
Nga Igor Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd
Ligji i Serbisë forcon dënimin për pedofilët e shpallur fajtorë. [Nikola Barbutov/SETimes]
Parlamenti i Serbisë miratoi një ligj që do të krijojë një rregjistër shtetëror të pedofilëve dhe përdhunuesve të shpallur fajtorë, duke i ndaluar ata t’u afrohen shkollave e shesheve të lojërave dhe krijon ndëshkime më të ashpra për ata të shpallur fajtorë.
Ligji, i miratuar të hënën (8 prill) është quajtur “Ligji i Marias” për Maria Jovanoviç, një vajzë tetë vjeçare që u sulmua dhe u vra në Stari Ledinci, Vojvodinë, Serbi, tre vjet më parë.
I ati i Marias, Sllobodan Jovanoviç, paraqiti projekt-ligjin.
“Do të doja që fëmija im të ishte e fundit pas së cilës do të quhet një ligj i tillë,” tha për SETimesJovanoviç, një çelësabërës.
Sllobodan Homen, përfaqësues i Partisë Demokratike të opozitës, foli në mbështetje të ligjit.
“Eshtë e rëndësishme që ligji i ri ofron opsionin e kontrollit të pedofilëve dhe përdhunuesve pasi kanë vuajtur dënimet me burg, sepse është vërtetuar se në 80 përqind të rasteve e përsëritin shkeljen,” tha Homeni për SETimes.
Sipas ligjit, pedofilët e përdhunuesit mund të jenë nën mbikëqyrjen e policisë dhe do të ndalohen të vijnë pranë kopshteve të fëmijëve, shkollave e shesheve të lojërave të fëmijëve. Një rregjistër i posatçëm do të krijohet për pedofilët me mostra të ADN-së të mbajtura në dosje.
Ligji gjithashtu ndalon gjykatat për të shkurtuar dënimet e pedofilëve të dënuar apo për të liruar kriminelin me kusht.
Olgica Batiç, deputete nga Partia Kristian Demokratike e Serbisë, mbron gjithashtu tredhjen kimike të pedofilëve, ndonëse kjo nuk është mbuluar në ligjin e ri.
“Mendojmë se kjo masë është e justifikuar në raste të tilla,” tha Batiçi.
Më 2012, në Serbi u arrestuan 15 vetë në një operacion të pedofilisë të quajtur “Armagedon.” Shumica e të dyshuarve në këtë rast i gjetën viktimat në internet.
Ligji është më i fortë se ligjet në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH). Pati rreth 50 raste të sulmeve të papëlqyeshme ndaj të miturve në Republikën Sërbska gjatë dy viteve të kaluara. Në shumicën e rasteve, abuzuesi është babai ose një anëtar tjetër i familjes. Për shkak të frikës, drojës e turpit, familjet dhe fëmijët shpesh nuk i njoftojnë raste të tilla.
Ndonëse ligjet penale të Republikë Sërbska, Federatës së BiH dhe Qarkut të Bërçkos japin dënime për veprimet e karakterizuara si pedofili, nga tre muaj deri në 20 vjet burgim, dënimi për keqbërësit është zakonisht i butë.
Psikologja Jasminka Dizdareviç, që kontribuon në Azra Magazin dhe botime të tjera, tha se një bazë të dhënash e autorëve të krimeve seksuale në vend duhet të ekzistojë, në dispozicion të shtetasve në përgjithësi për mbrojtjen e tyre.
“Ka një supozim se krime të tilla mund të përsëriteshin. Kështu që duhet të ketë të dhëna publike për persona të tillë, për të siguruar se shtetasit e dinë se jetojnë pranë personave të tillë. Sapo keqbërësit të jenë “shënuar’ në publik, do të mendojnë përpara se të përsëritin një krim,” tha Dizdareviçi për SETimes.
Në Rumani, senatori Dan Voikulesku nisi në 2012 një ligj kundër pedofilisë për të rritur dënimet që krime që kërcënojnë jetën, integritetin fizik e psikologjik. Në blogun e tij ai shkroi në shkurt 2013 se pedofilia, përdhunimi dhe vrasja shkatërrojnë fatet e mund të shkatërrojnë mbarë shoqërinë.
Veprimet e policisë rumune dhe institucioneve të tjera rumune apo të huaja zbulojnë vazhdimisht rrjete pornografish e prostitucioni fëmijësh. Rumania është e njohur si vendi nga i cili vijnë shumë viktima që transportohen për shfrytëzim jashtë vendit.
Fëmijët që jetojnë në rrugë dhe fëmijëve që u mungon mbikëqyrja prindërore bëhen lehtë viktima të pedofilisë.
Në këtë histori kontribuuan Ana Lovakoviç në Banja Lukë dhe Gabriel Petresku në Bukuresht.
Sipas opinionit tuaj, përveç miratimit të legjislacionit të ri, çfarë masa të tjera sociale do të pakësonin pedofilinë? Përdorni forumin e komenteve më poshtë për t’iu shtuar diskutimit.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply