Ai e kishte kthye fytyrën kah deti. Nji libër e mbante n’duer. Mbase ishte Bibla! Mbase ishte libri i burgut “Rrno për me kallxua”!
Muzgu po rrëzohej n’syprinën e detit. Dielli ishte ba qerep i kuq, diku mbas Bunës! N’mendje m’erdhën vargjet e Filip Shirokës “Zhduket Buna nën nji kodër, zhduket Shkodra nën nji mal”.
Po!
N’Shëngjin po zhdukej dielli mbas Bunës e unë po rrija para bustit të At Zef Pëllumbit!
At, çka me kallxua unë, që po rrnoj n’përendimin e diellit, tue shitë libra?
Çka me iu thanë atyne, që po kujtojnë se jam i madh, e, i madhi zvoglohet, po thonë, kur ulet n’rrugë me i knua hallet e veta!
Çka me kallxua unë, që po rrnoj me shkrua, e shkrimet me i ba ushqim shpirti, për ditën e nesërme? Edhe pak bukë me ba!
Po rrnoj, por s’po muj me kallxua, sa duhet e si duhet, se t’gjithë janë ba artistë e teatri i shqiptarëve asht ba Evropa! Atje po i kullosim sytë e baglat po i hudhim n’bregdetin e bukur!
Po rrnoj e s’po m’lanë me iu thanë: Se NONGRATA do t’jeni për Mbretnitë, sa herë t’ia ktheni kurrizin Shqipnisë e ta merrni ngryk sllavin!
Sa herë ta urreni vetën e vëllaun, aq herë t’pa dëshiruem do t’jeni për teatrin Evropjan!
Ky Edi, sa do që zgjatët, s’asht Prek Cali me ia rrëzua vetullat sllavit, si diellin mbas Bunës e me i ruejtë bjeshkët e Kelmendit!
Salihu, sa do që krruset, s’asht artist si Kadri Roshi, me dridhë Drinin e Semanin e me ruejt nga Greku Butrintin!
Këta kujtojnë se janë Moisiu me Unazën e Inflantit, që t’mos jenë NONGRATA, për Mbretninë angleze e për Amerikën e Konicës!
Që të dy i kan mbushë koshat o At!
M’thuej, kush tha “Rujma Zot Shqipninë prej shqiptarëve”, se kam harrua?
A thua, ky Kurti, a do t’jetë pak Konicë, pak Fishtë e pak Devë, që ti fus pleshtat n’thes?
Kujt me i kallxua e për çka me rrnua o Zef Pëllumbi, kur randë po iu vjen, që po i shes shkrimet e mia t’vockla, e po i shoh gabimet e tyne të mëdhaja, ulun n’stolin e qytetit!
Sa shumë pata me folë, sikur t’mos me shponte thirrja e malësores së bukur: “A don qymyr zotni”!
Eh Migjen i Vrragës, sa mirë u fute n’shkrimet e mia, them, e rrak-rrak bajnë rrotët e kuferit me libra, si nallçet e kalit të ngarkuem me qymyrin e malësorës se bukur!
Shikoje ket qen, komunistin e plakun, paska dalë prap me libra, thonë dy burra, n’kalim e sipër!
Unë buzëqeshi e sharkisë ia fali zanin:
-Hajmedet për ty Shqipni, shumë baloshi zhgrryhet n’ty-!
Shëngjin, 24.07.2022
Burimi/Facebook/Autori


Leave a Reply