~Me rastin e 23 Prillit~
~
Në një familje katolike me mjaft za si fis,
U lind Gjergji, në Kapodokia të Armenisë.
Ai që në moshë të re e tregoi zgjuarsinë,
Prindërit e dërguan në akademi ushtarake në Palestinë.
.
Në atë vend që ishte nën Perandorinë e Romës,
Gjergji u bë ushtaraku më i lavdishëm i kohës.
Me aftësi të ralla luftarake me shpatë në bel
Shumë shpejt e fitoi gradën kolonel.
.
Perandor Diokleciani famëkeq, ishte Ilir me origjinë,
Luftonte fenë e Krishtit në çdo qytet e krahinë
E Gjergji u vetshpall “Oficer i Krishtit” në ushtri.
I mbetur jetim ua shpërndau të varfërve pasurinë.
.
Me shpirt të paepur prej të guximshmi,
E grisi me forcë dekretin kundra kishës së Krishtit,
Në Nikodemia, mes sheshit pa pas frikë
Se ai dekret do i sillte rreziqe të mëdha një ditë.
.
Kaloi gojë me gojë, vepra e oficerit Krishtit në legjenda
Me ato vështirësi që tepër rrallë i shkruan pena,
Luftoi me atë fuqi që i dha Hyji mbi kuçedër
I stuhishëm shpirtmadh e me mjaft sedër.
.
Me vra atë kuçedër ishin ba përpjekje, por më kot,
Kuçedra donte dy dele në ditë, ose një njeri me short,
Një ditë Gjergji u ndodh aty në Selena
Ku princeshë Klodiana kishte shortin ta hante kuçedra.
.
Mbreti për të bijën kishte premtua,
Gjysmën e pasurisë, veç jetën të bijës me ia shpëtua,
Po ashtu edhe gjysmën e sundimit në Mbretni
Por askush s’kish mund me e ba atë trimni.
.
Princesha thërriste me ulërimë e britma tue kja,
Çfarë të keqe, o fatzeza unë, paskam ba,
Me më hangër kuçedra, sot shorti më paska ra.
Atë skenë aq makabre e terrori Gjergji e ka pa.
.
Mbi kalë të bardhë pa e kursye veten
Shën Gjergji bani kryq e ju vërsul kuçedrës.
Në luftë të tmerrshme me shpatë e heshtë,
E lidhi përbindëshin për fyti me brezin e princeshës.
.
Njerëzit prej trishtimi filluan në panik me ikë,
Pagëzojuni në Krishtin – tha Gjergji: S’do keni frikë.
Kryet kuçedrës Gjergji ia ka pre e copëtua
Aty për aty pesëmbëdhjetë mijë vetë janë pagëzua.
.
Mbretit nuk i mori për vete asnjë shpërblim.
Ua ndau të varfërve të gjithë atë fitim,
Posaçërisht të varfrit e pastaj dhe heretikët
Tue nderua gjithnjë e më shumë klerikët.
.
Për ngjarjen në Nikodemia që pati grisë dekretin
I filluan torturat me urdhër të veçantë të Mbretit,
Me metoda të paimagjinueshme me siklet,
Tue vazhdua torturat për më shumë se shtatë vjet.
.
Në aq shumë mundime në gjithë atë tmerr
Shën Gjergji e bënte shenjën e kryqit çdo herë,
Thërriste: O Jezus, udhërrëfyesi im je ti,
Vetëm prej teje, po e marr të gjithë këtë fuqi.
.
E hodhën Gjergjin në gropë të gëlqeres të pashuar,
E lidhën në rrota me thika tu e rrotulluar,
E mbathën me këpucë hekurit të skuqur në furrë
E fshikulluan me rripa lidhur këmbë e duar.
.
E rrahën me varre të shtrimë mbi mermer,
E mbajtën me hekura në krye mbi humnerë,
E lëshuan në kazan të vajit që ziente valë,
Ia thyen të gjitha kockat me radhë.
.
Por Hyji bani mrekulli që Shën Gjergji pa ngurrim,
Fitoi si oficeri i Krishtit mbi të gjithë atë tundim,
At botë salvuesit e fesë së Krishtit vepronin në çdo anë,
Mohimin e Jezusit dhe me nderua zotat paganë.
.
Perandori u zemërua e me atë shpirtin e tij të ndytë
Urdhëroi që kolonelit të Krishtit me sopat t’ja prenin kryet.
Ishte vjeti 303 me datë 23 të muajit Prill
Kur shpirti i Shën Gjergjit shndriti në Qiell.
.
Kostandini i madh, për t’i dhënë këtij shenjti lavdi,
Mbi varr i ndërtoi kishën madhështore në Palestinë.
Në ato vite të furishme në Kostandinopojë
U shuguruan disa kisha ndër ta,
të Shën Gjergjit në Stamboll.
.
Jeta e shenjtit Shën Gjergj kaloi nëpër legjenda,
Por sikurse dihet, legjendat të vërtetën e kanë brenda,
Festa përkujtohet në Shqipëri, në Europë, anë e mbanë
Në të gjitha besimet katolikë, ortodoksë e islam.
,
Për ato mrekulli të shumta që nëpër shekuj ka ba
Kulti i tij nderohet nga besimtarët e shumtë, pa nda,
Si shenjt, oficer, luftëtar e mbrojtës i Krishterimit,
Pajtori i dashtur i kishës dhe mbarë njerëzimit.
.
Gjeto Turmalaj
New York 2003
Burimi/Facebook


Leave a Reply