Errësira…, ky fenomen vetëmohues, intrigant, dashuri e fshehur, e errët plot jetë. Në shtratin e dëshirave në errësirë, përpiloja rrugëtimet e pafund të ëndrrave, fotografoja imazhe gjallesash të mbi natyrshme plot shpresë.
Dritëhijet ankoronin spirancat me ankth në arteriet e zemrës time, por dhimbja e guduliste të ardhmen me dritë hëne, por pa dritë.
Nën lëkurë vishja mburojën e brishtë të gruas. Me qelizat emocionale luaja preludet deri në oktavën e fundit të mesnatës. E dehur nga rrethanat, aventura zvariste errësirën e mbytur nga lumenjtë e tharë lotësh.
Egoja nuk mund të m’a cënonte lirinë e shpirtit tim të trishtë, me drita intriguese errësirash.
Shpresa…, ndiqte errësirën me një ndriçim stelar/yllor, në vetmi me hënën e dashuruar përjetësisht në distancë.
Qielli lajkatar më përpëlit në ëndrrën qiellore. Në qenien time mikroskopike, i ndjej përplasjet e pavdekshme oqeanike.
Në errësirë ecja, vrapoja e dëshiruar të prek dritën tënde, të t’a ledhajoj ngrurtësinë tokësore, të rrokullis tej poshtë dëshirat që nuk e jetuan vetveten.
Me errësirën qiellore ndriçova idenë adulte të gruas, të përvëluara me dritën Prometiane të Eskilit, në garën e Apollos të olimpit historik.
Maratona ime kishte një pistë anakoronike betejash. Vrapi im ishte galopant dhe me kapërcime histerike kohësh.
Shpesh i manipuloj lotët e nxehtë të shpirtit të coptuar. Me sytë e shpresës rrëmoj qiellin të gjej Zeusin mitik me muskujt gjigand shpëtimtari të plotfuqishëm. Kërkoj Athinën, perëndeshën hirëplotë të rinisë së pavdekshme, shpëtimtaren e shpresës time pa rini.
Brenda trupit tim të stërmunduar botët kuvendonin trazirat e pa parashikuara, retë derdhnin lumenjtë e përgjakura me stërgjatje ëndrrash tentakulare.
Në shtrat vërtitja pagjumësinë e ditës.
Realiteti më coptonte çdo sekondë, më ngjitej si vemje në lëkurën time të pafajshme. Formacionet kristalore më binin si ujëvarra nga lartësitë qiellore, ashtu të ftohta m’a përvëlonin zjarrin diellor, por shkëlqimi i vobektë ëngjëllor më përpinte çdo moment intim.
Hëna e errësirës time çuditërisht përformonte me përfytyrime të ndryshme skenike. Herë më buzëqeshte dhe herë më ngrysej si një vocërake për vëmendje dhe dëshira përpëlitëse pafund.
Hëna për mua mbetet një figurë e largët dhe e ftohtë, tunduese e pasioneve të ndërsjellta.
Dritë hijet zhurmojnë qetësinë e vetmuar të errësirës qiellore. Kërcitjet e drunjta përplasin dhëmbët e shndritëshme të natës dhe lamtumirën ditës.
Ti sot, je hëna e hënës time, je errësirë dëshmitare pasionesh, je shtytëse premtimesh, je misionare e pa gabuar e zemrës time, je testament tokësor, profet modern dhe analogjik psikozash Dantiane.
Errësira…, errësira ime një vërtetësi e vërtetë me dritë hëne plot vezullime, mbetet pagjumësi agimesh…
Ardiana Mitrushi
10/10/2022…


Leave a Reply