U promovua në Ambasadën e Shqiptare në Athinë romani i fundit „Valsi i një dasme fantazmë” i shkrimtarit Thanas Medi.
Edhe këtë herë befasues, autori i ”Fjalës së fundit të Sokrat Bubës”, vjen me romanin e katërt, ”Valsi i një dasme fantazmë”, botim i Onufrit, për të treguar rishtazi se vlerësimi i disa viteve më parë, me Çmimin e Madh të letrave shqipe, nuk ishte aspak i rastit. Përsëri me një subjekt të së djeshmes, me një romancë dashurie të ndaluar, dhënë me penelata të fuqishme. Midis një të dënuare dhe një të padënuari, kur afiniteti shpirtëror e prin lumturinë në të kundërtën e vetë, duke shndërruar gjithçka në një ndëshkim të egër e fatal. Në një sfond gri, ku vritet ndjenja e dashurisë pa rreshtur, jo vetëm nga maja e Shtetit të Diktaturës, por nga çdo qelizë e tij më të poshtë, ku mbillet ngado frika e lulëzon urrejtja, përçudnimi e përdhosja e së bukurës. E diku atje, një poemë erotike llamburitëse, e përshkruar me ngjyrat më të ndezura, e destinuar të mos ketë të ardhme, të shkallmohet në kulmin e lulëzimit.
Thanas Medi, në katër romanet e tij, parapëlqen të trajtojë temën e dashurisë, parë kjo nga këndvështrime të ndryshme, sipas ”imponimit” që bënë tema dhe rrethanat e një kohe të caktuar. Me kontradiktat, dogmat e zhvillimet më të egra, me një dualitet njerëzor të brendshëm, si një përpëlitje shpirti, përsosmërisht e bukur. Diku e penguar nga errësira e kohës, diku e survejuar, ndaluar, luftuar e asgjësuar nga Diktatura. Si në romanin më të fundit, ”Valsi i një dasme fantazmë”, ku vritet jeta natyrale nën marrshin donkishotesk të jetës artificiale, mbrujtur në magjen e idealit komunist. Shkrimtari, në këtë roman befasues, e shpie përvojën e tij letrare nëpër labirinthe kontraverse, brenda të cilave llogjika e gjërave humbet dhe ajo që është gati e pabesueshme dhe absurde, do të bëhet e pranueshme e do dominojë gjithçka, midis një errësire që të merr frymën.
Tonaliteti përgjithësisht gri, nuanca me ngjyrime gati të fshehura, dritësime të befta, dufe lirie e erotizmi të rrallë, që më së shumti pengohen të shfaqen të plota. Si ato manushaqet që dalin befas nga plasaritjet e gurëve, edhe pse ngricat e dimrit janë përherë të pranishme. Është njëlloj mjeshtërie që s’e ka kushdo shkrimtar, për t’a kapur e shprehur këtë buisje befasuese të së bukurës.
Autori, nëpërmjet tre personazheve kryesorë, dy djemve të paprekur nga biografia dhe një studenteje tepër të bukur të internuar në qytezën e tyre, ngre një trekëndësh fatal. Ku shpaloset një jetë e tërë nën diktaturë, ndërthuret pamja e dyfishtë e saj, nga një anë ”ajo që duhet”, nga ana tjetër ”ajo që ndalohet.” E që vetëm duhet të luftohet, të urrehet. Është një jetë përherë e kërcënuar, përherë nën kthetrat e vdekjes. Flitet për dasëm që në titullin e romanit, por që ajo nuk ka asgjë të përbashkët me dasmat e zakonshme. Ajo bëhet në errësirë, pa dasmorë, pa orkestër, pa të afërm, miq e shokë, nën tingujt që vinë nga largë të një dasme tjetër, reale, të lejueshme…, një paralelizëm e simbolizëm i hatashëm, mbi të cilët mbështetet e gjithë vepra. Dasma e dy të dashuruarve nga kampe të kundërt, e një dashurie të prangosur, që mundohet të mbijetojë në një terren të minuar, përherë të rrëshqitshëm. Diçka surreale, që flet për peshën e thundrës së shtetit mizor mbi jetën e njerëzve.
Në qendër të romanit është Markela Gajtani, një studente e dëbuar nga Tirana, vetëm se është shumë e bukur. Se bukuria e saj i kapërcen caqet e normave mbi të bukurën sipas moralit komunist, del nga ”vija.” U kundërvihej a deskretitonte të ”bukurat” me kominoshe, punëtore arash, kooperativiste të dalluara, aksioniste, femrën që s’kish mbi vete asgjë prej femre, u qe bërë lëkura e fytyrës shollë këpuce, sa të ngjanin me burra. Kështu, Markela mbart mbi vete sa simbolikën domethënëse, aq dhe tragjiken. Atë që do ta udhëheq deri në çastin e fundit të jetës. Të një jete që s’ka jetë, që ngeli ëndërr. Atë e duan, ëndërrojnë, dëshirojnë, dashurojnë të gjithë në atë qytezë të humbur ku e flakën, si të bëheshin me diçka që u mungonte, u qe e ndaluar ta kishin; por me një dashuri e destinuar të fshihet. Groposet në skutat më të thella të shpirtrave njerëzor, lidhur me zinxhirët e diktaturës.
”Valsi i një dasme fantazmë” është një hymn për dashurinë njerëzore, dashurinë e ndaluar, provë për shëmtinë e mendësisë së kalbur komuniste. Është dëshmi rrëqethëse për atë sesi diktatura arrin të gjymtojë jetë e fate njerëzish. Ta zhbëjë vetë atë, njeriun, duke e kthyer në vemje, zvarranik, robot të bindur të frikës.
Të gjithë e donin Markelën, por askush nuk guxonte t’i afrohej. Se njolla e saj mund të njolloste dhe ata. Ai që guxoi t’i afrohej më shumë, si t’i bënte sfidë vetë frikës, ”vijës”, Leko Zavalli; mori menjëherë përgjigjen e merituar. Tjetri, Andon Çerepi, aq figurë e parë në roman sa Markela, i linduri me frikë që në shpërngëj, që nuk guxoi ta kapërcente veten, shkallmonte guackën ku qe strukur; është i destinuar të vajtojë gjithë jetën mbi hirin e dashurisë së tij të humbur.
Në këtë roman gjen një konceptim të ngjeshur të lëndës letrare përreth treshes Markela-Andon-Leko, që përmban dhe dramacitetin kryesor elektrizues. Por edhe rrezatimin bashkëkohor të mbarë atij sistemi të përçudnuar që shuante ëndrra e merrte jetë njerëzish. E që asfiksonte ndjenjat, mendimet, lirinë e veprimit. Do të veçoja si vlerë letrare, doemos stilin vetiak të Thanas Medit, evidentimin e botës së brendshme të personazheve nëpërmjet monologut tepër të spikatur. Gjuhën e pasur, plot kolorit e vezullime emocionale. Shkruar rrjedhshëm, me emocion, ashtu siç di e ndjen vetë ai, pa iu referuar rrymave strikte letrare, diku mes realizmit klasik e modernizmit. Sjell një botë reale që ngjan më së shumti ireale, bile anormale, absurde. Refleksione të shprehura në çaste kyçe, zhbirim meditacionesh e gjendjesh shpirtërore, zig-zaget që pëson njeriu gjatë veprimeve të veta shkak-pasojë, shqetësimet e tensionuara, kontrastet, streset e makthet pa rrugëdalje. Me një fjalë, sillet drama e jetës së përditshme, të pa jetuar, të ndaluar, të ndëshkuar.
Janë shumë mesazhet që përcjell libri, por do përmendnim më të fuqishmin, atë që ka të bëjë me mbarë një popull mbetur për gjysëm shekulli nën kthetrat e tiranisë, frikës, skllavërisë që vlen të evidentohet me forcë në kohën e sotme, për të mos u përsëritur më kurrë.
Urime Thanas Medi, sa për prozën elegante, aq dhe për mesazhet e rëndësishme që i përcjellë kohës së sotme e mbarë shoqërisë shqiptare. Njëkohësisht, me rastin e këtij promovimi, ku nuk munda të jem prezent, për tu shprehur për këtë libër me vlerë letrare, që me siguri do zërë vëndin e meritur në Letrat Shqipe, së toku edhe me tre romanet e tjerë të Thanas Medit, personalisht, si Kryetar Nderi i „Liter-Artit”. Për më teper si mbështetësi kryesor i romanit të tij shumë të bukur, ”Fjala e Fundit e Sokrat Bubës”, kur këtë vepër me vlerë, që fitoi edhe Çmimin Kombëtar disa vite më parë, e „sorollatnin” në Athinë, këtu ku ndodhemi, duke „u përtypur”(?!), shpreh publikisht, jo vetëm krenari e kënaqësi për talentin e tij , po edhe dëshirën legjitime se, njerëz e krijues të tillë, i duhen „Liter-Artit”, që të forcohet e përparojë, vërtetë si një shoqatë vullnetare, jo fitimprurëse ekonomikisht, po si një Lidhje Shkrimtarësh e Artistësh me parime demokratike, me programe e statut të rregullt rifreskues, me krijues të rinj dhe me përvojë, të talentuar e me perspektivë, njerëz të së ardhmes e me botë shpirtërore, që t’i përkushtohen komunitetit tënë në dhe të largët, me gjithçka të shenjtë për Shqipërinë! Faleminderit!
MIHO GJINI,-Kryetar Nderi i „Liter-Artit”
Athinë, më 22 Nëntor 2022



Burimi/Facebook


Leave a Reply