Ishin vitet 70-të. Nën statusin e “armiq t’regjimit” banojshim n’nji ngrehinë n’formë kulle që dikur ishte ndertue për t’strehue bagtitë e që te Arra e Madhe njihej si KULLA e Gjugjejve.
Për karshi, n’anën tjetër t’rrugës, gjëlbronte nji kopsht i madh ku binte në sy nji shpi e vogël përdhese me pus e nji kolibe e bame me drrasa t’rastit për nevojtore, që t’kujtonte ato t’kampeve t’internimit n’komunizëm.
Verës, i ulun mbas pusit, që mblohej prej gjethve t’hardhisë, mundohej me ju mshehë syve kurioz t’njerzve t’rrugës nji burrë i imtë, me sy t’qeshun, t’mbluem prej gjyslykesh t’errët e t’rrumbullakët si ftyra e tij. Ishte Arqipeshkvi i Shkodres, Imzot Ernest Çoba, i cili, mbas mbylljes e dhunimit të kishave nga komunistët, jetonte aty me t’motren e nipat, që kujdeseshin per te. Nji trim i papërkulun, që dijti me mençuni me përballue intrigat e komunistave, tuj mbrojtë me vetmohim identitetin kombëtar e Kishen Katolike shqiptare prej shkatrrimit.
Ky burrë, perveç se i rritun n’nji familje me traditë qytetare, ishte nip i gjigandit t’artit figurativ shqiptar Kolë Idromenos. N’fëminijë, unë dhe motra jeme patëm fatin e madh me marrë kungimin e parë prej duerve t’tij, por edhe msimet e Katekizmit, që u bajshin me grupe fmijësh shkodranë.
Shpesh kur shfaqesha n’dritare përshndetëshe me nji lëvizje t‘kujdesëshme dore meshtarin që, gjithmonë i buzëqeshun, ma kthente tuj lëshue n’drejtim tem bekimi i tij.
Por, ajo që pritej ndodhi. Nji ditë t’mallkueme, gazi i sigurimit rrëmbeu për t’mbyllun 25 vjet mbas hekurave, burrin e përvujtë, kryeulun, t’matun e t’palodhun ndër shërbime ndaj njerzve, martirin që vuejti e vdiq ndër tortura mizore, Imzot Ernest Çoben.
Pjeter Logoreci
Burimi/Facebook


Leave a Reply