
Nga Bojana Milovanoviç për Southeast European Times në Beograd
Shtetasit në pjesët e mbizotëruara nga serbët në Kosovën e Veriut po ndjekin nga afër bisedimet midis Beogradit e Prishtinës dhe kundërshtimin e kushteve të parashtruara nga BE në këmbim për nisjen e bisedimeve të pranimit.
“Nuk duam targa të Kosovës, kartat e identitetit të Kosovës dhe një kufi me Serbinë qendrore. Nuk duam të paguajmë taksa për institucionet e Kosovës. Do të luftojmë kundër të gjitha këtyre me të gjitha mjetet demokratike,” tha për SETimesSllavica Raduloviç, një banor i Mitrovicës.
Ndonëse BE ndërmjetësoi për ditë të tëra midis Beogradit e Prishtinës, qeveria serbe vendosi të hënën të kundërshtojë një propozim për të hequr dorë nga kontrolli i zonës në këmbim për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të saj në BE. *Zyrtarët e Kosovës shprehën pakënaqësi që Beogradi e kundërshtoi planin. “Propozimet e bëra nga BE i shërbejnë paqes,” tha në një deklaratë qeveria e Kryeministrit Hashim Thaçit. “Evropianizimi dhe stabiliteti në rajon do të shënojnë fillimin e përfundimit të një konflikti historik në rajon.”
Në një deklaratë, qeveria të hënën tha se propozimi “nuk do të garantonte të drejtat e njeriut, mbijetesën dhe sigurinë e serbëve në Kosovë.” Qeveria do të kërkojë një rinisje të bisedimeve për t’u ndërmjetësuar nga BE.
Një shqetësim kryesor përqendrohet në atë nëse një shoqatë e komunave serbe në Kosovën e veriut, një rajon me rreth 70,000 vetë dhe 1,200 kilometra katrore, duhet të ketë juridiksion ekzekutiv. Prishtina e kundërshton një plani të tillë.
Në qoftë se institucionet e Kosovës ngrihen në veri, kjo do të shpjerë në një eksod në masë të serbëve,” tha Raduloviçi. “Por besojmë se komuniteti ndërkombëtar dhe Serbia nuk do t’a lejojnë këtë.”
Pakënaqësia e serbëve ndaj institucioneve të Kosovës është një problem thelbësor dhe është vendimtare që serbët e Kosovës të kenë perceptimin e sigurisë, tha Oliver Ivanoviç, ish-sekretar i shtetit për Kosovën e Metohinë, që tani drejton nismën qytetare Serbi, Demokraci, Drejtësi që funksionon në Mitrovicë.
“Qofshin në jug ose në veri të Kosovës, gjëja më e rëndësishme për serbët është siguria. Gjendja ekonomike është gjithashtu e rëndësishme, por nuk mund të ketë përmirësim ekonomik pa sigurinë e jetës njerëzore,” tha Ivanoviçi për SETimes.
Ivanoviçi shpjegoi se qeveria serbe do që serbët të përfshihen në Kosovë, por të mbajnë gjithashtu lidhje të forta me Beogradin.
“Kjo nuk është aq keq, po të ketë unitet. Vetëm në qoftë se qëndrimi i udhëheqjes serbe është i bashkuar ka një shans për zbatimin e marrëveshjes,” tha Ivanoviçi. Por serbët e Kosovës e bënë të qartë se nuk do të bien dakort me shoqatën e propozuar të komunave serbe në qoftë se nuk ka ndonjë autoritet.
Po qe kështu, serbët do të kërkojnë mbrojtje nga organizatat ndërkombëtare, sipas Kërstimir Pantiç, zëvendës/drejtor i Zyrës për Kosovën e Metohinë të qeverisë serbe.
“Ashtu siç Prishtina në shpalljen e saj të pavarësis, përmendi të drejtat e njerëzve për të vendosur vetë , kështu deklarojmë një ansamble të komunave tona dhe në qoftë e nevojshme do të kërkojmë mbrojtjen e këtyre të drejtave nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë,” tha Pantiçi për SETimes.
Përfaqësuesit e komunave i kërkuan zyrtarisht komunitetit ndërkombëtar të përmbahet nga përfshirja e tyre, por gjithashtu kërkuan që njësitë ndërkombëtare të parandalojnë Prishtinën nga përdorimi i dhunës në veri dhe në rajonet e tjera me popullsi serbe në Kosovë.
“Presim që forcat ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë e Metohi të përmbahen nga masat e njëanshme dhe të pengojnë në kohë çdo përpjekje nga të ashtuquajturat autoritete të Prishtinës për të rrezikuar paqen dhe sigurinë në veri të Kosovës e Metohisë dhe në rajonet e tjera të populluara nga serbët, nëpërmjet veprimeve të dhunshme,” tha një deklaratë e miratuar javën e shkuar në një seancë të përbashkët të komunave.
Në seancë morën pjesë përfaqësues të asambleve të komunave të Leposaviçit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës.
Përfaqësuesit po kërkojnë që UNMIK të zëvendësojë EULEX me dhe që kontingjenti rus i KFOR-it të kthehet në rajonet serbe të Kosovës.
“Kontingjenti rus do të jetë një garanci për paqen dhe stabilitetin për popullin serb,” tha deklarata.
A duhet që BE të vazhdojë rolin e saj si ndërmjetës në bisedimet Kosovë-Serbi? Jepni opinionin tuaj më poshtë. * Korrespondetja Linda Karadaku në Prishtinë kontribuoi për këtë raport.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply