Nga Mark Simoni
Në manifestimet e mëdha demokratike të viteve ’90, tundeshin portretet e Ismail Kadaresë dhe të Rexhep Qoses. Por, ndërsa ai i Kadaresë vazhdoi gjatë të mbahej nga manifestuesit, portreti i Qoses nga dita në ditë, nga njëri shesh tek tjetri nisi të hepohej, vidhisej dhe të binte dalë nga dalë, derisa u zhduk krejt. Nuk u pa më. S’e mora vesh pse ndodhi kjo?!
Unë ia pata lexuar dhe romanin “Vdekja më vjen prej syve të till” edhe studimin “Panteoni i rralluar” (si dhe disa drama që i pati shkruar andej nga vitet ’70), dhe më patën pëlqyer; e para si letërsi dhe tjetra si kritikë monografike per Naimin. Kishte stil, ndryshe klisheve të kritikës sonë.
Në 2003 Botuesi i “Koha Jonë” më tha se do të ishte mirë t’i merrnim Rexhep Qoses një intervistë, mbasi kishte ardhur në Panairin e Librit. Atëherë unë drejtoja faqet e Kulturës dhe Letërsisë në gazetë.
Qosen e takova për kafenë e mëngjesit, dhe biseduam rreth librave të tij si dhe letërsive andej dhe këndej kufirit. I thashë për intervistën dhe i dorëzova pyetsorin. Përgjigjet do t’i përgatiste në pushimin e drekës dhe intervistën do ma dorëzonte pasdite në Panair, pasi do e botonim menjëherë.
Ndër dhjetë pyetjet që kisha përpiluar, vetëm dy dilnin jashtë analizës së letërsisë, ku unë Qosjen e pyesja jo për veprën e tij, por për veprimtarinë e tij. Unë e pyesja për shkrimin e tij në vitin 1980 në gazetën “Rilindja” ku ai i thurte elozhe dhe ditirambe Josif Broz Titos. (A kishte ndryshuar qëndrim ndaj deklaratave që pati dhënë atëherë). Ndërsa pyetja tjetër e imja konsistonte në një letër që Androkli Kostallari i drejtonte Komitetit Qendror (Behar Shtyllës), si raport sekret mbi detaje të bisedave të dy gjuhëtarëve në takimin e tyre në vitin ’70 (kur Qosja vizitoi Shqipërinë), dhe mbi deklaratat e tij të një natyre ekstreme bolshevike.
Përsëri pyetsori kërkonte të dinte nëse Qosja kishte një qendrim të ri në raport me regjimin shqiptar të para viteve ’90.
U bë krejt i ftohtë, dhe tha që intervistën për “Kohën …” ta shtynim për një herë tjetër.
E kam takuar dhe dy radhë të tjera, por asnjëherë nuk e përmendem më faktin se na ka mbetur një intervistë pa realizuar.
Mendoj se edhe sot pas kaq shumë vitesh unë do ia bëja përsëri po të njējtat pyetje për letërsinë e tij, që ia kisha lexuar dhe ia vlerësoja. Por patjetër që do ia drejtoja përsëri dhe po ato dy pytjet (që sot nuk kanë mbetur më dy, por kam më shumë), mbasi tashmë njoh më tepër veprimtarinë e Qoses, polemikën me Kadarenë për Identitetin shqiptar, letrën e hapur me Flora Brovinën, poezitë kushtuar Titos, glorifikimin për diktatorin shqiptar, etj.
Unë mendoj se kushdo ka dritë-hijet e veta, por sidomos njerëzit e njohur dhe publikë, (që pretendojnë të jenë modeli për masën, dhe ku njerëzit kanë varur në to simpatinë dhe besimin e tyre), duhet me patjetër që këto figura të jenë libra të hapur dhe të lexueshëm për këdo.
Nuk jam krejt i sigurt, por mendoj se në atë titullin “Panteoni i rralluar”, ka ca trishtim, ku Qosja mund të ketë ndjerë dhe fatin e emrit të tij, nëse do mund ta fitojë ose jo vendin në Panteon.
Burimi/Facebbook


Leave a Reply