjinë çame ka një njohje të mirë të kësaj teme. Ajo sjell përpara publikut edhe elementë të kostumeve karakteristike çame.
Pastaj e pushtojnë sallën kitarra e Mimmos, i cili sjell me freskinë e zërit të tij këngë të bukura arbëreshe dhe këngëtari i ftuar për këtë mbrëmje Andi Shkoza.
Festa ndizet me këngët e vallet e bukura shqiptare dhe vazhdon me atmosferë të gëzueshme deri në orët e vona të mbrëmjes.
Ndue Lazri.





Burimi/Facebook


Leave a Reply