Sabina Kasimati lindi më 15 shtator 1912 dhe ishte bija e dytë e doktor Abdurrahman Kasimati (1865-1943), nga Libohova dhe Zehra Mbreshtanit, të vendosur në rrethin e Edirnesë që pas shpalljes së kushtetutës më 1908.
Pas një viti, familja u zhvendos në Shkodër ku i ati, doktor i njohur, shërbeu në vitet 1914 – 1915.
Në vitet e Luftës së Parë Botërore, familja u vendos në pronat e veta në Verie, pranë Selanikut.
Pas shkëmbimeve të popullsive mes Greqisë dhe Turqisë, familja u kthye në Shqipëri duke rrezikuar edhe pronat e veta.
Më 1927, së bashku me familjen e saj u vendosën në Korçë, ku familja u rehatua dhe fëmijët vijuan shkollimin.
Sabihaja me motrat frekuentuan Liceun Frëng të cilin e përfundoi më 1931 – duke qenë vajza e parë që kreu atë lice.
Sabihaja do të renditej e dyta në klasë për rezultatet e saj. Në provimet e vitit të fundit ajo vlerësohej me 269.4 pikë nga 352 pikët maksimale dhe vlerësohet me “As Bien”.
Pas mbarimit të liceut, punoi si mësuese në Normalen Femërore të Korçës, ku dha edukatë morale dhe gjuhë frënge.
Më 1932, u emërua në Shkollën Amerikane të Kavajës (1932-1933) ku jepte biologji.
Sabiha u rikthye sërish në Lice, më 3 tetor 1933, por tashmë si mësuese në klasat e ulëta të tij.
Pas dy muajsh qëndrimi në Korçë, Sabihaja dha dorëheqjen për shkaqe shëndetësore. Ajo u transferua nga Ministria e Arsimit pranë Institutit “Nana Mbretneshë”. Aty Sabiha punoi si mësuese e gjuhës frënge.
STUDIMET NË ITALI…
Në verën e 1936, asaj iu akordua një bursë shtetërore për studime në Itali, ku u regjistrua për të studiuar në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Universitetin e Torinos.
Sabihaja u diplomua në vitin 1940 me rezultat maksimal, me notat 30’/30 (trenta su trenta con lode).
Kasimati zgjodhi si fushë specializimi iktiologjinë dhe doktoroi me temën “Fauna ittica di acqua dolce d’Albania” (Fauna iktike në ujërat e ëmbla në Shqipëri).
Udhëheqja e Universitetit i ofroi asaj pozitën e asistentit në degën e iktiologjisë, por propozimin e tyre ajo nuk e pranoi dhe u kthye në Shqipëri.
KTHIMI NË SHQIPËRI
Me kthimin në Shqipëri, më 13 nëntor 1940, Sabihaja nisi punë në Institutin Pedagogjik Femëror “Donika Kastrioti”, pasi fitoi konkursin e zhviluar.
Ajo u emërua ndihmës-sekretare në grupin A (grada XI) të personelit të administratës arsimore dhe më 24 korrik 1941 fillon punë.
Më 1 dhjetor 1942 u bë pjesë e trupës mësimore të Institutit “Nana e Skënderbeut”, si mësuese e shkencave dhe e kimisë.
Në maj të 1943, Sabihaja u largua nga mësimdhënia për shkaqe shëndetësore, pasi vuante nga tuberkulozi.
Ajo vajti të kurohej në sanatoriumin anti-tuberkular në Bolzano në Itali, prej ku u kthye më 1945.
Gjatë kohës që punonte si mësuese në Institut, ajo pati një bashkëbisedim me Koliqin, kryetar i Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare.
Pas bashkëbisedimit i dërgoi një letër/raport këtij të fundit, ku i paraqiste një projekt të mirëfilltë shkencor me disa pika.
Marrëdhëniet e Kasimatit me institucionet shkencore në Shqipëri nisin në janar të vitit 1943.
Ajo kërkoi të ngrihej pranë Institutit të Studimeve Mbretërore: një koleksion zoologjik duke filluar me Iktiologjinë, fushë për të cilën kishte studiuar në Itali vitin e dytë të studimeve dhe kishte mbrojtur temën e diplomës; një “erbario pasi flora shqiptare ka ngjallur interesim të botanistëve të shquar europianë, sidomos atyre gjermanë”; të vendosej një bashkëpunim i ngushtë me Drejtorinë e Minierave, për të bërë një grumbullim të mineraleve dhe fosileve që gjendeshin në shtresat e tokës në Shqipëri.
Për realizimin e projektit nevojitej krijimi i një biblioteke e posaçme me vepra shkencore, bibliografinë e së cilës ajo e kishte përgatitur tashmë.
Krahas bibliotekës, Kasimati propozonte edhe ngritjen e një laboratori studimesh mikroskopike që do të mundësonte kërkime shkencore relative.
Në mbledhjen e 18 shkurtit 1943 Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare vendosi të krijojë pranë Institutit një muze të shkencave, për përgatitjen e të cilit ngarkoi pikërisht atë.
Sabihaja lidhi kontratë si punonjëse pranë Institutit në 22 shkurt, duke marrë shpërblimin prej 200 frangash.
Nisi bashkëpunimin me Selahydin Toto, me qëllim të organizimit të Institutit të Shkencave në Tiranë.
U emërtua specialiste zoologe, e specializuar në iktiologji.
EKSPOZITA PRANË MUZEUT TË SHKENCAVE TË NATYRËS….
(Puna gjatë regjimit komunist)
Sabihaja e vijoi kërkimin shkencor edhe gjatë viteve të para të regjimit komunist.
Në mbledhjen e Institutit të Studimeve gjatë 13 prillit 1946, Sabihaja mori pjesë së bashku me figura të tjera të shquara akademike sikurse ishin: Kostaq Cipo, Mark Ndoja, Selahydin Toto, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Gjergj Komnino, Gjergj Ashta, Jonus Tafilaj, Hasan Ceka dhe Nikolla Lako.
Mbledhja u drejtua nga Sejfulla Malëshova, ministri i Arsimit. Mbledhja kishte për qëllim analizimin e veprimtarisë së kryer gjatë vitit 1945, prezantimin e planit të ri të punës dhe paraqiti ekipin e ri që do të drejtonte Institutin e Studimeve.
Sipas procesverbalit të mbledhjes, nga viti 1945 deri më 1946, Sabiha Kasimati punoi së bashku me Gjergj Komninon, në grupin e drejtuar nga Eqrem Çabej, për përgatitjen e skedave të gjuhës shqipe, për terminologjinë e shkencave të natyrës.
Më 28 janar të vitin 1947, Këshilli i Ministrave me vendimin numër 16, vendosi “riorganizimin e Institutit të Studimeve Shqiptare në një ent autonom të lidhur drejtë për së drejti me Këshillin Ministror”.
Instituti do të funksiononte me një rregullore të përkohshme. Përgjatë vitit 1947 anëtarë të Institutit ishin vetëm 23 pjesëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të tij, pjesë e së cilës nuk ishte Kasimati.
Në qershor të 1948, mbledhja e radhës e Asamblesë së Institutit të Studimeve, krahas ndryshimit të emrit në Institut të Shkencave, propozoi anëtarë dhe bashkëpunëtorë të rinj, në radhët e të cilëve ishte edhe Kasimati.
Gjatë vitit 1950, në listën e “anëtarëve të rregullt” të Institutit nuk figuron emri i Sabihasë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply