Në ditët e pushimeve
Me gazetarin e mirënjohur Namik Dokle jam njohur që kur isha në vitin e parë të studimeve në degën e gazetarisë të Universitetit të Tiranës dhe shkoja të dërgoja ndonjë shkrim edhe në gazetën “Puna”, ku ai punonte si redaktor. Ishte shumë i sjellshëm dhe i përzemërt me bashkëpunëtorët. Gjatë viteve studenteske më takoi të njihesha edhe me tregimet e tij e me dramat që shkruante.
Pas proceseve demokratike në vend, ai u bë një figurë shumë e rëndësishme politike, duke ruajtur gjithnjë integritetin e tij si njeri publik, i ekuilibruar, korekt, koherent dhe ndjekës i interesave të vendit e të popullit. Na ka gëzuar shumë suksesi i romaneve të tij, veçanërisht kohët e fundit, duke patur shumë lexues jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, ku është përkthyer në disa gjuhë.
Për mua dhe Mozën qe një kënaqësi e veçantë ta takonim gjatë ditëve të pushimeve tona në Tiranë. U takuam në një lokal të bukur pranë sheshit “Avni Rustemi”. Me natyrën e tij të gjallë, por edhe shumë të komunikueshme e me thjeshtësinë që e ka karakterizuar gjithmonë, ai e bëri të ngrohtë e të përzemërt takimin sapo u pamë e përshëndetëm si miq. Gjatë bisedave, na tërhoqi me tregimet për sukseset e përkthimeve e promovimeve të romanit të tij “Vajzat e mjegullës”, veçanërisht në Spanjë. Folëm edhe për libra të tjerë të tij e na dha një kënaqësi të veçantë edhe me legjendat e gojëdhënat e krahinës së Gorës, për të cilat ka në projekt një libër të ri.
Nuk e kuptuam se si kalonte koha dhe u ndamë me dëshirën për t’u parë sërish në ndonjë promovim librash të tij të suksesshëm, mbase edhe në Itali.
ME ELENA STEFA DAKA E BASHKËSHORTIN, NIKOLLA
Me krijuesen e talentuar dhe intelektualen Elena Stefa Daka jemi njohur si miq virtualë. Kanë qenë tregimet e saj aq origjinale, me një botë të pasur femërore e një gjuhë plot kolorit, që na kishin bërë për vete. Por edhe poezitë spontane e kompletojnë më së miri talentin e saj. Ajo është mësuese e në tregime ka ditur të sjellë edhe krijime me vlerë nga ky profesion i bukur, duke na i bërë disa nga nxënësit e saj personazhe të njohur e të dashur gjatë leximeve.
Ndaj bashkë me Mozën i shprehëm dëshirën për të pirë një kafe gjatë ditëve të pushimeve tona të shkurtra në Shqipëri. Ajo na la takim një ditë pas mësimit tek restorant Piazza në Durrës. Një restorant i bukur dhe mjaft i preferuar. I njohur veçanërisht për prodhimet e detit, të freskëta, të gatuara me shije e të servirura me klas.
Elena erdhi me shokun e saj të jetës, Nikollën, apo Kolin, siç e thërriste me dashuri. Edhe ai mësues e intelektual i përgatitur, shumë i komunikueshëm dhe i dashur. Edhe pse i takonim për herë të parë, hymë në biseda aq natyrshëm, sikur të ishim miq të hershëm pranë njëri-tjetrit. Elena ishte shpuzë në bisedë, ashtu si në tregimet e saj. I qeshnin sytë kur fliste e tek e dëgjoja me vëmendje më dukej sikur hyja në botën e tregimeve. Edhe bisedat e zakonshme ajo i mbushte plot fjalë e shprehje të dialektit të zonës së Kavajës, duke të bërë për vete me gjithçka tregonte.
Ajo fliste për qytetin e saj, për nxënësit, për djalin e tyre të talentuar Lazarin, për vajzën Albina, që jeton në Angli e mbesën e vogël Lea, që nuk e sheh prej tre vitesh. Pastaj zhytej në bisedë me Mozën e unë e Koli flisnim midis nesh për gjëra të tjera.
Të gjitha këto nëpërmjet shijimit të një dreke shumë të zgjedhur me prodhime deti dhe me verë shumë të mirë, që ata i ofruan me shumë bujari, me atë ndjenjë të thellë mikpritjeje që i karakterizon.
Na dha shumë kënaqësi njohja nga afër me këtë çift intelektualësh e miqsh të sinqertë e të vërtetë, që dinë të shpalosin një botë të bukur e të bëjnë për vete me thjeshtësinë e dashurinë që dinë të përcjellin.
Ndue Lazri.
Burimi/Facebook
Leave a Reply