Riza Lahi
Shtangisti i Shqiptar,nga më të fuqishmin shtangistw të shekullit 20, Faruk Kalleshi , wshtw dekoruar me titullin “NDERI I KOMBIT”. Po botojmë diçka nga jetwshkrimi I tij
….Me dt 8 korrik të viti 1970 Pallati i Sportit në Shkodër – më parë një kishë hijerëndë – në vend të kapacitetit të tij maksimal prej 2500 vendesh, kishte rreth 5000 spektatorë.
Ishte një ngjarje e pazakontë, jo vetëm për qytetin, por për krejt atdheun…
“ Në palestrën e Shkodrës, një ditë unë u thashë të më vejshin 115 kile .M’i vunë e i çova. Rekordi botnor mbahej prej nji rusit qi e kishte emnin Genatov. Ai kishte mbërritë deri te 112.5 kilet. I provova edhe nja dy herë të tjera 115 kilet. S’ kishte kenë rastësi. Drejtuesit e “Vllaznisë” e të tanë qytetit fluturojshin. Nami mori dhenë. U njoftue urgjntisht Federata Botnore e Peshngritjes se në Shqipni ishte një pretendent për thyemje të kampionit të botës. Nuk pushojshin shkoepejat ( vajtjeardhjet ) te vetë; te nji ky Faruk njitu. Ma plotsojshin çfardo dëshiret që të thojshe. Po më mbajshin si edhin (kecin)në dërrasë. Vetë Sekretari i K.P. Shkodrës Muho Asllani vite përditë në palestër e më thote se unë isha tuj i ba nji nder të madh Atdhuet e qytetit. Më thote se ky nder i vinte Shqipërisë nga qyteti i saj i vjetër i traditës. Mirëpo…”
Ditën e përpjekjes për sulmin mbi rekordin e botës, kanë qënë dy njerëz që kanë qënë të shokuar; dy njerëz të shokuar, kur të gjithë valavitnin entuziazmin në kupën e qiellit. Që të gjithë shkodranët, që të gjithë sportistët, që të gjithë shqiptarët…Por, vetëm dy prej kësaj rrokopuje gazmore popullore ishin të shokuar…Po kush?…
……

…Në vitin 2000, Faruk Kalleshi u dekorua nga Presidenti i vendit me urdhërin “Mjeshtri i Madh i Punës”, urdhër të cilin e mban, nga të gjithë sportistët shqiptar , vetëm një tjetër sportist – Mjeshtri i shahut , dursaku Fatos Muça.Ishte propozim i përbashkët i KS Vllaznia dhe atij “Partizani”.Faruk Kalleshi atë ditë mbushi 55 vjet. Është një kasetë ku është inçizuar gjithëçka nga ajo festë buçitëse që u organizua në Tiranë. Kalleshi e ruan atë si një hajmali. Ai, megjithatë, pra, megjithë kundërshtimet tona që të mos e nxirrte nga shtëpia, atë gjë aq të shtrenjtë na e dha për ta dëgjuar dy netë. Këtë – në emër të librit që e kemi, ja, përpara. Kalleshi është njeri shumë i ndjeshëm ndaj medias, ku ai ka mjaft miq.
Nëpër atë vapë kishin ardhur shumë njerëz nga Shkodra në Tiranë. Mes tyre, edhe mjeshtri – xhongler i basketbollit – Renato Radoja, trajneri i boksierëve Shkodranë Zef Gjoni apo deri edhe bejtexhiu i njohur Isa Teli që improvizoi edhe këtë varg kushtuar të zotit të ziafetit:
“Qumshti i nanës të qoftë hallall
Se ke mbetë në histori
Njëzetënji vjet me rradhë
S’ke lanë gjel me këndue n’Shqipni”.
Nga kaseta që na besoi Kalleshi, kemi shkëputur disa thënie për të dhe…
Edhe një zë të përlotur.
Zef Gjoni : ” Faruku a niri i parë i sporteve sporteve tona qi ka çue flamurin shqiptar jashtë Shqipnisë”.
Besnik Dizdari, gazetari më i njohur sportiv i vendit : ” Faruk Kalleshi asht themeluesi i peshngritjes moderne shqiptare…Kalleshi, me mjeshtrin tjetër, Ymer Pampuri i thanë Evropës se Shqipnia e vogël dhe e vorfën ka shtangista të niveleve botnore”
Zyhdi Mazrreku, ish trajneri i ekipit kombëtar: ” Sa pikë na nepte Faruk Kalleshi, njaqe pikë merrte tanë ekipi kombtar”.
Osman Mula, kompozitor, instrumentist dhe regjisor i njohur :” Jam i lumtun sot. Faruk Kalleshi mbeti të tanë jetën shoku i ngushtë i Fatosit tem ( Fatos Mula, gjimnast me perspektivë, por që u aksidentua keq qysh në rininë e tij të parë – RL)
Hysen Sharra, mjeshtër i madh i boksimit e qejfli i madh këngësh :” Rrallë gjen një njeri kaq të shoqrueshëm, që hidhet në flakë për shokët dhe kaq zemërbardhë”.
Muhamet Pata, mjeshtër i madh i basketbollit shqiptar, ashik i njohur vallesh : ” Faruku është shumë i madh. Ai po na ngrë të gjithëve me një gisht”
Renato Radoja :” Kam udhëtu prej Shkodret në tanë këtë vapë vetëm për nji këtë ditë të shtrenjtë të Faruk Kalleshit”
Hysen Cenaj, mjeshtër i shtangës, vlonjati i ri që ka konkuruar në të njëjtën peshë me Kalleshin në “evropianin” e Spanjës, ku Faruku i ka dhënë një ndihmë shëndetësore shumë të çmuar atje:” Kur unë kam thyer rekordin në Shkodër, të vetmit njerëz që më kanë uruar të parët atje, kanë qënë Faruku me të shoqen. Faruk Kalleshi ka qënë për mua shok, mik, vëlla dhe unë, pa ndihmën e tij, nuk do të isha bërë sportist. Shtangist si Faruk Kalleshi i vjen Shqipërisë një herë në shekull”.
Shaban Kalleshi, vëllai i Farukut:” Askërkush nuk ia din sa i di vetë përpjekjet, vullnetin, regjimin, punën egërsisht lodhëse që ka ba Farukur me mbërritë njita maja “.
Mentor Nazarko, përfaqësuesi i presidencës: ” Faruk Kalleshi është një sportist që e ka vendosur Shqipërinë tonë në podiumet e nderit”.
Anita Kalleshi, vajza e Farukut, ekonomiste dhe linguiste: ” Nana jeme ka kenë hysmeqare e vërtetë e babës tem. Baba jem ka pasë shumë fat që ka pasë për bashkëshorte një grua si nana jeme”.
Po Liliana Kalleshi?…Ja se ç’kishte të inçizuar kaseta:
” Unë kam kenë ndër duart e Farukut qysh nandë vjeçe. Sot asht dita ma e lumtun e jetës teme”…Dhe… të qara me ngashërim.
…
Turqia festonte 100 vjetorin e lindjes së themeluesit të Turqisë moderne dhe të fiksuarin si “reformatorin më të madh të të gjitha kohrave”, Mustafa Qemal Ataturkut, fotografia e të cilit ndodhet, në krah të presidentit aktual , në cilëndo zyrë shtetrore turke.
Në kuadrin e kësaj ceremonie mbarkombëtare turke, ishte edhe një aktivitet sportiv evropian. “Arnautistani” kishte nisur edhe një ekip, mes të cilëve edhe heroi ynë, emrin e të cilit e shqiptonin fare lehtë,me hare dhe brohori tër spektatorët. “Faruku – Faruku ” ia nisën të parët kosovarët spektatorë, të pasuar nga koralja me gjak turk.Pas tri medaljeve të florinjta të Kalleshit, në atë maj të vitit 1981 dhe kur të gjitha njuzet e rruzullit flisnin për demonstratat e fuqishme në Prishtinë dhe shtypjen e tyre me tankse nga pushteti i dhunshëm i Beogradit, përmes altoporlanteve të Ankarasë shpërtheu hymni ynë kombëtar. Kjo, për nder të fituesit të tri medaljeve i cili vinte nga “Arnautistani”.
Duke qeshur me nostalgji, Kalleshi kujton se kushedi se sa kosovari e kërkonin për ta takuar te hoteli; shumica prej tyre me dhurata në duar , por që ai i refuzoi të gjitha. Me siguri që, po të mos i kishte refuzuar, ai, si të kishte mbajtur ndonjë suvenir për vete dhe familjen, të tjerat do t’ua kishte dhuruar shokëve të tij të panumurt që e vënë kurdoherë në krye të tavolinës dhe kënaqen duke dëgjuar historitë e tija të bukura e që kanë lidhje vetëm me sportin dhe, zakonisht, kuptohet, vetëm me një kryeprotogonist…
Faruk Kalleshi kishte fituar deri në atë kohë jo pak medalje ari. Për shëmbull, katër copë në Spartakiadën tonë kombëtare të 1969 ; në vitin 1974 – tri copë; në vitin 1979 – një ari e dy argjenti; tri medalje ari të tjera do t’i fitonte në vitin 1984, por si shija e atyre të trijave për ‘të, është e papërsëritshme.
Sapo u kthye në atdhe, e njofutuan se e kërkonte kryeministri në një takim të posaçëm. Ai e shikonte veten me modesti para pasqyrës, ndërsa Liliana po përcaktonte veshjen e veçantë që duhej të kishte fitimtari shqiptar në folenë e “Portës së Lartë” të dikurshme.
Veç kryeministrit Çarçani, zv. kryeministrit Myftiu dhe ministres së kulturës Cami, me Kalleshin ndodhej edhe kryeredaktori i gazetës sportive , Agim Korbi.Këtë radhë Kalleshi iu përgjigj pyetjeve shkurt dhe me emocione, ndrysh nga Korbi që bilbilonte. Gjithësesi, shtangistit iu zgjidh goja kur nisi të fliste për entuziazmin e kosovarëve dhe për lumturinë e papërshkruar të personelit të ambasadës sonë atje. ” Ambasadori Gjylani Shehu, më ka respektue shumë, shoku kryeministër. Ai më ka shëtitë gjithandej me makinën e tij”.
Në vitin 1984, është bërë spartakiada e pestë kombëtare me rastin e 40 vjetorit të çlirimit. Një kuadrat i madh dhe i vetëm miks, nga të gjitha llojet e sporteve, parakaloi përpara tribunës qëndrore, ku kishte ardhur për të parë dhe drejtuesi absolut i shtetit komunist. I habitur, Enver Hoxha ka pyetur njerëzit në krah:” More, po kush është ai shtatshkurtër që prin në krye të sportistëve? Të tëra ato medalje, të tijat janë?”
…
Një poet i yni shkruan se, me një eshtër nga gjoksi i vet, do të sulej si me bajonetë.
Pasionant dhe i rrëmbyer, Kalleshi është sulur tër jetës rekordeve, si me armën që përmend poeti. Në një rast, në vitin 1976, ai ka zënë të njëjtin vend në Evropë, si në vitin 1972 – të katërtin.
Faruk Kalleshi kënaqet me rezultatet e shokëve njësoj si me të tijat.Të gjithë e kanë provuar ndihmën e tij si prej vëllai dhe, normal, atij i bëhet qejfi fort kur ia kujtojnë këtë ndihmë. Për një periudhë tetë vjeçare, ai ka drejtuar inspektimin e sporteve të rënda në Shkodër duke u bërë copash për të mos humbur talentet. Në qytetin tonë gjenë me shumicë nga ajo kategori njerëzish që shtyhen për të tjerët me të tëra potencialet e veta e duke rrezikuar gjithëçka. Edhe në Labëri, po ashtu. Në të vërtetë, ky përbën një prej tipareve të bukura të popullit tonë.
Kalleshin e pritnin dhe e përcillnin personalitete nga më të lartët e vendit, por ai nuk mund ta ulte veten t’u kërkonte asnjërit prej tyre ndonjë privilegj personal. Gjithë kredinë e fituar – vetëm për dashurinë e tij – shtangën. Me kërkesën time, sigurisht, pa e përsëritur dy herë atë, ai më tregoi disa raste se si ka ndihmuar asisoj.
” Tefë Thaçi ka kenë alamet shtangistit, por e kishte biografinë e keqe. Unë ndërhyna e aj e bani nji rrugë jashtë – shkoi në Rumani me ekipin kombtar e konkuroi në 67 kile. Sa u kthey Tefa, ia nisen letrat anonime e, njaq e pat puna. Tefa s’dul ma jashtë, por mue nuk më bate kush gja se e dijshin qi nuk kam gja të mshehun në shpirt…Ishte nji shtangist, peshë e lehtë, Pllumb Alia. U bana copash derisa ia rregullova ushqimin atij…Ose…Pooo, Rrok Bardeli të shkyete katërsh në tapet si me kenë harushë, por, ilaqim, dote me hangër aj. Unë kam shkue disa herë te KSVllaznia e iu thojshe atyne të mbrapavijës e të guzhinës: “Njati Rrokut m’i nepni me hangër derisa të thonë vetë “aaa, nuk mundem ma”.
Fetije Kasaj u kthye me të vëllain nga Greqia, ku kishte tentuar të bëhej shtangiste. Trajneri i parë të cilit iu afrua ajo, e refuzoi. Por jo Faruk Kalleshi. Aq i sigurtë qe ai për vajzën që dikush kishte menduar përpara tij që ajo deri “njatje e kishte”, saqë, vetëm pas pesë ditëve , kur Kasa nisi t’i nënshtrohej stërvitjeve me Kalleshin, ky i fundit deklaroi në një TV, “Telesport”: ” Kam një vajzë. Me ‘të, unë kam me dalë e me habitë sportin shqiptar”.
Ai ia përsëriti edhe një herë këtë deklarim gazetares së shtangur përpara kamerave.
Fetije Kasa sot është me rezultare planetare. Aq e re dhe ajo po çudit gjithënjë e më shumë tifozërinë shqiptare dhe specialistët e huaj të peshngritjes. Kasaj, në buletinin botëror të vitit 2004 rezulton të jetë në vendin e 15 të sportisteve të femrave të të gjitha moshave.
“Profesor Faruku” që, me shpenzimet e veta, ka ndjekur, shoqëruar dhe është bërë copë për të ndihmuar peshngritës të ndryshëm, me vajzën që po sulmonte edhe majat që kish mësymur dhe vetë dikur, kujdese për të aq, sa ajo nuk bënt asnjë hap pa ‘të.
Në një aktivitet botërori, për shëmbull, në kampionatin e Koresë, ajo i është drejtuar trajnerit shoqërues, Genç Barkiçit: “Profesor! Më lejon që, vetëm sot që kemi gara, të të drejtohem me “profesor Faruku”? ( Në atë kohë, Kalleshi, për arsye të një ngatërrese konkurrëence mjaft shqetësuese për të ,, nuk kish mundur të shkonte në atë botëror. RL)
Buzëqeshjen e Barkiçit të furishëm e pasoi rezultati 107 kg “shkëputje”, që donte të thoshte vendi i dytë në botë, pas 108 kg të një vajze aziatike.
Se me ç’imtësira punon Kalleshi me ekipin e peshngritjes së vajzave, nuk përbën një objekt qëndror të tregimit tonë; një tjetër vëmendje do kjo temë . Gjithësesi…kujdesjet e Kalleshit për ekipin e tij të vajzave nuk çuditit njeri, nga ata që e njohin nga afër karakterin e heroit të tregimit tonë.. Veç Fetije Kasës, ai ka në horizont një tjetër yll, që quhet Romela; Romela Bega.
Tani, ja edhe njëra nga ngjarjet e panumurta të jetës sportive të heroit tonë. Vetëm njëra… Ishte viti 1976 dhe po zhvillohej kampionati evropian në Berlinin Lindor. Si kish mbaruar ngritjen e shtangës për të tretën herë, Shkodrani shtatshkurtër e fytyrërreptë i bëri me shënjë trajnerit të tij t’i sillte pak komposto. Zyhdi Mazrreku ia solli dhe ai e piu.
Mirëpo … Tani…Tani e kish mbërthyer përkrahu trajneri jugosllav, siç kishin mbërthyer përkrahësh edhe dy rivalët e tij. Asnjëri të mos lëvizte. Që të tre kishin vetëm një rrugë për të shkuar si të arrestuar – te peshorja.Vendi i peshores ndodhej rreth 50 metro larg dhe Faruku ,këtë radhë, me të uluritur, i kërkoi në gjuhën shqipe trajnerit të tij që t’i sillte menjëherë një palë tuta Tjetri bëri ashtu , pa i shkuar në mendje se përse i duheshin tutat Farukut.
“ Menjëherë bana shurrën nëpër tuta , pak metro e pak minuta para peshimit. Shurra më hoqi gramët e tepërta nga kompostoja , bile edhe pak ma shumë, aq sa , unë dola para dy rivalëve të mi, njëri prej të cilëve ishte spanjoll, tjetri, s’më kujtohet. Më vonë, edhe juria, sigurisht që edhe Zyhdia e morën vesh hilen teme dhe, nuk kishin ça me ba tjetër , përveçse me u shkri gazit. Kurse unë erdha në Shqipni me një alamet trofejet.”
Kështu është kthyer përherë të dytë në atdhe Kalleshi, për t’u treguar pastaj plot hare shokëve këtë histori gazmore, sigurisht duke i dhënë me mjeshtri kolorin e duhur .
Mbase Gorki, kur shkroi tregimin e mrekullueshëm “Legjenda e zemrës së zjarrtë”, sigurisht që duhej të ketë takuar ndonjë njeri si Faruk Kalleshi nga Shkodra.
Nga qyteti që prodhon njerëz që dashurojnë me furi të verbër. Që urrejnë me të njejtën furi .
Dhe që dorëzohen menjëherë para një zemre që hesht në pëllëmbën e dorës….
….
Më së fundi qe bërë e mundur që të shkonte jashtë shtetit me sportistët edhe ai, Fari Fani,. Ishte inspektori i sporteve të rënda të Shkodrës dhe nuk kishte dalë asnjëherë jashtë shtetit.Ishte viti 1978 dhe garat zhvillloheshin në Selanik.
Faruk Kalleshi shpallet nënkampion I Ballkanit dhe, me kampionin, një bullgar si edhe me fituesin e vëdit të tretë, që të tre, zënë vend në podium. Përplot njerëz. Në kohën kur po i vinin medaljen, Faruk Kalleshi ka parë nga Fari Fanin. Ai po…
“…qate si me kenë lotë kur të vdes nji njeri i afërt; vetëm në Shkodër dijnë me u gëzu për gëzimin tand njashtu o Riza Lahi, ndigjoje Farukun . Alamet Fari Fanit po qate për gëzimin tem, si i prishun nervash. Ka kenë tanë aj tension. Qate me za e pa i fshi as pa i mshehë lotët “.
Në shpirtin e Faruk Kalleshit shpërtheu e njëjta furi, si atëherë kur u sul me pesëkilogramshen në dorë duke uluritur me sy të çakërdisur ” Kujt ia kam…nanen?”.
Veçse, këtë radhë në krejt ndryshe. Që nga podiumi, ende pa mbaruar ceremonia e marrjes së dekoratës dhe pa e çarë aq shumë kokën për ‘të , shqiptari shtatshkurtër, si plumb pistolete, është sulur te vendi ku po derdheshin lotë.
Ai i është hedhur në qafë Fari Fanit dhe e ka përqafuar pa e çarë kokën se çfar bëhej përqark. E ka përqafuar, sikur të përqafonte Shkodrën që ishte aq larg nga ai vend me emrin “Thesaloniki”.
Post scriptum – Eshte mars, 2007. .
Jam në makinën e Kalleshit ku buçet kënga e tij më e dashur e jetës – “çile njatë zemër plot kujtime” dhe po ecim drejt Shkodrës. Më zgjat celularin dhe lexoj dy mesazhe. Njëri ardhur nga Edi Rama , kryetar i bashkisë së Tiranës dhe Kryetar i partisë më të madhe të opozitës, PS: “Rrofsh, gjigant! Je gjigant”.
Dhe një mesazh ardhur nga Sali Berisha, kryeministër i vendit dhe kryetari i partisë më të madhe të pozitës, PD:
“Të falënderoj për arritjet në sportin e peshngritjes. Ke qënë sportist i madh dhe je trajner i madh”
RIZA LAHI
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply