Në Shqipëri, një ditë pasi Gjykata Kushtetuese publikoi të zbardhur vendimin e saj, me anë të të cilit rrëzoi vendimin e parlamentit që refuzonte dërgimin në këtë Gjykatë të çështjes së papajtueshmërisë ose jo të mandatit të deputetes dhe ministres aktuale të Jashtme Olta Xhaçka, një grup prej deputetëve demokratë që e vunë në lëvizje Kushtetuesen, kërkuan të premten mbledhjen e menjëhershme të Këshillit të Mandateve. Sipas tyre, Këshilli duhet të mblidhet ditën e hënë për të marrë në shqyrtim vendimin e Gjykatës, dhe çështja t’i kalojë më pas seancës plenare të datës 2 mars, për t’i hapur rrugë pa vonesë, shqyrtimit në themel të rastit nga Kushtetuesja.
Gjykata u vu në lëvizje nga dy kërkesa të bëra nga dy grupime të opozitës. Njëra kërkesë ishte paraqitur nga grupimi i deputetëve demokratë të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, dhe tjetra nga deputetët që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha në krye të Partisë Demokratike.
Të dyja kundërshtonin vendimin e parlamentit, duke mbështetur idenë se zonja Xhaçka nuk duhet të mbajë më mandatin si deputete, pasi sipas tyre, bashkëshorti i saj ka patur përfitime nga pasuri shtetërore. Por ndërsa kërkesa e grupit të parë u pranua, ajo e pjesës tjetër, e cila kërkonte nga Gjykata dhe “konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit për shkelje të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës”, u rrëzua pasi Gjykata mund të vihet në lëvizje vetëm me kërkesë të parlamentit.
Rasti i ministres Xhaçka, ka të bëjë me një kompani të bashkëshortit të saj Artan Gaçi, dhe projektin për ndërtimin mbi një terren privat, të një hoteli në zonën e Dhërmiut. Kompania ka fituar statusin e investitorit strategjik e për pasojë edhe të drejtën e shfrytëzimit të një sipërfaqe plazhi në bregdetin e jugut. Demokratët shprehen se sipas ligjit, përfitimet e bashkëshortit, konsiderohen si përfitime dhe të vetë ministres.
Por gjatë seancës së zhvilluar në mesin e muajit janar, përfaqësuesit ligjorë të zonjës Xhaçka deklaruan para Gjykatës se kërkesat e paraqitura nga opozita nuk plotësonin kriteret formale. Ata ju referuan po një interpretimi të Gjykatës Kushtetuese, kur u shprehën se që të vihet në diskutim mandati, shkelja e pretenduar duhet të ketë kryer nga vetë deputeti dhe jo personat e lidhur me të.
Në vendimin e saj Gjykata, duke ju referuar dhe precedentëve, saktëson se ajo “është organi i vetëm që ka kompetencën të vendosë nëse veprimet konkrete të një anëtari të Kuvendit, kundër të cilit është iniciuar procedura për konstatimin e papajtueshmërisë me mandatin, janë në kundërshtim me Kushtetutën”.
Neni 70 i Kushtetutës përcakton në pikën 3 të tij se “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”. Ndërsa më pas në pikën 4 parashikon se “për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë”.
Gjykata në vlerësimin e rastit shpjegon se “edhe pse në përmbajtjen e pikës 4 të nenit 70 të Kushtetutës nuk është përdorur termi “është i detyruar”, kjo nuk nënkupton se vlerësimi në këtë rast është në kompetencë të Kuvendit, por se vënia në lëvizje e Gjykatës kërkon një vendimmarrje të këtij organi, e cila është produkt i seancës plenare, pas respektimit të procedurave parlamentare… Institucionalizimi i pushtetit të pakicës parlamentare, i materializuar në të drejtën për të kërkuar vënien në lëvizje të Gjykatës, është bërë nga kushtetutëbërësi me qëllim shmangien e qëndrimeve politike nga ana e shumicës parlamentare”.
Për këtë arsye, në vendimin e Gjykatës vlerësohet se “në rastin konkret Kuvendi duhet të kishte pranuar mocionin e kërkuesit dhe të dërgonte çështjen për shqyrtim në këtë Gjykatë, në mënyrë që aspektet e pretenduara si papajtueshmëri të mandatit të deputetes Olta Xhaçka t’i nënshtroheshin vlerësimit kushtetues, pasi gjatë gjykimit kushtetues nuk u verifikua ndonjë pengesë juridiko-formale që mocioni të pengohej nga Kuvendi.”
Pas vendimit të argumentuar të Gjykatës Kushtetuese, parlamenti është i detyruar t’i drejtohet këtij organi për shqyrtimin në themel të rastit. Shumica, me qëndrimin e saj, duket se vetëm e shtyu në kohë çështjen, duke marrë përsipër dhe koston e shkeljes së Kushtetutës dhe vendimeve të mëparshme të vetë Gjykatës.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply