Shënim i muajit tetor – 2022
Për ju të dashur miq e adhurues të prozës së gjatë artistike!
Sinopsi i romanit: “Tri unazat”
Ngjarjet marrin udhë e shtjellohen në vargorin e një sërë ndodhive tragjike gjatë luftës së dytë botërore në qytetin e trëndafilave, në Përmetin e bukur. Në fokusin e rrëfimit janë tre dashuri dhe tre luftëra: ajo greko-italiane, kundër fashizmit italian dhe nazizmit gjerman, deri në çlirimin e qytetit, e më pas gjithë Shqipërisë. Pushtuesit e shkrumbuan katër herë vendthin e bekuar të Frashërllinjve, por kurrë s’mundën ta mposhtin… Ndërkohë në Katundishtën piktoreske, në shpatoret gëmushore të Trebeshinës, mbi Këlcyrë, familja Brahimllari përjetonte me shqetësim atdhetar vrasjet, bastisjet, shkatërrimet dhe mizoritë e një lufte pesëvjeçare që s’kishte të sosur. Tre ushtarë grekë të plagosur nga aviacioni italian kërkojnë strehim e shërim në atë familje, e cila i pret dhe i mban bujarisht për më shumë se tre muaj në bimsën poshtë banesës. Merema, vajza e vetme e konakut, por dhe pjesëtarët e tjerë, bëjnë gjithçka për t’i mbajtur në jetë të plagosurit që besuan në besën e mikpritjen shqiptare. E ndërsa shëndeti i luftëtarëve përmirësohej, një marrëdhënie e bukur dashurie lind mes njërit prej tyre dhe vajzës shqiptare. Një dashuri e ndjerë dhe e thellë që fatkeqësisht s’e pati udhën e gjatë dhe ndërpritet në frontin e luftës.
E pikëlluar në shpirt, Merema humbi dashurinë e parë, por jo shpresën dhe kurajën në ringritjen e saj. Mes dhimbjeve e vuajtjeve të pafundme, ajo zbulon motivet për të vazhduar rrugëtimin e gjatë, me besimin se Shqipëria do të çlirohej dhe ajo do të rigjente gëzimin e jetës. Por ishte ende kohë lufte dhe vendin e një zaptuesi e zuri tjetri. Italianët, me ndihmën e forcave gjermane pushtuan Greqinë, ndërsa vazhdonin ta mbanin në kthetra Shqipërinë. E në këtë luftë të rrëmetshme, kishte edhe prej atyre që u shërbenin të plagosurve me devotshmëri përmes rreziqeve të shumta. Mevlan Shahini, ndihmës mjek, shëronte plagët e trupit dhe të zemrës. Ndjenjat e kulluara që përjetoi për vajzën e bukur katundishtare, e shtynë drejt saj me premtimin për një lidhje të përjetshme. Por edhe kjo dashuri do ishte fatkeqe, pasi i fejuari do të vritej në gjatë një bombardimi nga forcat armike në spitalin partizan ku shërbente. Dukej sikur jeta i kish rezervuar fatkeqësitë më të mëdha një femre që meritonte të ishte e lumtur dhe përplotësuar.
I vendosur në thellësi të shpatullave malore, fshati më i madh i Përmetit, Katundishta, rrezikonte të digjej nga një skuadër naziste që synonte asgjësimin e forcave partizane e nacionaliste që sulmonin herë pas here karvanët gjermane të ardhura nga Follorina. Gjatë bastisjeve që kryen te Brahimllarët, ndodhi ajo që më pak pritej: Togeri Rilke që drejtonte operacionin gjen metodat e mësimit të gjuhës gjermane dhe disa libra, mes të cilëve “Vuajtjet e djaloshit Verter” të Gëtes, të cilin Merema e kishte lexuar, sapo kuptoi se ishte në gjendje të përkthente. Në gjendje të komunikojë me majorin Hans fon Piter, ajo fiton respektin dhe simpatinë e tij. Dhe jo vetëm… Hansi nuk ishte prej atyre që adhuronin luftën dhe Fyhrerin. Përkundrazi, e urrente bishën naziste dhe kërkonte të dezertonte sapo t’i jepej mundësia nga Vermahti gjerman. E tani ishte në kohën e duhur. Merema i rrëmbeu atij shpirtin dhe mendjen. Pas “shkreptimës së rrufesë”, oficeri gjerman s’mund të bënte djegie e pushkatime në fshat sipas urdhrit të marrë nga komanda eprore. Gëtja dhe dashuria kishin shuar flakët e hakmarrjes. Çfarë do të ndodhë me Hansin dhe Meremën në nëntorin e vitit 1944 kur luftës po i vinte fundi dhe oktapodi nazist ndodhej në grahmat e fundit? Tre unaza për tre dashuri të ndjera me të njëjtin thellësi e gjerësi pasioni ishin premtimi dhe domethënia më e madhe e një jete që duhej të vazhdonte në emër të paqes, lirisë dhe dashurisë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply