Komedia “Ves-ves” e Laurent Baffie, teatri i Gostivarit, regjisor Kushtrim Bekteshi
I njohur herët me këtë komedi të vënë në skenë nga Gëzim Kame në Teatrin Kombëtar vite më parë, me titullin “Të gjithë me huqe”, realizuar me një staf aktorësh të mirënjohur si Viktor Zhusti, Roland Trebicka, Rajmonda Bulku etj., isha kureshtar të dija se si do të sendërtohej në skenë. Është një tekst i mprehtë ngritur mbi një situatë komike elegante, fine, ku një një trumbë personazhesh problematikë, i nënshtrohen një “terapie grupi”, e sajuar enkas një një psikiatër, por pa e ditur ata vetë. Njëri është më ekscentrik se tjetri, në dukje dëshmohen si normal por teksa i shfaqen njëri-tjetrit, sidomos syrit të publikut, janë të mbushur me huqe, që vuajnë nga sindroma e mani, duke i veçuar nga komuniteti, mbetur në një gjendje mosbesimi dhe ngujimi. Gjashtë personazhe vijnë në kabinetin e psikanalistit të njohur, Dr. Stern, i cili është mjek me emër sa i përket çrregullimeve obsesive konvulsive (TOC). Në pritje të ardhjes së tij në klinikë, pasi ai udhëton jashtë Francës, “pacientët” fillojnë t’i dëshmojnë njëri-tjetrit huqet dhe streset e tyre, paçka se manitë që kanë shfaqen vetiu edhe gjatë dialogut që bëjnë dhe pritjes së mjekut. Në fakt ata nuk e dinë se mjeku psikoterapist gjendet midis tyre kinse si pacient.
Regjisori Kushtrim Bekteshi kishte në dorë një lëndë dramaturgjike të vyer: 6 karaktere krejt të ndryshëm. Ai luajti këndshëmme aktorët e përzgjedhur me kujdes, secili duke ndërtuar një karakter të mëvetshëm duke krijuar hare e duke luajtur me veset e tyre, por pa të keq. Ai e solli këtë komedi në karaktërin e saj si komedi vetjesh eksentrike, me të cilën luajti lirisht, për qejf, duke operuar me elementët komikë argëtues. Ishte një shfaqje që vraponte, e llojit siç shpesh u themi komedi të “lehta”, “argëtuese”, jo “problemore”, një vend ku argëtohet. Përmes kënaqësisë që përftohej nga loja e aktorëve, njëri më i veçantë se tjetri, Bekteshi na përcolli ide dhe ndjeshmëri të bukura njerëzore.
Megjithëse nën velin e një komedie të hareshme karakteresh, batutash, gjestesh, disa syresh edhe me elementin banal (por të justifikuar si ves njerëzor), shfaqja shkonte edhe më tutje duke nënkuptuar se shoqëria dhe njeriu, në situatat stresante që kalon, herë pas here vuante traumën e saj, vetminë, stresin, trysninë e ardhur nga pasiguria. Shoqëria kishte humbur solidaritetin, njeriu ishte vetmuar, kishte mbetur përjashta, andaj një nga zgjidhjet fatlume ishte dashuria ndaj tjetrit, të gjendurit, solidariteti human. Është një ide e ardhur vetiu tek ne jo si e “pohuar” në formë slogani, por nga vetë rrjedha e shfaqjes. Spektatori e kupton dhe e ndjen se çdokush nga ne sot, në situatën e një egoizmi vetëmbyllës dhe përjashtues, veçimit, njerëzit kanë nevojë për pak ngrohtësi, njerëzillëk, për një vatër miqsh e shokësh ku të gjendej i rrethuar nga dashuria dhe solidariteti. Pikërisht këtë shfaqja e realizoi me sukses duke na dhënë jo pak humor. Doemos “Ves-vesi” është tipi i një komedie të “lehtë” e burleske që ngrihet mbi ca personazhe paranojakë dhe ku luhet pikërisht me ekscentrizmin e tyre, me shakanë dhe situatat gazmore. E sjellë ëmbël te publiku, ajo krijoi një katarsis lehtësues, të mirëpranuar, madje frutdhënës duke na dhënë, gjithsesi, një relaks të ëmbël. Të gjithë ishin të falur, ndaj dhe duheshin ndihmuar. Njërit i është bërë koka shifra, shifra… Tjetra ka panikun se lë hapur çesmën, derën e shtëpisë, gazin, një vajzë përsërit dy herë çdo fjalë nga një traumë e përjetuar në vegjëli, një e katërt vuan nga mania e “mikrobeve”, i pesti nga paranoja e shkeljes së vijave të bardha dhe i gjashti nga pamundësia për të shmangur sharjet e ndyra.
Regjisori e respektoi natyrën e komedisë si thellësisht popullore, shakatare, ku luhej më së shumti me elementin banal dhe sjelljet paradoksale të njeriut. Këtu nuk mëtohet që të shprehen qëllime të “larta” e ide të mëdha “filozofike” etj. Jo. Megjithatë shfaqja, e mbushur me gëzim siç qe, ishte e aftë që ta joshte publikun me ravijëzimin e karaktereve origjinale të luajtura me natyrshmëri e zhdërvjelltësi nga aktorët, krijimin e situatave të shpenguara humoristike.
Shfaqja ruajti temporitmin e lartë, kishte energji me një minimum mobilimi për të manovruar në mizanskenë (një rresht karrigesh fare pak të lëvizshme në skenët) dhe e mundësoi suksesin e saj më së shumti në punimin e fjalës, karakterit, lëvizjes, mimikës, dialogut dhe marrëdhënieve të drejtpërdrejta psikologjike ndërmjet aktorëve. Ndofta në ndonjë karakter si mjeku trajtimi i elementit banal mund të përmbahej disi, pasi në ndonjë rast ai keqpërdorej e bëhej spekulativ, sa për të tërhequr të qeshurën e spektatorit, paçka se ajo vjen përherë si një sindromë dhe rreng i kurdisur me zgjuarsi paraprakisht nga vetë mjeku psikiatër. Të gjashtë personazhet e komedisë erdhën të gjithë njëri më i veçantë se tjetri, e mbushën sallën me humor, duke nxitur solidaritetin, altruizmin dhe ndihmën ndaj tjetrit.






Burimi/Facebook


Leave a Reply