Fillimi i punës konkrete në terren
Pas gjithë asaj pune të lodhshme e voluminoze, me përgjegjësi e tepër delikate, tani kërkohej një përgatitje më vete që duhej bërë më të gjithë kuadrot e ushtrisë e veçanërisht me ata kuadro që ishin caktuar se do të merrnin pjesë në këtë operacion të vështirë, por tepër atdhetar. Për të ruajtur sekretin e planit të operacionit, njohja e terrenit apo rikonicioni, në termat ushtarakë, nuk u bë vetëm me ato njësi që do të vepronin, por edhe shumë kuadro e trupa të tjera që nuk do të ishin pjesë përbërëse e tij, duke e motivuar këtë me një porosi të Enver Hoxhës që kuadrot duhet të njohin në perfeksion, si në pasqyrë, të gjithë terrenin e Republikës.
Kjo njohje terreni vazhdoi me imtësi vetëm me ato njësi që do të vepronin, ku në shumë raste kjo u bë jo vetëm me kuadrot, por edhe me njësitë përkatëse operuese (trupa), ku pati raste që një pjesë e tyre qëndroi në këto rajone për më shumë se një muaj, siç ishin repartet e ura-hedhësve, disa brigada artileri, reparte xheniere, ndërlidhje, të Mbrojtjes kundër-kimike etj. Siç kam shkruar edhe më lart, plani për ndërhyrjen ushtarake në Kosovë ishte përgatitur me përgjegjësi e detaje tepër të hollësishme; nga repartet e njësitë që do të merrnin pjesë, detyrat që do të zgjidhnin që nga momenti i kushtrimit, kompletimi, zgjidhjen e detyrës luftarake e deri në realizimin e detyrës që ishte çlirimi i trojeve shqiptare kosovare. Por theksoj këtu se gjithçka bëhej me një sekret tepër të madh, në mënyrë që jo vetëm që plani të mos dekonspirohej (gjë që ishte e sigurt), por dhe shtabet që merrnin pjesë në këto stërvitje të mos kuptonin qëllimin e përgatitjes intensive të radhës. Në kuadër të përgatitjes për zbatimin e „Shpërthimit“, ne ishim detyruar që në stërvitje të bënim edhe manovra taktike, duke operuar edhe nga zona të jugut, me shtabe e me forca, por që vëmendja ishte në tjetër drejtim. Duke mos e quajtur me vend në këto shënime të përmend të gjitha njësitë e repartet që do të merrnin pjesë në këtë operacion, them që numri i përgjithshëm i forcave ishte …. persona, së bashku me armatimin, teknikën luftarake dhe logjistike të reparteve e njësive që do të merrnin pjesë. Në stërvitjet që nisëm të zhvillojmë merrnin pjesë komandantët e korpuseve, veçanrisht njësitë rezervë të Komandës së Përgjithshme, siç ishin grupimi i Tiranës dhe ai Elbasani, pa përjashtuar Korpusin e Korçës, të Tiranës dhe të Fierit). Bile edhe disa njësi taktiko-operative të Korpusit të Gjirokastrës, kryesisht ato sulmuese. Të gjithë kuadrot punuan në këto rikonicione (stërvitje me zgjidhje detyrash teoriko-praktike në terrenin konkret) e stërvitje me shumë preokupacion, por nuk përjashtohet mundësia që një pjesë e mirë t’i kishin rënë hiles që kjo stërvitje intensive nuk ishte thjesht një njohje terreni, por me siguri një detyrë e mirëfilltë luftarake. Për ta saktësuar më mirë këtë ide, mund të kujtoj një mendim të shokëve Simon Ballabani dhe Fadil Toçi, që gjithmonë në biseda intime shpreheshin se në këto detyra nuk qenkemi vetëm në rezervat e Komandës së Përgjithshme, por edhe fqinjët tanë në krahë dhe shpinë.
Thirrja nga Mehmet Shehu në shtëpinë e tij dhe”asgjësimi i materialit”
Meqenëse për momentin zbatimi i planit për ndërhyrje ushtarake në Kosovë nuk u zbatua (mosrënia dakord e drejtuesve të shtetit shqiptar me kushtet e vëna nga drejtuesit e Traktatit të Varshavës), numri dhe intensiteti i stërvitjeve ra, ndërsa plani do të arkivohej.
Mbas 4-5 ditësh thirremi unë dhe Maliq Sadushi në shtëpinë e Mehmet Shehut, ku na dha sqarimet përkatëse se ky material nuk u miratua nga shoku Enver për kushte objektive, që ju si hartues nuk do t’i bëni prezent tek askush. Duke na u drejtuar ne, Mehmeti tha: “Prandaj, ky material do të digjet me anën e një procesverbali“. Por një kopje e tij, -vazhdoi më tej Mehmet Shehu, – do të ruhet në kasafortën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Mbaj mend se Mehmeti në ato çaste lëvizte nëpër zyrë, duke mos e fshehur edhe një shqetësim që i buronte nga brenda. Më pas na u drejtua mua dhe Maliqit: “Hajdeni, më pështyni në varr nëse nuk do të vijë dita që ky plan të mos ju duhet përsëri! Në të vërtetë, që në momentet e para kur nisi lufta në Kosovë, vite më vonë, ku unë isha që në fillim atje e në trevat e tjera shqiptare deri në përfundim të luftës, mua më është kujtuar disa herë ajo shprehje e Mehmetit atë ditë. Por, fatkeqësisht, atë ditë, çlirimin e Kosovës, që e ëndërroi e punoi jo pak, Mehmeti nuk e arriti.
U përgatit procesverbali dhe u firmos nga ne se ky material u asgjësua me djegie në zjarr. Kasafortën me materiale e mora unë, kurse çelësat e kësaj kasaforte i mbajti Mehmet Shehu. Pra, ky material tepër sekret dhe i rëndësisë së veçantë nuk mund të dilte e të vihej në zbatim pa qenë të dy autorët që mbanin çelësat. Por kurrë nuk më kishte shkuar në mend që po ky material i punuar me kaq sakrifica dhe i kaluar vetëm në duart e udhëheqësve kryesorë një ditë do të bëhej mollë sherri dhe do të kërkonte kokën time në sini si kokë turku.
(Saktësim: Në shënimet e mia, diku përmend edhe hetuesin Ferit Sula (ish-zëvendësdrejtor i Hetuesisë së Përgjithshme) që gjatë hetimit më hodhi në fytyrë kanën me ujë, por si pasojë e një gabimi teknik nga unë, është shkruar emri Ferit Hysa. I kërkoj ndjesë familjes së Hysës. V. Ll. ).
05/02/2006
KATEGORIA: Dossier
Sekretet që ruhen edhe pas 26 vjetësh?!
Veli Llakaj
Dosier Nr. 16 (Veli Llakaj)
Ekskluzive/ Veli Llakaj, një nga dy hartuesit e planit për ndërhyrje ushtarake në Kosovë, në këtë numër tregon për stërvitjen e korpuseve, grupimeve e reparteve autonome të vendit që ishin planifikuar për zbatimin e operacionit të koduar „Shpërthimi“. Njëkohësisht, ai tregon fatin e planit dhe porosinë e Mehmet Shehut gjatë kyçjes së planit në disa kasaforta.
Edhe pse kanë kaluar plot 26 vjet nga hartimi i planit për ndërhyrje ushtarake në Kosovë, (çlirimin e saj) hartuesit e tij, ende disa hollësi vazhdojnë t’i mbajnë sekret, duke mos e gjykuar të arsyeshme t’i bëjnë publike tani. Në arkivën personale të ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Veli Llakaj, për periudhën 1974-1982, ndodhen dhe tre kapituj të veçantë (shënime) që ai na kërkoi të mos jenë pjesë e dosierit në vazhdim. Në dy prej tyre bëhet fjalë për takimet (dy të tilla) që autori dhe Mehmet Shehu kanë bërë me ish-kreun e Traktatit të Varshavës, Viktor Kulikov, lidhur me idenë e zbatimit të planit të ndërhyrjes në Kosovë. Ky fakt, pra, këto takime (të bëra në kohën kur Shqipëria kishte dalë nga Traktati i Varshavës dhe e kishte denoncuar atë), ndonëse është përfolur edhe në median vendëse dhe të huaj këto vitet e fundit, (kushti: “Nuk do të ndërhyjmë në operacion, por pas tij rikthehuni në Traktat…”), ushtarakët madhorë shqiptarë e gjykojnë të mos japin detaje. I këtij mendimi është dhe bashkautori i planit „Shpërthimi“, Maliq Sadushi. Duke qenë të përgjegjshëm për detyrat e larta shtetërore që kanë pasur, edhe kërkesa e mësipërme erdhi pas një konsulte që Llakaj e Sadushi bënë këto ditë.
Ndërsa kapitulli i tretë në vazhdim bën fjalë për numrin e reparteve dhe njësitë që ishin planëzuar e përgatitur për të kryer veprimet luftarake në tokën kosovare, numrin e forcave dhe drejtimet konkrete të operacionit që do të kryenin. Megjithëse pas vitit 1990, veçanërisht në trazirat e 1997-ës, nga shumë institucione shtetërore, përfshi edhe Ministrinë e Mbrojtjes, sekretet dolën sheshit, në respekt të ligjit e detyrës që kanë pasur hartuesit e „Shpërthimi“, nuk duan të jenë pjesë e shkeljes apo neglizhimit të ligjit. Ndërsa shkaku i arkivimit të planit për një moment tjetër të përshtatshëm, për ushtarakët është problem i politikës dhe udhëheqjes më të lartë shtetërore të kohës.
Ndërkohë, shënimet e publikuara në numrin e sotshëm të gazetës nga Llakaj, bëjnë fjalë për vitin 1980, kohë në të cilën sapo kishte përfunduar plani për ndërhyrjen ushtarake në Kosovë, ishte bërë konsulta me Enver Hoxhën e nisin përgatitjet për aftësimin e shtabeve dhe trupave për detyrat e përcaktuara në këtë plan.
Kujtim Boriçi
Nesër do të lexoni:
-Vetëvrasja e Mehmet Shehut dhe ç’u bë me planin „Shkatërrimi“.
-Aksioni i Kiço Mustaqit e Ramiz Feçorrit për shpartallimin e kasafortës së „minuar”, ku ruhej plani për ndërhyrjen ushtarake në Kosovë.
-„Shkatërrimi“, akuzë për Llakajn në Komitetin Qendror etj.
Marre nga Arkivi
Per”Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply