
Nga Alakbar Raufoglu dhe Andi Dabilis për Southeast European Times
Gjetjet e mëdha të gazit në Mesdheun Lindor mund të qenë një burim bashkëpunimi. [AFP]
Shansi i normalizimit midis Izraelit e Turqisë pas kërkimit të ndjesës së muajit të fundit ka hapur pyetje rreth marrëdhënieve midis Izraelit, Greqisë dhe Qipros.
Prishja midis Izraelit dhe Turqisë gjatë katër viteve të fundit e shtyu Izraelin për arsye ekonomike e strategjike të afrohej me Greqinë dhe Qipron, rivalët historikë të Turqisë në Mesdheun Lindor.
“Marrëdhëniet që u ndërtuan në katër vitet e fundit me Greqinë dhe Qipron ishin në një shkallë të madhe një rezultat i krizës së ashpër me Turqinë,” tha përSETimesAlon Liel, ish-ambasador i Izraelit në Turqi.
Disa analistë thanë se kjo llogaritje gjeopolitike dhe ekonomike mund të ndryshojë pas kërkimit të ndjesës së Kryeministrit Benxhamin Netaniahu ndaj Turqisë për sulmin në 2010 të anijes turke të ndihmës, Mavi Marmara, ndërsa ajo përpiqej të thyente bllokadën e Izraelit ndaj Gazës, gjë që rezultoi në vdekjen e nëntë veprimtarëve turq.
Mavi Marmara çoi në një prishje të marrëdhënieve midis fuqive dikur të afërta rajonale. Kërkimi i ndjesës hapi rrugën për një afrim ende në fillesë.
Shansi i Turqisë dhe Izraelit për të ringjallur marrëdhëniet e tyre dikur të afërta ka shumë vëzhgues që vështrojnë në depozitat e mëdha por të diskutueshme në Mesdheun Lindor që mund të transformonin të ardhmen gjeopolitike të rajonit.
Ministri turk i Ekonomisë Taner Jilldiz tha kohët e fundit se kërkimi i ndjesës së Izraelit mund të hapte rrugën për bashkëpunimin e energjisë midis të dy vendeve.
Ai shtoi se planet e energjisë të Izraelit në Mesdheun Lindor “do të qenë të arsyeshme nëse përfshihej Turqia.”
Qiproja dhe Izraeli kanë menduar ndërtimin e një fabrike të gazit natyror të lëngët (LNG) në Qipro duke kombinuar gjetjet e gazit si të Izraelit dhe të Qipros në Mesdheun Lindor. Midis hamendësimeve lidhur me sjelljen e gazit izraelit në tregjet evropiane (qoftë nëpërmjet Turqisë apo Qipros), ka një problem se sa shumë Izraeli do të vendoste të eksportonte. Fajkonjtë në Izrael po shtyjnë që të mbahet gazi për konsumin në vend për të rritur sigurinë dhe pavarësinë e energjisë për dekada.
Pa investimet dhe furnizimet me gaz të Izraelit disa analistë të energjisë vënë në pikëpyetje në se një fabrikë e tillë LNG me faturë 10 miliard euro do të ishte ekonomikisht e leverdishme. Opsioni më i lirë dhe më i shkurtër i shpënies së gazit të Izraelit dhe të Qipros në tregjet evropiane do të ishte nëpërmjet Turqisë me anën e një tubacioni.
Jorgo Leventis, drejtor i Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Nikosia tha se mendon se Greqia dhe Qiproja do të humbasin pikë tani.
“Vëzhgimi se një aleancë e rinovuar midis Izraelit e Turqisë do të ndrydhë Qipron dhe Greqinë, është i saktë,” tha ai për SETimes. “Në qoftë se Izraeli ia del të shesë gazin e vet, që tashmë po pompohet në fushën e gazit Tamar, nëpërmjet Turqisë atëherë Qiproja [dhe Greqia] do të mbeten vetëm.”
“Izraeli po konsideron të gjitha opsionet e mundshme në kushtet gjeopolitike-gjeostrategjike. Në qoftë se zgjedhja e Izraelit është për një fabrikë LNG ajo nuk ka kuptim të vendoset në Qipro se sa në bregun e Izraelit. Ajo do të jetë më e parrezikshme në Qipro. Por kjo përsëri do të parakuptonte se Tel Avivi do të luajë kartën e Qipros kundër Turqisë dhe prirja e tanishme është e kundërta,” shtoi ai.
Ndërkohë, Cyprus Mail citonte nën-ambasadorin e Izraelit Shani Kuper të thoshte se “normalizimi i marrëdhënieve midis Turqisë dhe Izraelit ishte një hap i rëndësishëm dypalësh por ai nuk do të prekte ndonjë nga marrëdhëniet shumëpalëshe, trepalëshe apo dypalëshe midis Izraelit dhe vendeve të tjera. Izreali do të mbajë marrëdhënie të ngushta me Qipron dhe do të vazhdojë t’i forcojë ato siç kemi bërë disa vitet e shkuara.”
Po ashtu, Spiros Lambridis, i dërguari i ri i Athinës në Izrael, tha se “pavarësisht se çfarë bën Izraeli me Turqinë, ne kemi një marrëdhënie strategjike që është autonome dhe nuk ka të bëjë gjë me Turqinë,” raportoi Jerusalem Post.
Lambridis tha se afrimi i ri Turqi-Izrael mund të ndihmonte stabilitetin rajonal dhe të pakësonte tensionet në zonën midis Evropës Juglindore, Azisë dhe Lindjes së Mesme. “Sa më shumë qetësi në rajon, aq më mirë,” tha ai.
Çfarëdo që Izraeli vendos, disa vëzhgues e shohin sërën e gazit si një mundësi për të zgjidhur mosmarrëveshjen e gjatë midis qipriotëve turq e grekë në ishull. Afrimi Izrael-Turqi erdhi vetëm tre ditë përpara se Qiproja të detyrohej të ristrukturonte sektorin e vet bankar për të shmangur aftësinë mospaguese dhe një dalje nga Eurozona, në këmbim të një pakete shpëtuese evropiane e të FMN prej 10 miliard euro.
Pa një sistem të fortë bankar për t’i dhënë shtysë ekonomisë, Qipros së mbetur pa para i duhet tani të nxjerrë gaz më shumë se kurrë.
Qiproja duket e vendosur për të shkuar përpara me të vetën në qoftë se duhet. Ministri i jashtëm Koanis Kasulides tha se depozitat natyrore të gazit të Izraelit janë të mjafta për të garantuar ndërtimin e fabrikës së LNG për të eksportuar furnizimin e tepërt, pavarësisht në se Izraeli vendos të jetë një partner në projekt. Ai shtoi se apologjia e Izraelit ndaj Turqisë, “nuk do të thotë se Izraeli është i detyruar të ndjekë se çfarë Turqia dikton në këtë rajon.”
Një masë izraelite apo qipriote do të ngrihej kundër Turqisë, e cila kërkon pëlqimin e turqve qipriotë si “bashkë-pronarë të ishullit” në nxjerrjen e gazit. Turqia ka dërguar tashmë flotën e saj në rajon për të mbrojtur interesat e turqve qipriotë dhe tha kohët e fundit se kompanitë e energjisë që bëjnë biznes me Qipron do të ndaloheshin nga projektet e tanishme e të ardhme në Turqi.
Turqia do të donte një zgjidhje të negociuar mbi ishullin, por ajo avancuar kohët e fundit presionin duke thënë për herë të parë se do të shtynte për një zgjidhje dy-shtetesh në ishull në qoftë se nuk mund të arrihej një ujdi mbi eksplorimin e përbashkët me gjysmën greke të ishullit.
Analystët si Ali Balçi nga Universiteti Sakarya në Turqi argumentojnë se të gjitha palët duhet të kuptojnë se transferimi i energjisë në tregjet evropiane kërkon bashkëpunim midis Qipros, Greqisë, Izraelit dhe Turqisë.
“Për shkak të krizës ekonomike, Qipros i duhet të përdorë këto fusha të energjisë sa më parë të jetë e mundur. Kjo është një tjetër nxitje për të ndërtuar marrëdhënie paqësore midis palëve. Politika nuk është kurdoherë me shumën zero,” tha ai për SETimes.
A mendoni se gazi natyror në Mesdheun Lindor mund të shpjerë në bashkëpunim në vend të konfliktit? Na thoni pse apo pse jo duke lënë një koment më poshtë.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply