E kisha ëndërruar gjithnjë këtë udhëtim për të shkuar në shtëpinë e lindjes së Artur Rembosë, në djepin e “ profetit të poezisë ”, për të ndjekur rrugët e tij, për të shkelur të njëjtat sheshe e lëndina, të ngjitesha dhe të shikoja nga dritaret e asaj shtëpie lumin përballë, shelgjet dhe pemët e larta, kalldrëmet e sheshit të dukëve në “ Place Ducale ”, kishën Saint-Remy ku ai ishte pagëzuar dhe ku 37 vjet më vonë në një ditë nëntori të vitit 1891, kishin sjellë arkivolin e tij për të kënduar psalmet e largimit nga kjo botë. Ishte një ëndërr imja që më nderej prej vitesh, që në vitet universitare, me një portret të tij në komodinën e krevatit të vizatuar nga Picasso, një imazh i çuditshëm që nuk më shqitej edhe pse në ato kohë vështirë ti kuptoja dehjet e tij dhe shpërthimet poetike. Dhe pas kaq shumë vitesh, më së fundi shkova, edhe pse vonë, edhe pse në Paris kisha shkelur në rrugët e tij mitike, kisha qenë në bistrotë ku pinte me mikun e tij intim, poetin Pol Verlen, në hotelet ku kishte qëndruar në Paris, në kopshtet e Luksemburgut, Rue Buci, Odeon dhe shëtitjet buzë Senës ku do të shkruante për urat, katedralet dhe ku sot, dy hapa larg Senës ështê ai shteg plot pemë që mban emrin « Allée Rimbaud ». Kështu mora trenin që shkonte për në Reims, ku dikur martoheshin mbretërit francezë e më pas iu drejtova Charleville-Mezières, qytetit të tij të lindjes, jo larg nga kufiri me Belgjikën. Frynte erë dhe bënte ftohtë në ato ditë të fundit të shkurtit. Peizazhet shkisnin nën diell dhe duke parë ato fusha të pamata, me kodrina të vogla e të gjelbërta, ku shquheshin fermat dhe stallat fshatare, nisa të imagjinoj ato rrugë province që merrte poeti i ri nga Parisi për të shkuar me këmbë në shtëpinë e tij në Charleville, duke ecur ditë të tëra, duke ndjekur udhëtimin e hënës dhe fjetur nëpër kasolle apo mullinj bari e ku diku kishte parë një njeri që në dukje flinte. Por jo, ai nuk flinte. Ishte një i vrarë, një njeri i popullit, vrarë nga lufta franko-prusiane e vitit 1871, shtrirë mbi tokë, për të cilin shkroi dhe poezinë e tij të mrekullueshme « Le dormeur du Val » :
“ Me këmbët në gladiola, ai flë. / I qeshur, si qeshja në gjumë e një fëmije të sëmurë: / O, natyrë, përkunde me ngrohtësi: ai ka ftohtë. ”
Treni shkonte duke ndaluar në Bazancourt e Rethel, gjersa më së fundi mbërrita në stacionin e trenit në Charleville, tek i njëjti stacion ku shpesh Rembo kapte trenin për të shkuar në Charlerois, Ostende apo Bruksel të Belgjikës. Sapo lë stacionin e trenit dhe bën përpara përmes parkut, ndesh menjëherë monumentin e Rembosë në moshë të re, një monument ku në gjoksin e tij shkruhej titulli i poezisë “ Beateau ivre ” (Anija e dehur). Dhe ti thua: Përshëndetje gjeni ! E pastaj ti vazhdon më tej duke hyrë në rrugët e qytetit, duke shkelur të njëjtat rrugë si dhe ai dikur, duke përjetuar legjendën më të bukur të poezisë, pasi ngado që të shkosh në këtë qytet do të ndeshesh me portretin e tij fotografuar në Paris nga Carjat: diku në një bistrot, në emrin e një rruge, në sallonin e një berberi, në hyrjen e dyqanit të bukës dhe të ëmbëlsirave, në sheshin dukal, në galeritë e ndryshme dhe gjithë kjo të bën të kuptosh se banorët e këtij qyteti e kanë bërë njeriun e tyre më të dashur : e adhurojnë, madje ai është bërë krenaria e tyre, çka rrallë mund ta gjesh këtë admirim në një qytet tjetër të botës, pasi dhe në stolat buzë lumit Meuse ku njerëzit ulen në ditët me diell dhe ku të tjerë vrapojnë nën hijet e pemëve, edhe aty janë shënuar vargjet më të bukura të poetit. Një qytet i poezisë, i dashurisë poetike të cilit iu përkushtua dhe Patti Smith, dhe kjo në sajë të një djaloshi që shkroi vetëm pesë vjet poezi në jetën e tij. Pesë vjet veç vargje ari !
