Nga Laureta Petoshati
Sikur tërmeti të më ketë rënë,
unë dukem si një hënë e ngrënë.
Por s’e vras mendjen për t’u dukur,
ndihem e bukur, shumë më e bukur!
Hedh një hap, pastaj ngatërrohem,
për shumë gjëra shpesh vonohem.
Koha ka ngecur, diejt janë strukur,
por ndihem bukur, shumë më e bukur!
M’u thinjën flokët, m’u rrudh fytyra
si shkretëtirë nga thatësira.
Oazet brenda shpirtin kanë zbutur,
ndihem e bukur, shumë më e bukur!
Lotët që derdha më kanë shëruar,
dhimbjet që pata më kanë kthjelluar.
Në mjegull shpresa s’më ka humbur,
ndihem e bukur, shumë më e bukur!
E zhveshur jam nga xhevahiret,
por koha m’i ka shtuar hiret.
Nga çdo tepri jam e shkëputur,
ndihem e lirë, ndihem e lumtur!
© Vlorë më 30 mars 2023
Piktura nga William Meade Prince
(American, 1893-1951)
Woman Standing at Office Door; Illustration
Burimi/Facebook


Leave a Reply