RUBRIKA RRAJËT
(PËR MOS ME HARRUE RRAJËT)
Luigj Gurakuqi (1879 – 1925)
NR.81
Luigj Gurakuqi (Shkodër, 20 shkurt 1879 – Bari, 2 mars 1925); intelektual atdhetar shqiptar,veprimtar i çështjes kombtare, radhitës e nënshkrues i dokumentit të shpalljes së pamvarësisë, njeri i letrave, arsimtar e personazh i politikës shqiptare në çerekun e parë të shekullit 20.
Ashtë njani prej personaliteteve ma të shquem të levizjes kombtare shqiptare në fushën arsimore e kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare e të fillimeve të Pamvarësisë tue përjetue ngjarjet ma kulmore të jetës së vendit në çerekun e parë të shekullit tonë në shumicën e të cilave në mos organizator, pjesëmarrës i drejtpërdrejtë.
Jeta
Leu në Shkodër me 19 shkurt e u pagëzue me 20 shkurt 1879, në gjinin e nji familje tregtare shkodrane të Pjetër Gurakuqit e Lezes (Tereza) e Kolë Prêkës. Çifti pati edhe një djalë tjetër, Gjergjin si dhe dy vajza, Paulinën e Adelajden. Me edukimin e tij u mor në mënyrë të veçantë i ati. I ndodhun gjithmonë pranë të atit, ndigjonte me vëmendje bisedat e diskutimet për ngjarje të së kaluemes si dhe ato të ditës, për kryengritjet popullore e kush i udhëhiqte. Tue kujtue atë kohë, Gurakuqi student pati shkrue:
“Më çohet mall me kenë në shpi e me ndigjue baben tue kallzue, si përpara, në ngjarjet e Pashallarvet të Shkodres, trimnitë e malcorvet e luftat e Malit te Zi, sende qi kishte ndî prej t’et e që edhe ai vetë shume kish pa”.
Shkollën fillore e të mesme i ndoqi në Kolegjin Saverian në rendin tekniko-tregtar, prej ku doli më 1897. Me qenë se i ati ishte sekretar i konsullatës italiane si dhe mbrapa edhe i vëllau përkthyes, Luigji gëzoi përkrahjen e konsullit italian e shkoi me studime në Itali. me bursë të qeverisë italiane. E plotësoi arsimin e mesëm në Kolegjin arbëresh të Shën-Mitër Koronës, ku pati mësues De Radën, që e frymëzoi për tanë jetën; ishte nxënësi i parë shqiptar aty. Takimin me të Gurakuqi e kujton:
«Kam pasë nderin me qenë afritë prej Plakut të nderuem Jeronim De Rada. Tue u-gjetë përpara t’âmblit kangatar të Milosaut, të Skanderbeut Pafanë, tue ndie qortimet e këshillat e tija, tue ndigjue zânin e tij të fikët, qì bâhej mâ i plotë, e tue pa syt e tij të mekun kah ndezeshin e shkelqeshin, tue permêndë Shqipnín, unë gjith përmallue, nuk mujta me u ndalë pa lëshue, bashkë me dy pika lot, nji të puthun të nxehtë mbi at dorë që punoi sá e sá për Atdhé..!»
Diplomën e pjekunisë e mori në Kozencë për sciences naturelles, tue pasë ndjekë edhe kurse të veçanta në filozofi. Vijoi studimet universitare në Napoli në Fakultetin e Mjeksisë në vjetët 1901-1906 ku njohu Zef Skiroin, profesorin e arbnishtes në Institutin Oriental të Napolit.
Aktiviteti patriotik e politik
Kur ishte njëzet vjeç u ba pjesë e shoqnisë “Bashkimi” të Abat Doçit, ku ishte i vetmi anëtar civil. Ngatërresën e parë me autoritetet turke e pati më 1904, për këtë shkak më 1905 u shtrëngue me marrë malet për me i shpëtue ndjekjeve. Me 1907 shërbeu në rolin e sekretarit të Don Aladro Kastriotit, pretendent i fronit shqiptar. Me shpalljen e Kushtetutës në korrik 1908 u kthye në vendlindje, meqë me Hyrrijetin u dha nji amnisti. U ba pjesë e klubit “Gjuha shqipe” ku ishin aktiv M. Logoreci, K. Marubi e R. Dani. Në nandor mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ku u zgjodh nënkryetar e anëtar i komisionit për njisimin e alfabetit. Ai s’bashku me Fishtën ishin përfaqësues të “Bashkimi”-t, kurse me Logorecin kishin mandat me përfaqsue inteligjencën shkodrane, gjithashtu vetë Luigji kishte mandat me përfaqsue arbëreshët e Italisë. Shkroi alfabetet e miratuem prej Kongresit të Manastirit dhe i paraqiti para delegatëve. Në tetor të 1909 u emnua drejtor i Normales që u hap në Elbasan, ku ndihmoi për vumjen e arsimit mbi baza kombtare. Kështu u krijue përvoja e parë e ngritjes së administratës arsimore shqiptare, u hartuen dokumentat e para shkollore, u ngrit nji sistem i tanë i pregatitjes e i kualifikimit të mësuesve.
Prej presionit te pushtuesit turk, detyrohet me ikë prej Elbasanit s’bashku me Aqif pashë Elbasanin. Në prill 1911 mori pjesë në kryengritjen e Mbishkodrës e s’bashku me Ismail Qemalin hartoi Memorandumin e Greçës. Me 1912 zhvilloi nji veprimtari të dendun për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, tue qenë i pranishëm në Toskni e më vonë edhe në bashkëpunim me krenat e Kosovës.
Shoqnoi Ismail Qemalin në mbledhjen e Bukureshtit e në Vienë. Me vaporrin që dhanë austro-hungarezët zbritën në Durrës me 24 nandor në orën 4 mbasdite. Të nesërmen me 25, fjetën nji natë në Çermë te Dervish bej Biçakçiu, e një natë në Fier te Omer pashë Vrioni. Në Vlonë mbërritën me 27 nandor në mbramje.
Në Qeverinë e Përkohshme të Vlonës u zgjodh Ministër i Arsimit e vendosi arsimimin e detyruem fillor për djelm e vajza. Merr pjesë në Konferencën e Londrës më 1913, me Ismail Qemalin e Isa Boletinin.
Gjatë Luftës I Botërore Shkodra pushtohet prej malazezeve, Gurakuqi u internue në Podgoricë prej 17 korrik 1915 deri në janar 1916. Gjatë pushtimit austro-hungarez, u caktue drejtor i përgjithshëm. Ishte njani prej themeluesëve të Komisisë Letrare me 1916, i çmuem prej akademikut Radomir Nachtingall.
Në qeverinë e formueme prej Kongresit të Durrësit, L.Gurakuqi përfaqësoi Shkodrën e Mirditën, u emnua zëvendës i dr. Turtullit në ministrinë e Arsimit të kabinetit Përmeti. Kujtojmë se qysh në mbledhjen e parë të Kongresit, me 1918, L.Gurakuqi “âsht kundër që në nji mbledhje kombtare të përmenden fjalët toskë e gegë e të krishtenë e mysliman”, kërkon që këto fjalë me qenë të ndalueme e shton se “…çështja e lirisë dhe e nderimit të feve në Shqipni duhet të zgjidhet mbas formulës: “Feja e lirë në shtet të lirë”. I ngarkuem prej kësaj qeverie si anëtar i delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris ku qendroi 15 muaj. Çdo shkresë e përdorun prej delegacionit u shkrue prej duerve të tij e të Mustafa Merlikës.
Kongresi i Lushnjes
Me mbështetjen e hapun të klerit katolik, me 1921-1924 u zgjodh deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar.[14]
Me 5 mars 1924 u sëmue randë prej gripit të fortë që e mbërtheu rreth nji muej në shtrat. Shtypi i dha vëmendje të veçantë, aq sa Avni Rustemi i thonte Dom Shantojës “Opozita po pushon: Kemi Gurakuqin e sëmurë”. Në përpjekjen e mesit të prillit për nji kabinet koalicioni sa ma të gjanë, Gurakuqit e Fahri Gjilanit i ofrohen dy poste në qeverinë Vërlaci, prej ku dha dorëheqjen më 14 maj.
“Grushti ushtarak i shtetit” i qershorit 1924.
Vetëm mbas nji hezitimi e kundërshtimi të fortë, të pohuem prej tanë bashkekohësve, Gurakuqi mori pjesë në Komitetin revolucionar që çoi drejt “Grushtit ushtarak të shtetit” të qershorit 1924″ ku mori detyren e armatosjes së kaçakëve të Nikaj-Mërturit. Në qeverinë Noli që doli mbas “Grushtit ushtarak të shtetit” u emnue ministër i Financave. Mori pjesë në Konferencën e Gjenevës krahas Nolit më 1924.
Për veprimtarinë e tij si ministër pati shkrue Vinjau:
«… si ministër i Financavet i Kabinetit Noli bëri çudira. Gjeti 4 milion franga ari të papaguara; me administrimin e tij të shkëlqyer, me ngursimet e tij (ngursente parat e Shtetit më tepër se paratë e tij) arriti që jo vetëm buxhetin e ri t’a mbyllnjë me një tepricë prej 1.000.000 franga ari, po edhe të gjithë borxhet e Shtetit të kohës së kaluar të paguhen; nëpunësit të cilët prej 2-3 vjetëvet qenë mësuar të paguheshin me një vonesë prej 3-4 muajsh, arritne ditët e fundit të administrimit të tij të paguhen rregullisht. Dhe barasimin e buxhetit e bëri pa mbyllur asnjë pagesë të dobishme në arësim e P. Botore, pa pakësuar ushtrin dhe duke i dhënë xhandarmëris sa kërkoj Komanda e Përgjithëshme.»
Mërgimi e vdekja
Mbas triumfit të legalitetit shkoi në Itali. Me 7 janar 1925 përfaqësuesi sovjetik në Vienë lajmëronte zëvendëskomisarin e punëve me jashtë, sovjetikun Litvinov, se Gurakuqi ishte dakord për bashkimin në një front opozitar me ndihmën e tyne. Çka ma vonë, pati qenë formue organizata me emnin Konare-ja. Qeveria Noli u akuzue për grabitjen e thesarit të shtetit, por Gurakuqi ngarkoi Xhemal beg Bushatin me i dorëzue Shefqet Dibrës, inspektorit të financave i dërguem prej qeverisë së Zogut, të paprekun arkën e shtetit.
Mbramjen e 2 marsit 1925, në restorantin e hotelit “Cavour”, Gurakuqi po darkonte me dy miq të tij e gruen e njënit prej tyre: Riza Danin me bashkëshorten Makbule e vëllaun e tij, Dan Hasani. Gurakuqi, kërkoi leje prej tyne tue thanë: “due me shkue me takue Sotirin, mbâsi i kam premtue nji kukull vajzes së tij.” Tue dalë prej restorantit të hotelit u ballafaque me Balto Stamollën ( djalin e tezes së tij ), i cili i zbrazi tre plumba… Në xhepat e shkyem të ish-Ministrit të financave policia italiane gjeti vetëm 350 lira…! Kjo ishte hakmarrja e Zogut që nëpërmjet ministrit të mbrendshëm të asaj kohe, Ceno beg Kryeziut organizoi në mënyrë djallëzore atentatin. ( Mbrapa Kryeziu ” me mburrje” në nji deklaratë të tij publike, pati marrë përsipër organizimin e vrasjes)
Kuestura lajmëroi koloninë shqiptare që ceremonia nuk mund të zhvillohej në qytet, por vetëm brenda mureve të vorreve. Drejt Barit u drejtuen refugjatë shqiptarë prej gjithkah. U mbajtën fjalime prej bashkëshortes së Sotir Gjikës, zonjës Lilli Quarta, Ll. Fundos, B. Valterit etj. Miku i tij, Hasan Prishtina, mbi vorrin e tij do të shprehej: “Flej i qetë Gurakuq, shpagen tânde do ta marrim me përparimin e Shqipniës.”
Riatdhesimi
Në çastet e përgatitjes së vorrimit, miku i afërt i Gurakuqit, Gjon Kamsi ruejti veshjen me të cilën, patrioti i madh shqiptar, kishte qenë veshë kur u vra. Me 27 nandor 1957 qeveria komuniste që në dukje mbështeste “Grushtin ushtarak të qershorit 1924, pruni në Shkodër eshtnat e tij, të cilët u rivorrosën te vorret e dëshmorëve. Regjimi komunist i dha titullin Hero i Popullit.
Abetare e Gurakuqit (Lek Gruda), Bukuresht, 1906
I frymëzuem prej Lidhjes së Prizrenit e idetë nacionaliste, vjershën e parë e ka shkrue 13 vjeç. Nisi shkrimet me pseudonimet Marosh Ujka, Jakin Shkodra, Lek Gruda, Pjetri e Pali, Hamidi. Me veprën “Vargënimi n’gjuhë shqype” e nji fjalorth shqyp-frengjisht botue në Napoli me 1906, bani të parën përpjekje të suksesëshme për kodifikimin e metrikës së poezisë shqiptare. Po atë vjetë botoi në Bukuresht librin Abetar i vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime n’dy dhialektet e në Napoli Fjalorth Shqyp-Frengjisht e Frengjisht-Shqyp i fjalëve të reja etj.
Sa i përket përkushtimit të tij të gjuhës shqipe, Atë Justin Rrota shkroi: «gjuhën shqype e njofti (L.G.) mâ mirë e mâ këthelltë se çdo shqyptár».I dha shkollës shqipe, si autor e bashkautor, 8 tekste mësimore me një vëllim prej 738 faqesh. Ka merita të veçanta për zhvillimin e gjuhës letrare shqipe, në përpunimin e gjuhës letrareie në njësimin e shqipes së shkrueme, në stabilizimin e drejtshkrimit, në pasunimin e fjalorit, në çështjet e leksikologjisë, terminologjisë e të gramatologjisë. L. Gurakuqi është tekstologu ma i shquem shqiptar i fillimit të shekullit tone. Parashtroi në parlamentin shqiptar ide e mendime për politikën arsimore e rrugën që duhet të ndiqte shkolla shqiptare.
Sipas nji shkrimi përkujtimor të P.Anton Harapit, interesat kulturore të Gurakuqit shtriheshin prej kulturës klasike romake e latine, historia e vendit e ajo botnore, arkeologjinë, shkencat ekonomike e financiare, trashigiminë pedagogjike kombëtare e europiane. Zotnonte latinishten, italishten, turqishten e frëngjishten, njihte greqishten e gjermanishten, flitet edhe anglishten e kishte nji kujtesë të çuditshme.
Asht ndër hartuesit kryesorë të programit arsimor e kulturor të levizjes kombëtare për autonomi, liri e pamvarësi. Në kët kuadër ai ishte njohësi e propaganduesi ma i mirë i traditave të popullit tonë, i traditave kulturore e patriotike, i traditës gojore e shkrimore e i psikologjisë së popullit shqiptar.
Si krijues Gurakuqi pati marrëdhanie të shkëlqyeme me elitën intelektuale të vendit. Disa prej veprave e krijimeve të veta Gurakuqi ia kushtoi At Gjergj Fishtës, Imzot Prenk Doçit, Hilë Mosit e Mati Logorecit. Por edhe Gurakuqit i drejtohen mjaft dedikime e përkushtime prej Filip Shirokës, kuese Hilë Mosi e quen bylbyl në tingëllimin që i kushton, “S’kndôn bylbyli”. Gjergj Fishta i dedikon atij vepren “Pika e voeset”.
Trashigimia
Miqtë e tij e kujtuen në mënyra të veçanta, Noli i kushtoi poezinë elegjiake me titull “Syrgjyn vdekur”, ndoshta ma e ndjera ndër poezitë shqiptare. Në publicistikë kanë shkrue për të P. Harapi, P. Shllaku, S. Vinjau, F. Fishta e Dom L. Shantoja.
«Tjetërkund, njerzt e idealit, ne u mbytshin për së gjalli, nderohen per së dekuni. Ndër né, ata mbyten dy herë: edhe harrohen? Nji komb qi lindet ká nevojë për fatosa qi desin. Por fatosat qi desin nuk kan çë bâjn në nji komb qi i harron e i përbuzë?» (Shprehet e P. Gjon Shllaku në nji artikull përkujtimor të përvjetorit të vrasjes.) Profecia e Pader Gjon Shllakut pati qenë vertetue shumë vjetë ma vonë , në kohën e projektimit e të vendosjes së monumentit të pamvarësisë në qendren e Vlonës, komunistat enveristë eleminuen qëllimisht figurën e Luigj Gurakuqit prej ati monumenti…!)
Miku i tij, piktori dhe fotografi Kel Kodheli, i kushtoi nji kompozim në voj mbi karton, në përmasat 55 me 78 cm, ku ka fiksue kthimin në Shkodër të Gurakuqit mbas shpalljes së kushtetutës turke, me 2 korrik 1908. (Mbas zbarkimit te moloja e qytetit, anës pajtonit, të cilit në çast turma që shtyhej për me i dalë para, ia ka zgjidhë kalin, për me i tërheqë vetë shtagat e pajtonit e për me çue Luigjin deri të Milet-Bahçe, në qendren e qytetit) Piktura u ekspozue në shtëpinë e Gurakuqve kur shndërrua në shtëpi muze më 19 shkurt 1964. Sot shtëpia muze e Luigj Gurakuqit nuk egziston ma…, falë kjo indiferentizmit të pushtetit vendor si edhe atij qëndror për kët figurë të madhe të shqiptarizmit…!
Atdhetarin e ” pa shoq” shkodran, martirin e lirisë, Luigj Gurakuqin komuniteti shkodran e nderoi me dhanien e emnit të tij, universitetit të Shkodrës ( gjatë kohës së diktaturës komuniste), kurse në vjetin 1992, Bashkia Shkodër në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës mundësoi vendosjen në pikën qëndrore të qytetit, aty ku ma parë qëndronte krimineli Stalin, monumentin madhështor të Luigj Gurakuqit. Gjej rastin me falënderue publikisht artistin shkodran, skulptorin e shquem Ferid Kola për projektimin e punimin me cilësi të naltë artistike të këtij monumenti madhështor që nderon Shkodrën e të tanë Shqipninë.
Burimi/Facebook/Pro Gegnisht/Filip Guraziu


Leave a Reply