Në 5 vjetorin e largimit nga jeta
Si nesër, më 30 tetor 2017, nuk do ta kishim më profesorin tim, personalitetin artistik të Artit Skenik Shqiptar, regjisorin, dramaturgun e estetin Mihal Luarasi. Dhe që la në kujtesën tonë artistike disa spektakle brilante së “Intrigë dhe Dashuri”, “Dhelpëra e Rrushtë”, “Një dashuri e tillë”, të pashlyera ndër vite e dekada për paraqitjen mjeshtërore, finesën e elegancën artistike.
Lindi po në Korçë, në vitin 1929 dhe u formua në të njëjtën atmosferë të gëzueshme të këtij qyteti të kulturuar. Po me të njëjtat të dhëna, pas mbarimit të shkollës fillore, pranohet në Liceun Artistik të Tiranës, në Degën e Aktrimit, të cilën e mbaron në vitin 1952. Mbas një farë kohe, dërgohet për studime të larta në Degën e Regjisurës në Akademinë e Teatrit dhe Filmit të Budapestit, duke e kryer atë me rezultate shumë të mira, në vitin 1958. Prej këtij viti, ka punuar si regjisor në Estradën e Shtetit, në Teatrin Popullor, në Teatrin “A.Z.Çajupi” të Korçës, në Teatrin e Operës dhe Baletit, si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve dhe si specialist në R T SH.
Bëhet i njohur në sferën e teatrit, qysh në fillimet e tij, me vënien në skenë të dramës së Shilerit “Intrigë dhe Dashuri”, të cilën e realizoi në vitin 1956, si punë diplome. Do të tërhiqte vëmendjen përsëri me komedinë e Shekspirit “Dy Zotërinjte nga Verona”, në vitin 1959 dhe me pjesën e dramaturgut Çek, “Një dashuri e tillë”, vënë në skenë me studentët e Institutit të Lartë të Arteve, në vitin 1961, ku prekte probleme të mprehta sociale, që ishin tabu për kohën.
Kulminacionin e vet do ta arrinte me vënien në skenë të komedisë së Figueiredos “Dhelpra dhe rrushtë”, e cila nderohet me Çmimin e Parë, në Festivalin II Kombëtar të Teatrove Profesioniste të Shqipërisë.
Shfaqja tjetër e mprehtë e regjisorit Luarasi, që nuk arriti të shfaqej, ishte “Orfeu zbret në ferr”, të Tenessi Uilliamsit (për vetë idetë e saj, që sfidonin kohën, me simbolet e përdorura kundër dhunës, shtypjes së njeriut, ndrydhjes së personalitetit dhe raportit erotik etj.)
Prirja e tij perëndimore nuk e bënte që të ishte indiferent ndaj pjesëve nacionale. Kështu, pas vënies në skenë të komedisë së Kin Dushit, “Banorët e Shkallës Nr. 6”, në vitin 1963, merret me realizimin skenik të dramës së Minush Jeros, “Të pamposhturit”, dhe të dramës së Dritëro Agollit, “Mosha e Bardhë”, dhjetë vjet më pas (1972). Dy vjet më vonë, edhe me dramën e Fadil Paçramit, “Çështja e inxhinier Saimirit” (1974).
Me përjashtim të spektaklit “Të pamposhturit” (1971), që kishte prurje interesante, të tria spektaklet e tjera krijuan debate në sferat partiake. Ekstremi i këtyre diskutimeve do të vinte me paraqitjen në Festivalin Kombëtar të Teatrove, prej tij, të dramës së Minush Jeros, “Njollat e Murme”, e cila u cilësua nga vetë diktatori Hoxha, si “liberalo-revizioniste”dhe do të anatemohej nga shtypi partiak dhe opinioni publik, duke sjellë si pasojë edhe burgosjen e autorit.
Gjashtë vitet e burgosjes së Luarasit pasohen me dhjetë vjet punë rraskapitëse në Komunalen e Tiranës, sipas ligjit partiak të “Luftës së Klasave”. E drejta për të qenë plotësisht i lirë si njeri, për të ushtruar edhe të drejtën e profesionit, i jepet vetëm në vitin 1996, kur ai, rishtazi, vë në skenë pjesën hungareze “Hekurat”, të Arpad Genc. Me ndërrimin e sistemit shoqëror emigron në Hungari, ku edhe punësohet. Rikthehet në vitin 2002, duke u angazhuar përsëri në jetën teatrale, si regjsor, si dramaturg dhe esseist. Dramat e tij, “Korbi i Bardhë” dhe“Gomone”, patën reagime të ndryshme, pro e kundra, qoftë edhe për potencialin artistik, qoftë edhe për vënien e tyre në skenë, nga vetë autori. Po libri me artikujt e tij kritikë, “Kujtesa që nuk fle”, u mirëprit nga lexuesit e kulturuar të teatrit.
Mihal Luarasi, do ti kishte këto oshilacine në veprimtarinë e tij teatrore, për vet bindjet e tij estetike të përparuara, që nuk përputheshim me ngurtësimet partiake të kohës, si edhe me prapambetjen e teatit tonë të asaj kohe. Ai qe e mbeti si një prijs i artit modern dhe po këtë frymë e treste edhe në mësimdhënien që bënte tek ne studentët e aktrimit. Te veprat skenike e kërkesat estetike të Luarasit, emocionet burojnë e rrjedhin nga një analizë e pastër, e cila depërton në mëndjen e gjithëkujt. Ai sillte në skenën shqiprare një risi të mbështetur në trajta elegante pasqyrimi. Pa ndëhyr tek aktori, duke e lënë atë të lirë të krijonte mizanskenën e tij organike, duke u kujdesur , si për masën e veprimit e të lëvizjeve , po edhe për pastërtinë e të folurit skenik. Qe një regjisor-pedagog me kulturë të gjërë e etikë qytetare, i mënçur e hera herës ironik , kur parballej me të vjetrën e injorancën, si edhe më pikëpamje të kundërta me të tij.
Në vitet e fundit të jetës së tij të trishtuar, pas privacioneve të gjata, në “Kampet e Riedukimit”, -sikundër quheshin atëhere burgjet për të pabindurit e kundërshtarët e regjimit, ndodhte që pinim ndonjë kafe posht pallatit ku ai banonte me Edin (shoqen time të klasës) e do ta kalonte rrugën me shkop në dorë. Pa e humbur asnjëhere humorin “e hidhur”, që asnjëhere nuk e braktiste, po befas edhe me seriozitetin e një mendimtari e esteti të madh. Më dhuroi dy nga botimet e tij të kritikës teatrale, ndërkohë që më ktheu te redaktur edhe monografinë time për Artistin e Popullit Nikolin Xhoja, duke mos i kursyer fjalët e tij të mira, që jo pak herë i kursente, me maturinë e kërkesava të tij të larta. Më kishte dashur gjithmon ky njeri, ne ditë të bardha e të zeza, tek hoqëm të njejtin kalvar e për të njëjtën dramë “fatkeqe” që s’kishte asgje të keqe, po që “nuk i pëlqeu Mbretit komedia, a e vraftë Perëndia”,-sikundër thoshte Hamleti i Shekspirit! I paharrur qofshë o Profesori im, Artist i Popullit Shqiptar, Mbret i Artit tënë Skenik…
Rishkruar në Piqeras, sipas librit tim “SHPIRTI ARTISTIK” (2014), më 29 tetor 2022


Burimi/Facebook


Leave a Reply