Profesioni i parë ngjan me dashurinë e parë, pra nuk harrohet kurrë. Profesioni im i parë është inxhinier gjeolog.
Shpresoj që, duke ju folur për disa gjëra që lidhen me gjeologjinë, të më thoni: “Nuk na i hëngre kohën kot”.
Përditë ecni nëpër rrugë të shtruara me asfalt ose me gurë. Sodisni ndërtesa institucionesh kulturore apo shtatore të veshura me granit, mermer ose travertinë. Ju bëjnë përshtypje gurët e çmuar në unazat e prindërve apo të miqve… Ka prej jush që gjatë verës u bini kryqetërthor maleve, hyni në shpella, admironi stalaktitet në tavanet e tyre dhe kristalet e rritura anash, nëpër të çara; ndaloni para gurësh të mëdhenj që ndriçojnë si argjendi, ose kanë ngjyrën e ndryshkut të gjetheve në vjeshtë.
Por a jeni kurreshtarë të dëgjoni “zërin” e mbytur të gurëve, të mësoni kur dhe si janë krijuar gurët, pa të cilët nuk mund të përfytyrohet qytetërimi njerëzor? Mund të pohojmë se historia e gurëve është po aq interesante sa ajo e jetës.
Po ç’është, në fund të fundit, guri? Një thërrmijë e kores tokësore, e asaj mbulese të ngurtë e të fortë, të cilën gjeografët dhe gjeologët e quajnë litosferë. Kjo kore apo lëvozhgë që vesh si lëkura e mollës brendësinë e tejnxehtë të planetit tonë, ka një trashësi prej 1200 kilometrash dhe nuk është e njëtrajtëshme nga pikëpamja gjeokimike. Ajo përbëhet nga dy mbulesa të tjera: Sial – kombinim i simboleve kimike të përbërësve kryesorë të gurëve (silic dhe alumin) dhe më e thella: Sima, tek e cila mbizotërojnë silici dhe magnezi.
Me shpimet gjeologjike njeriu ka mbërritur deri në thellësinë 10 kilometra dhe doradorës i ka zënë veshi “gjuhën” e atyre gurëve, të cilët kanë depërtuar thellë e më thellë, deri në mijëra kilometra në trajtë magme ose lave.
Puset e naftës e të minierave kanë nxjerrë në sipërfaqe “karrota” të gurta (kampione apo mostra cilindrike të shkëputura prej shtresave të përshkuara); heraherës valët e shpërthimeve të provokuara artificialisht, duke u kthyer në trajtë jehonash (kur përplasen me disa shtresa), na sjellin të dhëna të çmueshme, të cilat shkencëtarët janë në gjendje t’i shkoqitin.
Fjala “gur”, që e përdorim në gjuhën e përditshme, është një term i përgjithshëm, që mbart tre nocione gjeologjike, të ndryshëm nga njëri-tjeri: mineral, xeheror, shkëmb.
Mineralet janë pjesë përbërëse e shkëmbinjve, që ndërtojnë koren e Tokës. Deri tani njihen afro 4000 minerale, rezultat i kombinimit të dy ose më shumë elementeve të tabelës së Mendelejevit. Më rrallë hasen minerale të formuar nga një element i vetëm, si diamanti, grafiti, squfuri dhe metale nativë si ari, platini, argjendi dhe mërkuri.
Nga kombinimi i oksigjenit me elemente të ndryshëm të kores tokësore janë formuar oksidet, tepër të përhapur. Më të njohurit janë bioksidi i silicit (nganjëherë në trajtë kuarci) dhe oksidet e hekurit.
Nga afro 4000 mineralet e njohur, rreth 100 prej tyre janë më të pranishëm, duke formuar afro 99% të kores tokësore. Të tjerët janë mineralet e rrallë ose tepër të rrallë dhe ndodhen në sasi tepër të vogla në litosferë. Për industrinë vlerë kanë 100 mineralet e lartpërmendur, ndërsa për mineralet e rrallë interes tregojnë shkencëtarët ose muzeumet mineralogjike.
Grumbullimet e mëdha të mineraleve të dobishëm (vendburimet), që janë të shfrytëzueshëm nga pikëpmja industriale, quhen xeherorë.
Në vendin tonë xeherorë të dobishëm janë piriti, kalkopiriti (xeherorë të bakrit), sideriti (xeheror i hekurit), kromiti (xeheror i kromit) etj.
Me studimin e mineraleve dhe të xeherorëve merret një degë e gjeologjisë, që quhet mineralogji.
@ K. K.
(vijon)
Burimi/Facebook/Autori


Leave a Reply