Promovimi i sotëm në Gjakovë i tre veprave të shkrimtares dhe humanistes Flora Brovina, organizuar nga Shoqata e Intelektualëve “Jakova”.
Autorja Flora Brovina kësaj radhe vjen para lexuesit me një vepër të prozës së gjatë, roman, duke trajtuar temën e përpjekjeve të popullit shqiptar të Kosovës në luftën për çlirim, përcjellë prej tronditjeve, përndjekjeve e dënimeve në kohë të gjata disa dekatëshe nga pushteti serb, si dhe plot nëntema që dalin e gjenerohen në shtjellim të temës qëndrore.
Për të realizuar romanin “Udhëkryqi”, autorja bazohet në zhvillime, ngjarje e rrëfime reale, pjesa më e madhe e të cilave të përjetuara nga familjarët paraardhës të linjës së ngushtë familjare të saj, gjë që i jep këtij vëllimi një vërtetësi të pamohueshme në të gjithë lëndën që trajtohet.
Rrëfimi është i bazuar në disa linja, që të gjitha të gërshetuara me njëra-tjetrën, të lidhura e të ndërvaruara mes tyre në mënyrë të tillë që të gjitha së bashku krijojnë një tablo në prizmin gjeneral të kohës, dhe po ashtu, secila prej tyre, nëse do të trajtohej veçmas, do të paraqiste një ngjarje më vete, po ashtu përfaqësuese për kohën, vendin dhe rrethanat.
Zhvillimet nisin që para kohës së Luftës së Dytë Botërore, në ambientin e Gjakovës, qytetit nga ka prejardhjen familjare edhe vetë autorja, dhe personazhet kryesorë, ata që janë determinantë në përjetimin e situatave, janë pikërisht familjarët pararendës të saj. Në krijimin dhe zhvillimin e subjektit, si pjesë jetike e tij, autorja paraqet Shpresës, nënën e Kelmendit, Besnikut dhe Besës, të cilët në përshkrimin e autores marrin jetë dhe ravijëzohen në një portretizim të qartë, si përfaqësues dhe mbrojtës të identitetit, aspiratave dhe të drejtave të shqiptarëve. Kronologjia e rrëfimit e ndihmon lexuesin të krijojë një tabllo të qartë të zhvillimeve historike dhe pavarësisht se kemi të bëjmë me një vepër letrare, ajo furnizohet apo merr shkas tërësisht nga zhvillimet e kohës, të cilat kanë qenë gjithëpërfshirëse për gjithë popullatën. Vdekja e bashkëshortit të Shpresës shërben si sipar i një rrëfimi të tejmbushur me ngjarje, pësime, ngritje dhe rënie, vuajtje e dënime të skajshme të një drame të vazhdueshme që shpesh merr tonalitet tragjik. Derisa ka mbetur tërësisht e vetme, Shpresës i duhet t’i rrisë e vetme fëmijët dhe krahas kësaj, të përballet me mentalitetin që jo vetëm se e rëndon krizën e saj ekonomike dhe familjare, por shndërrohet në një sfidë, herë-herë edhe më të rëndë se vetë fatkeqësia që po përjetonte. E vetmuar në udhëkryqin e jetës, ajo i përkushtohet tërësisht fëmijëve, rritjes dhe shkollimit të tyre, dhe është shumë e rëndësishme për t’u theksuar, se dora dhe qenia e saj si nënë, do t’i ndjekë ata gjatë gjithë jetës edhe në vendet më tragjike, në burgosje e tortura, sa në kampet e përqëndrimit nazist, sa në burgjet e ish Jugosllavisë, si Goli Otoku etj. Në fakt, nëse do ta trajtojmë metaforën e udhëkryqit si element të jetës së kësaj nëne dhe familjes së saj, atëhere do të thonim se ky udhëkryq mishëron mirkosistemin e kuadrit të rrëfimit, dhe në këtë mirkosistem kemi personazhet që lakohen e farkohen në rrugët e jetës, në përballje me rrahjet e fatit e shkelmimeve të politikës; ndërsa nëse metaforën e udhëkryqit do ta trajtojmë në kuadër të makrosistemit, atëhere atë do ta analizojmë në kuadër të fatit të vetë popullit tonë, i ndarë padrejtësisht në 1913-ën, i nëpërkëmbur nga vendimet diskriminuese të perandorive të mëdha, mandej i tradhëtuar nga interesat prosllave që krijuan Jugosllavinë, i zhgënjyer dhe i dëmtuar vazhdimisht në hapërimin drejt njohjes së të drejtave të tij, e plot e plot sfida gjithëpopulllore e gjithëkombëtare.
Autorja lë personazhet të flasin me gjuhën e veprimit, me emocionin e faktit, me të drejtën e së vërtetës, gjë e cila bën që romani të kthehet në një tribunë tepër të rëndësishme letrare në shërbim të së vërtetës sonë historike. Lënda romanore është e pasur me veprime e pësime, vendime e deklarata tepër të fuqishme, si në prizmin individual, ashtu edhe në atë kombëtar. Fakti që personazhet i përkasin arealit të Gjakovës bën që shpesh në të, të ndeshemi me personazhe realë, si Xheladin Hana dhe shumë të tjerë nga familja Hana, Bije Vokshi, E. Duraku, M. Lakuci, G. Tërbeshi, Shefkije Dobruna, Shani Nushi, Zija Hamalli, dhe plot e plot familje gjakovare, ose plot individë që autorja ka vendosur t’i shfaqë vetëm me iniciale…
(fragment nga vështrimi kritik i prof. Migena Arllati për romanin “Udhëkryqi”)







Burimi/Facebook/Migena Arllati


Leave a Reply