“ Musée Rimbaud ” është një ndërtesë e bukur, dikur një mulli i qytetit, i ngritur mbi lumë. Ujrat shkojnë poshtë tij, ndërkohë që sipër janë sallat e ndryshme të muzeut me reliket e poetit, fotografitë, objektet, një shtrat i thjeshtë indigjen në të cilin flinte dikur në Abisini, një muze me letrat shkruar nënës Vitali, motrës Izabela, miqve të tij, veçanërisht Verlenit, me origjinale të poezive të vëllimit “ Një stinë në ferr ” apo të prozës poetike “ Illuminations ” (Përshndritje) ; me tablotë që kanë pikturuar me portretin e tij si Picasso, Fernand Leger, apo të piktorëve belgë, flamandë, etj. Eshtë “ legjenda Rembo ” që i kënduan shumë këngëtarë e bardë të botës, një itinerar ku mund të udhëtosh në jetën e poetit, në trishtet dhe dhimbjet e tij të mëdha, në zhgënjimet e shumta e gjer në fundin e tij tragjik të kthimit në Marsejë ku i pritet këmba e gangrenizuar dhe ku më së fundi ai vdes.
Kur del nga muzeu të rreh flladi i lumit pranë. Përballë, në anën tjetër të trotuarit është shtëpia e tij, në një ndërtesë trikatëshe ndërtuar para një shekulli e gjysmë. Rruga në fillimet e shekullit XX quhej Quai de Madeleine ndërsa tani ajo quhet “ Allée Rimbaud ”, duke marrë kështu emrin e poetit. Këtu poeti kaloi adoleshencën e tij, nga këto dritare vështroi botën, u deh me natyrën, dhe i dehur me boheminë e tij (Ma bohème) ai nisi udhët e ëndrrave dhe imagjinoi mirësinë, ardhmërinë e njeriut dhe të botës, këndej ikte në bredhjet e tij drejt Parisit, Brukselit, Londrës. Shtegtar i përjetshëm! Përballë këtyre dritareve përjetonte magjinë e natyrës, ndërrimin e stinëve, dëborën e madhe, shpërthimet pranverore apo duhitë e erës me gjëmimet dimërore. Këtu lindej gjeniu ! Një shtëpi që mbajti shumë dhimbje, ndarje, me një familje ku i ati, kapiteni Rimbaud, që rrahu Afrikën dhe luftoi në Krime, iku dhe nuk u kthye më ; ku një motër e Rembosë vdiq dhe ku më së fundi u kthye dhe arkivoli me trupin e Rembosë që larg nga brigjet e Detit të Kuq. E imagjinoj gjithnjë atë skenë të tmerrshme për nënën dhe motrën e tij, kur rreth Rembosë së vdekur, 8 fëmijë këndonin në kishë këngën e largimit dhe ku rreth arkivolit qëndronin 20 fëmijë jetimë. Pastaj, nëna dhe motra, të vetme, veshur në të zeza, ndiqnin karrocën e vdekjes drejt varrezave të qytetit. Asnjë fjalim, asnjë përshëndetje për poetin e madh, çka të kujton vdekjen e Mozartit, pasi dhe kompozitori i madh u varros në vetminë më të plotë. Vallë kështu ishte fati i gjenive ? Kështu do ndodhte dhe për Oscar Wilde që vdiq i vetmuar në një hotel Parisian buzë Senës në Rue des Beaux Arts?
Për të shkuar në varrin e Rembosë duhet të marrësh një rrugë në ngjitje, në krahë të shtëpive të fundit të qytetit, paralel me lumin që shkon anash për të dalë në cep, ku menjëherë të shfaqet hyrja e varrezave me atë portë të madhe hekuri, nën atë hark ku hyn dhe nuk kthehesh më. Sapo kapërcen pragun, e shikon menjëherë varrin e bardhë me një tabelë anash ku shkruhet : “ Varri i Artur Rembosë ”. Eshtë një parcelë e varrezave anash një qiparizi të vogël ku janë dy stela pranë e pranë, sup më sup, sikur të duan të mbajnë njëri-tjetrinajo e Rembosë dhe tjetra e motrës së tij Izabela, motrës së përgjëruar që e deshi aq shumë duke e konsideruar atë si një lloj shenjti. Dy stela të bardha që ke dëshirë ti prekësh, poshtë të cilave prehen eshtrat e tyre prej më shumë se një shekulli. Shikon varrin e Rembosë dhe mendon për cfilitjen e madhe të atij poeti që e deshi aq shumë poezinë e që pesë vjet më vonë e braktisi për të ikur larg, pasi poetët e parnasit parisian nuk e pranuan në rrethin e tyre, nuk e deshën atë çunak, madje e përbuzën dhe e përfolën, pa kuptuar se në sytë e atij poeti fshihej një gjeni i poezisë. Dhe atëherë kujton britmën e tij kur shkroi frazën emblematike shkroi: “Poeti është nje vjedhës zjarri. Ai është i ngarkuar me këtë detyrë nga Njerëzimi!” Ç’mision i madh për poetin! Zgjas dorën dhe prek stelën e bardhë të varrit në një lloj përshëndetje të heshtur nga një banor i largët dhe një ashik i poezisë që vjen nga larg deri këtu nga brigjet e Adriartikut. Do doja ta ndjente këtë prekje, këtë dashuri, për ta falenderuar për përkushtimin e tij ndaj poezisë, për njeriun që ndërtoi figurat më të bukura të botës.
U largova vonë nga Charleville, me trenin e fundit. U largova me librin në duar që kisha shkruar për të. Aty ishin vargjet e « Njê natê në ferr » dhe « Përshndritjet ». Nata kishte kohë që kishte rënë dhe parkun me monumentin e Rembosë e kishte mbytur errësira. Por portretin e Rembosë e gjeta sërish në muret e stacionit. Rembo, gjithjë Rembo dhe kudo Rembo, ç’legjendë e bukur! Dhe një çast imagjinova qytetin në dëborë. Po, binte borë, por në fakt ishin vargje qê shkruheshin nga një dorë e artë… Përsëri rrugë, rendje, pa imazhe, gjithnjë nëpër errësirën e natës së vonë pa hënë, pa lëndina e zogj, e megjithatë, në imagjinatën time, Remboja i ngjizur në retinën e syve të mi, rishfaqej në gjendjet e tij të shumta, me dehjet dhe revoltat e tij, me britmat e tij për Komunën e Parisit, me shtegtimet e tij të gjata drejt Londrës, Brukselit, në Brêmen, Kopenhagen, Stokholm, dhe udhëtimin e tij të largët drejt Indonezisë. Po, shtegtimet e tij ishin të pafund, nga Italia në Aleksandri e pastaj në brigjet e Detit të Kuq, në Aden dhe Harar e pastaj në thellësitë e Abisinisë mes tribuve. Bota e pashkelur nga europianët në origjinën e saj. Ç’udhëtar i madh me pasionin për të zbuluar vende dhe njerëz larg qytetërimeve të Europës. Rembo, ishte kështu një udhëtar i botës që padyshim do të vazhdonte udhëtimet e tij nëse sëmundja e gjurit nuk do ta kishte ndalur, nëse vdekja nuk do të trokiste kaq shpejt në jetën e tij. Megjithatë, ai kishte kohë që e kishte shkruar artin e tij poetik. Shpejt bota do të zbulonte gjeniun. Dhe ajo më së fundi e zbuloi dhe e vuri në piedestalin më të lartë të artit poetik !
Vonë, afër mesnatës, shkel në kalldrëmet e Gare de l’Est në Paris duke risjellë në mëndje shprehjen e Verlenit për të dashurin e tij :”Kujtimi i tij është si një diell që djeg brenda meje dhe nuk do të shuhet!”
Qyteti flinte por e dija që monumenti i tij pranë Bastijës qëndronte me fytyrën e djaloshit 17 vjeçar. Kundronte qiellin me yje. Edhe ai kishte krijuar konstelacionin e tij të yjeve, konstelacionin e jashtëzakonshëm të vargjet ku “zanoret” vallzonin atje mbi kubenë qiellore nê Charleville:
Në kishën Saont-Remy
tetë fëmijë këndojnë psalme për Rembonë e vdekur
Ave Maria, ave Maria…
këngë trëndafilësh nga zëra hyjnorë,
njëzetë fëmijê të tjerë jetimë rrethojnë arkivolin
tek mbajnë dhimbjen e qytetit mbi shpinë
më të rëndë se plumbi,
poeti ngjan se ende kërkon këmbën e tij të prerë
që të marrë sërish detet
por bohemia përfundoi
murgeshat e fundit të Marsejës
e puthën në ballë, lamtumirë poet!
Artur Rembo s’do ti shohë më qiejt
s’do mund të rendë serish drejt Yllit të Mëngjesit,
kambanat ranë,
veç nëna dhe motra ndjekin pas karrocën e vdekjes
veshur me rrobën e rëndë të zisë
kështu kishte shkuar para tij Mozart
kështu do tê shkonte pas tij dhe Oscar Wilde…








Burimi/Facebook


Leave a Reply