Kur bie fjala për rivierën shqiptare mendja direkt nna shkon në atë pjesë të bregdetin Jonian për të cilën krenohemi shumë dhe përpiqemi gjithnjë t’ua tregojnë miqve tanë sidomos të huajve. Bregdeti i Jonit nis nga Uji i Ftohtë në dalje të qytetit të Vlorës, dhe pse pika e saktë gjeografike është Kepi i Gjuzës në Gadishullin e Karaburunit, deri në kufi me Greqinë. Një reliev shkëmbor ku mallet bien thikë mbi det të çarë nga lugina përrenjsh mijëravjeçarë, të cilët në grykëderdhjet e tyre kanë krijuar plazhe të bardhë diku të gjatë e diku më të vegjël.
Bardhësia e gurëve dhe ngjyrat e detit të thellë që herë merr nuanca smeraldi e herë turkeze, bashkë me kthjelltësinë e ujit e bëjnë këtë zonë të ngjashme me plazhet e Karaibeve. Biles edhe më bukur se ata. Nëse në Karaibe kudo që të shkosh pamja që të paraqitet është gjithnjë e njëjtë dhe bëhet e zakonshme, rërë e bardhë e palma, bregdeti i rivierës sonë të mahnit nga relievi shkëmbor, i cili merr forma dhe trajta nga më të ndryshmet duke krijuar pendenca të thepisura, gjire mahnitës, shpella etj. E po të shtosh edhe bukurinë e bimësisë mesdhetare nga pishat deri tek shkurret që gjelbërojnë edhe në stinën e nxehtë të verës, përzier me aromën e bimëve aromantike që rriten në mënyrë të egër, nga cfaka e sherebeli, nga dafina dhe rozmarina, çaji i malit dhe gjineshtra, miksuar kjo me erën e jodit të detit, që është më e fortë se kudo tjetër, kjo zonë bëhet një magji ndjesish të shqisave tona.
Nëse shpesh flitet dhe shkruhet për Dhërmiun, për Himarën e Qeparonë, Borshin apo Ksamilin pak janë ata që e njohin më me imtësi zona të tjera të panjohura, të cilat ne ju ftojmë ti zbuloni nëpërmjet këtij shkrimi dhe fotove.
Është fjala për bregdetin e fshatit Vuno. Ky fshat me një urbanistikë tipike mesjetare italiane, që në vetvete është një intinerar tjetër për t’u zbuluar e që duhet vizituar për të parë kalldrëmet, tunelet si dhe shtëpitë e gurit më të larta dhe më masive sesa ato të Gjirokastrës dhe Beratit. Shtrirë rrëzë malit të Mjegulloshit përpara këtij fshati shpaloset pamja mahnistëse e një fushe të pambarimtë ullinjsh qindravjeçarë. Duket si një det jeshil ku vështrimi i syrit humbet në një horizont tek i cili bashkohet më ngjyrën blu të detit.
Por çfarë ka përtej kësaj pamjeje surreale asnjë pothuajse nuk e njeh dhe nuk e ka ka parë ndonjëherë. Ku përfundojnë ullinjtë, shpate të thepisura bien mbi det, herë vertikalë e herë më butë duke thyer relievin e për t’i dhënë forma lunare atij, sikur të bëhej fjalë për një planet tjetër. Copëzuar nga gjire të vegjël, kjo pjesë e bregdetit të Vunoit, që nis nga Jali deri në Dhërmi është mbushur me plazhe ekzotikë të vegjël, të shkretë dhe të panjohur. Nuk ka rrugë automobilistike për të shkuar atje ndaj dhe mundësia e vetme për t’I parë nga afër ato është ose për aventurierët e vërtetë në kërkim të thesareve të natyrës ose nga deti më një varkë.
Kohët e fundit është ndërtuar e re dhe me parametra europianë rruga që të çon nga fshati Vuno në plazhin e kryesor dhe të frekuentur të tij, Plazhin e Jalit. I panjohur edhe ky deri pak vite më parë, sot është një nga aktraksionet më të mëdha dhe më interesante për kë ka pasion natyrën dhe detin. Duke nisur pak më në jug të këtij gjiri, fare afër plazhit të Livadhi,t nis Bregdeti i Vunoit i cili përfundon në afërsi të Shpellës së Piratëve, për t’u bashkuar aty me bregdetin e fshatit Dhërmi.
Nëse vendosni të kaloni pushimet në këtë zonë do të harroni se në cilën pjesë të globit gjendeni dhe magjia e shkaktuar nga bukuria e natyrës dhe detit të mbush me emocione të forta, ashtu si mund të të japë një vepër e përsosur muzikore apo pikture.
Gerti Sota është një djalë i apasionuar pas aventurës dhe detit e prej disa vitesh e ka bërë plazhin e Jalit vendin e tij. Ka ndërtuar edhe një lokal të thjeshtë me dërrasa e kashtë, në funksion të ambjentit dhe natyrës e duke e respektuar atë si rrallë ndodh. Te lokali i tij mund të hash gatime të ndryshme duke nisur nga peshku deri tek ato tradicionalet me çmime të arsyeshme, të mundshme për çfarëdolloj portofoli. Një nga pasionet e shumta të Gertit është edhe pasioni për fotografinë. Është aventuruar shkrepave të shkëmbinjve për të bërë foto këtyre gjireve të pazbuluar, foto të cilat na i mundëson për t’i botuar në faqet e revistës sonë.
Me një varkë të vogël dhe të thjeshtë me motor,Gerti herët në mëngjes, kur ndriçimi është ai i duhuri për të realizuar fotografi cilësore niset në det, ku nuk i ndan asnjëherë edhe pushkën e detit, maskën e lopatat bashkë me aparatin. Dita përfundon në mënyrën më të bukur për të nëse bashkë me disa foto kartoline do të kthehet edhe më ndonjë peshk të vrarë. Gatimi i të cilit në mbrëmje, ashtu thjeshtë në zgarën e prushit shoqëruar me një gotë verë të bardhë e të ftohtë, bashkë me miqtë e tij, e bën edhe më të veçantë ditën.
“Kam ardhur në Jal para disa vitesh dhe jam befasuar nga bukuria e këtij vendi. Vendosa të qëndroj këtu, dhe kaloj çdi vit të paktën muajt e verës, nga maji deri në fund të shtatorit. Përveç bukurisë së pakrahasueshme të natyrës dhe detit më ka pëlqyer shumë ky vend edhe pse është i virgjër, ende i pazbuluar nga turizmi masiv. Vijnë vetëm ata që e njohin ose janë me prejardhje nga Vunoi edhe pse këto vitet e fundit po shtohet gjithnjë e më shumë numri i pushuesve ditorë. Na vjen mirë kur plazhi mbushet plot, thotë Gerti, por më vjen keq kur ata nuk kujdesen për të ruajtur pastëritnë e këtij vendi. Shumica e pushuesve janë të pakujdesshëm dhe hedhin mbeturinat kudo. Detyrohemi ne banorët e këtushëm t’I pastrojmë ato.”
Tashmë ka edhe një vajzë dyvjeçarë të cilën e merr me vete pjesën me të madhe të kohës që qëdron në Jal. “Dua ta mësoj më detin, thotë ai që ta dashurojë ashtu si unë”. Kur e pyesim për peshkimin ai qesh dhe thotë se pak peshk ka mbetur në det. Përdorimi pa kriter i dinamitit deri para pak kohësh kur nuk ekzistonte rregulli dhe ligji, ka dëmtuar jo vetëm pjesët e shkëmbinjve nënujorë por edhe ka larguar peshkun. “Megjithatë një ditë zhytjeje dhe peshkimi me pushkë deti nuk të lë pa gjë. Nuk ka ndjesi më të bukur sesa kur kap peshkun dhe e sjell me vete në breg për të gatuar më vonë. Ndonjëherë më vjen dhe keq ta pjek , thotë Gerti duke qeshur, sidomos kur është peshk i madh dhe i rrallë, sepse dua ta mbaj këtu si trofe për tu krenuar e për t’ua treguar miqve të mi që vijnë e më vizitojnë shpesh”.
Kur e pyesim për fotografinë ai thotë se e kam thjesht një pasion, të cilin e ushtron si hobi thjesht për kënaqësinë e tij, por që e bën me shumë përkushtim dhe merak si një mjeshtër i vërtetë i fotografisë. “Shpesh më duhet të kap një perëndim dhe qiell të bukur që merr ngjyra të forta të pabesueshme. Atëherë vrapoj për të marrë aparatin dhe ta fiksoj atë moment. Problem është se këtu perëndimet ndryshojnë nga një ditë në tjetrën dhe duken si qiej të ndryshëm ashtu si dhe reflekset e ujit të detit që marrin nuanca të ndryshme në varësi të qiellit dhe dritës. Kur shoh kompjuterin tim gjej dhjetra foto përëndimesh dhe uji e atëherë më vjen për të qeshur sepse mendoj që përveç meje asnjë nuk do të kishte durimin t’i shikonte aq shumë sa janë”.
Fotot e Gerti Sotës janë si një guidë e vërtetë turistike, e cilat na ndihmojnë për të zbuluar këtë pjesë të bregdetit të Vunoit për të cilën folëm edhe më sipër. Na tregon Pusin e Peristerave, Galenë, Gjirin e Gjipesë, Rërën e Madhe e kështu me radhë emra gjiresh të vegjël, fshehur në shkëmbinjtë e lartë dhe të thepisur, të cilët mund ti vizitosh vetëm nga deti. “Janë vende që kur i sheh të vjen keq që pse nuk njihen nga shumë njerëz, por kur vë re se edhe aty gjen mbeturina plastike të mallrave të konsumit mendon më mirë mos ti dijë e mos ti njohë askush. Sepse kupton sesa pak ndjeshmëri kanë njerëzit për natyrën dhe ambjentin edhe kur ndodhen në një parajsë natyrore ku rëra është e pashkelur nga askush”.
Shqip.al
Per”Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply