“Unë e kam urryer këtë regjim që në fillim se është një regjim që ka ardhur në fuqi me gjak dhe prandaj nuk e dua. Kam qenë armik i këtij pushteti dhe i kësaj partie dhe jam armik i kësaj partie se ka ardhur në fuqi me gjak dhe me gjak e ka mbajtur, por edhe me gjak do mbarojë”
Prej 42 vitesh, trupi i tij, i varrosur në një varr sekret, diku në rrethinat e Rrëshenit, është kthyer në nëj kalvar të gjatë e të dhimbshëm përpjekjesh pa sukses për familjen e tij, e cila e kërkon me dëshpërim.
Ahmet Manxhar Hoxha, u pushkatua ditën e fundit të janarit 1979, pasi ishte arratisur për herë të dytë, por fatkeqësisht pa sukses. Kishte ëndërruar vetëm lirinë, dhe pavarësisht torturave dhe vuajtjeve nuk e kishte ulur kokën kurrë. Pas tentativës së parë për tu arratisur nga Rubiku, i ridënuar në Spaç, Ahmeti ksihte tentuar sërish. Arratisja e dytë do të rezultonte fatale, pasi do binte në duart e Sigurimit, i lënë në baltë dhe i tradhëtuar nga shoku i tij i arratisë. Shumë shokë të tij të burgut. Në dëshmitë e tyre kanë përmendur episode të shumta mbi qëndresën e tij gjatë kohës së vuajtjes së dënimeve. I tillë, qëndrestar ai do të shfaqej edhe në çastin fatal, kur do të gjendej para togës së pushkatimit. Por si kishte rrjedhur historia e tij deri në atë çast?
Ahmet Manxhar Hoxha nga Kolonja e Gjirokastrës, ishte dënua tre herë për arsye politike nga regjimi komunist. Vuajti gjithsej 20 vjet, 7 muaj, 15 ditë heqje lirie në vitet 1958-1979. Herën e dytë u dënua për arratisje nga Reparti nr.309 Rubik. Herën e tretë u arratis nga Reparti nr.303 Spaç, por nuk mundi të përfundojë largimin sepse u arrestua. U dënua me vdekje kur ishte vetëm 39 vjeç. Fjalët e fundit të tij janë të jashtëzakonshme e në përputhje me moralin e një antikomunisti të vendosur. I dënuari ishte lidhur duar e këmbë në Tiranë, teksa u dërgua një ditë para se të vritej në Pukë (një ditë më pas shkruhet në Rrëshen).
Dokumentet arkivore dëshmojnë se në fjalën e fundit para se të pushkatohej Ahmeti tha:
“Zoti prokuror! Unë dua t’ju them se ju si shtet nuk jeni në rregull. Mblidheni mendjen. Shqipëria është e ndarë në dy pjesë. Pjesa më e madhe ndodhet jashtë Shqipërisë nën Jugosllavi, kurse ju këtu po vrisni njëri-tjetrin. Unë e kam urryer këtë regjim që në fillim se është një regjim që ka ardhur në fuqi me gjak dhe prandaj nuk e dua. Kam qenë armik i këtij pushteti dhe i kësaj partie dhe jam armik i kësaj partie se ka ardhur në fuqi me gjak dhe me gjak e ka mbajtur, por edhe me gjak do mbarojë”
Ekzekutimi me vdekje me një plumb në kokë u bë më 31.1.1979, ora 24.00 në rrugën e Kaçinarit “varianti i druve”.
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të familjarëve të tij, ky vend, ku u gropos trupi i Ahmet Hoxhës mesnatën e 31 janarit 1979, nuk është arritur ende të identifikohet qartë.
Vëllai i tij Taip Hoxha, thotë se nuk gjen prehje pa i gjetur eshtrat e vëllait dhe se kërkimet për të gjetur trupin e Ahmetit, do i niste pikërisht nga shoku i qeliqë në Rrëshen, që e pa dhe foli për herë të fundit me Ahmetin, Pashk Mollën. Në vitin 1990, ndërsa Taipi po e kërkonte, Pashku ndodhej i burgosur ende në burgun e Shën Kollit në Lezhë. Sipas rrëfimeve të Pashk Mollës, vëllai i ndjerë i Taipit ishte ndarë me të në qeli, dhe policët e kishin çuar pranë togës së pushkatimit, që kishte qenë shumë pranë Degës së Brendshme të Rrëshenit.
Prej atij takimi në vitin 1990, me shokun e qelisë së Ahmetit, Taipi nuk i ka rreshtur kurrë kërkimet për të gjetur eshtrat e të vëllait. Prej 31 vjetësh ai vetëm pyet dhe heton çdo detja e rrëfim që arrin të marrë. Sot ai ka gjetur dy persona, që janë ende gjallë, e që kanë qenë në momentin e pushkatimit. Por asnjëri prej tyre nuk ia tregojnë vendin ku e kanë varrosur.
Taipi thotë se shumë herë ka këkruar në instancat shtetërore që të miratojnë një ligj që i dëtyron ata që kanë dijeni për zhdukjet e trupave, të tregojnë vendet e varreve të fshehta. Por përpjekjet e tij kanë rënë në vesh të shurdhët. Ai e di se kjo është një plagë që s’ka kush ta shërojë. Ata që e dinë heshtin me vetëdije të plotë, sepse në Shqipëri s’ka asnjë ligj që ti detyrojë të tregojnë!
Burimi/Kujto.al


Leave a Reply