Në një prej ditëve, dola më herët nga laboratori ku punoja dhe vendosa të shetisja në Montmartrë, diku në veri të Parisit. Hodha çantën në krahë dhe mora metronë në stacionin e Zhysiesë për të mbritur deri në stacionin Marcadet Poissonniers të Montmartrit.
E kisha vizituar disa herë Monmartrin, por sa herë shkoja më dukej sikur e vizitoja për herë të parë. Atmosfera e asaj zonë ishte e gjallë, plotë vizitorë, por mbi të gjitha një hisitori shekullore e artit mbreslënës të rrugës. Çdo rrugë, çdo shesh, çdo restorantë, çdo banesë, çdo kalldrëm, e gjithçka tjetër në Montmartër është një histori arti më vete.
Montmartri, ose “Mali i Martirëve”, ndodhet mbi një kodër rreth 130 m të lartë, nga ku mund të shikosh pamjen magjepsëse të Parist deri në mjegullimin e shikimit. Nga lartësia e Montmartrit mund të dallosh me sy të lirë Harkun e Triumfit, Kullën Eiffel, Notre Dam de Paris e shumë e shumë monumente të Parisit. Aty ndodhet Bazilika e Zemrës së Shenjtë (Sacré Coeur), një nga monumentet simbol të kryeqyteit francez, guri i parë i themelit të së cilës u vendos në vitin 1875 nga Kardinali Guibert.
Kupola e saj, e lartë prej 50 m, është e dekoruar më mozaikun më të madh të Francës dhe i kushtohet zemrës së shenjtë të Jezusit. E projektuar në stilin romano-bizantin dhe e përuruar në fund të shekullit të 19-të, ky monument tërheq të paktën 6 milionë vizitorë në vit. Afër bazilikës ndodhet Kisha e Shenjtit Pierr (Saint-Pierre) e ndërtuar qysh në vitin 1147, si dhe varreza Calvaire, që është varreza më e vjetër, por edhe më e vogla e Parisit.
Po ashtu, në Montmartrë ndodhet një shesh i vogël në përmasa fizike, sheshi Tertre (Place du Tertre), por shumë i madh për historinë e artit francez dhe gjithë botës. Ai është vetëm një ndër 500 sheshet e Parisit, ku secili ka një histori më vete. Ky shesh publik në formë katrore dhe i shtruar me kalldrëm është ndërtuar qysh në vitin 1635, atëhere kur Montmartri ishte një fshat në periferi të Parisit.
Histori e tij e madhe fillon në në shekullin e 19-të, atëhere kur artistët e rinj të rrugës formonin një bohemë të vërtet në kërkim të mbijetesës dhe afirmimit të talentit të tyre. Montmartri i atyre viteve ofronte banesa e restorante më të lira dhe një jetë nate më të shkujdesur se në pjesët e tjera aristokratike të Parisit.
Bohema e artsitëve të rinj si piktorë, poetë e këngëtarë të panjohur të periferië së Francës, por edhe nga kombe të tjera mbushnin kalldrëmet e rrugëve, sheshet dhe restorantet e kësaj qyteze krejtësisht të veçantë. Montmartri u shndërrua në “Mekën” e artsitëve të rinj me ëndërrën e madhe se një ditë do të preknin majat e lavdisë.
Kalldrëmeve të Montmartrit dhe Sheshit Tertrë filluan rrugëtimin magjistarët e mëdhenj të pikturës si Pablo Picasso, Amadeo Modigliani, Pierre-Auguste Renoir, Van Gogh, Salvador Dali, Edgar Degas, Henri de Toulouse Lutrec, etj. Aty nga mesi i shekullit të 19-të, Renuar, Pissaro, Cezanne dhe Degas takoheshin rregullisht në Kafe Gerbua (Café Guerbois) të Montmartrit dhe hodhën themelet e rrymës së impresionizmit. Po aty lindën dhe u rritën edhe rrymat e tjera të pikturës si kubizmi, futurizmi, surealizmi etj.
Ky rrugëtëm artistësh prej gati dy shekujsh vazhdonte kur unë isha student në vitet 1980 dhe vazhdon edhe sot e kësaj ditë. Gjithçka në këtë shesh është e lidhur ngushtësish me emrat dhe veprat e piktorëve të djeshënm e të sotëm. Aty futesh në një botë tjetër, në botën e ëndërrave, kavaletave, ngjyrave, në atë botë ku arti është kryefjala e gjithçkaje.
Sheshi Tertrë ose Sheshi i Piktorëve, një ndër sheshet më të famshme të Parisit, është “pronë” e piktorëve dhe 10-14 milionë vizitorëve nga e gjithë bota që e frekuentojnë atë çdo vit. Vetëm 298 piktorë, dhe asnjë më tepër, janë të autorizuar të ndajnë hapësirën e sheshit, ku secili nuk ka në zotërim më shumë se një metër katror.
Për të kursyer vendin, kavaletet e piktorëve qendrojnë më shumë vertikalisht se të pjerrëta. Bashkësia e piktorëve të këtij sheshi ka meshkuj e femra të moshave të ndryshme. Të bën shumë përshtypje kur shikon ende piktorë 70-80 vjeçarë që punojnë me shkathësinë e më të rinjve. Çdo vit në këtë shesh mund të hapen vetëm pesë ose gjashtë vende për piktorë të rinj, të cilët zëvendësojnë ata që largohen ose ndërrojnë jetë. Përtej përmasave të sheshit askush nuk lejohet të pikturojë.
Nuk besoj se do të ketë ndonjë shesh tjetër në botë, veç sheshit të piktorëve që mund të shfrytëzohet deri në çdo centimetër katror të tij. Aty gjithçka hidhet në telajo: peizazhe, portrete dhe karikatura. Duket si një makineri e gjallë arti, unikale në llojin e vet, ku vizitorët kanë mundësi të porositin portretin ose karikaturën e vet në pak minuta.
Sa herë e kam vizituar atë shesh kam mbetur i befasur. I shikoja piktorët duke punuar dhe më dukeshin si magjistarë. Ata punonin me një shkathësi marramendese dhe penel pas peneli u jepnin jetë veprave të tyre. Isha kurioz dhe ndiqja me vemendje si merrte jetë një portert dhe sa besnik ishte në raport me pamjen e porositësit. Lëvizja nga një piktor te tjetri dhe secili më dukej më profesionist dhe më i mirë se tjetri. Aty koha fluturon pa e kuptuar dhe harron se është bërë von dhe duhet të rikthehesh nga ke ardhur.
Vendosa edhe unë të bëja një portet të vetes. Zgjodha një nga portrtistët ku mbahej më shumë radhë. Kur më erdhi radha u ula në karrigën përballë tij dhe e pyeta për çmimin. Si studentë bëja pjesë në familjen e vizitorëve të varfër që bëjnë llogari edhe qindarkën. Pasi piktori më dha çmimin rash dakord dhe futa dorën në xhepine jashtëm të çantës për të nxjerrë të hollat nga portofoli. Nuk kisha snjë lekë në të. Më kishin vjedhur, por për fat të mirë portofolin e kishin lënë në vend.
U zverdha dhe nuk dija çfarë të thoshja. Kërkova ndjesë dhe i thash piktorit se më kishin vjedhur. Nuk e di nëse më besoi, por unë u ngrita menjëherë nga vendi. Në radhë ishte një zonjë franceze rreth të pesëdhjetave që pa gjithë këtë skenë dhe me sa duket e përjetoi keq atë që më kish ndodhur. Ajo e kuptoi që isha i huaj dhe mu drejtua me shumë dashuri. Më tha se i erdhi shumë keq dhe se vjedhjet e xhepit në atë zonë ishin mëse të zakonshme.
-A mund tu ndihmoj sado pak me ca të holla? Ju, mesa kuptoj, jeni i huja dhe nuk keni si të merrni metronë- tha ajo.
E falëndërova nga zemra zonjën dhe i thash të mos shqetësohej. I shpjegova se isha studentë dhe në portofol nuk kisha shumë të holla. Të paktën kartën mujore të abonimit për metronë dhe linjave të autobuzëve e kisha në xhepin e brendshëm të xhaketës. E falënderova dhe njëherë zonjën dhe u zhduka me shpejtësi në turmëne vizitorëve të shumtë. Nuk më kish ndodhur kurrë që ndonjë xhepistë të më kishte marrë edhe gjënë më të vogël.
Porteritin nuk e bëra dot dhe nuk e mora guximin ta përsërisja asnjëherë tjetër. Megjithatë, kurrë nuk e kam harruar portretin e asaj zonje të nderuar, që u tregua aq e sjellshme me një njeri si unë që isha krejt i panjohur për të. Por ja që në këtë botë takon edhe njerëz me zemër të madhe si kjo zonjë fisnike që dallohej lehtësisht që ishte pariziane.
Ndoshta nuk do ta shkruaj kurrë këtë episod, por mu kujtua papaitur, ndërsa isha duke gugëlluar për Montmartrin e Parisit. Edhe pse ato vite kanë mbetur larg, kujtesa t’i sjell të freskëta si të kishin ndodhur dje. Mbase është edhe një mënyrë për të rifalënderuar edhe njeherë shpirtin dhe zemrën e asaj zonje që uroj të jetë ende duke rritur nipat dhe mbesat e saj, diku në ndonjë cep të Parisit të madh.
Sheshi i pikorëve vazhdon të jetë po atje, në Montmartre, ashtu sikundër ka qenë prej shekujsh në të njëjtin vend, me të njëjtin kalldrëm e me të njëjtat pemë. E vetmja gjë që ka ndryshuar janë piktorët që kanë zëvendësuar njëri-tjetrin dhe vizitorët.
Por nëse dje piktorët e Montmartrit ishin më të sigurt për shitjen e pikturave, sot veprat e tyre kanë filluar të kopjohen e shiten në të gjithë botën. Turistët kinezë fotografojnë gjithçka dhe e riprodhojnë në vendin e tyre duke i shitur dhjetë herë më lirë. Vetën në fshatin Dafen të Kinës jugore riprodhohen gati gjysma e veprave të prodhuara në Sheshin Tertre dhe 60% e veprave origjinale të të gjithë botës.
Edhe sot piktorët vazhdojnë të podhojnë peizazhe dhe portre të mrekullueshme. Ata vazhdojnë të kenë ende vetëm një metër katror vend, ku vendosin ngushtë e ngushtë kavaletin, ngjyrat, penelat, një karrige per vizitorët që pozojnë për një portret dhe një çadër për tu mbrojtur nga shiu në dimër dhe dielli në verë.
Gjithçka që lidhet Sheshin Tertre, kalldrëmet, butikët, restorantet, muzetë, Bazilkën e Zemrës së Shenjtë, është e vështirë të përshkruhet me fjalë nëse nuk përjetohen në vend. Aty të duket sikur jeta e bohemës pariziane vazhdon ende. Kjo është arsyeja pse Sheshi i Artistëve në Montmartër mbetet një nga vendet më të vizituara sot për turistët ne Paris. ER
Burimi/Facebook


Leave a Reply