Në kohën e Luftës së Ftohtë SHBA parapëlqente dhe mbështeste partitë politike të djathta në Europë, veçanërisht në vendet mesdhetare me stabilitet politik të brishtë. Kështu ndodhte në Itali, Greqi, Spanjë, Portugali, por edhe në Francë. Amerikanët nuk ishin veç kundër partive komuniste por edhe kundër ardhjes në pushtet të partive të majta jokomuniste, të cilat i shikonin me dyshim.Prandaj CIA ndërhynte me të gjitha mënyrat për të penguar ardhjen e së majtës në pushtet.
Në Greqi, në 1974, fill pas rënies së regjimit ushtarak u mbajtën zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit, të cilat patën një rezultat krejt të pabesueshëm.
Partia e djathtë, e quajtur Demokracia e Re mori 220 nga 300 ulëset në parlament. Partia kryesore e së majtës, PASOK e Andreas Papandreut mori vetëm 12 ulëse, ndërsa partia tjetër e majtë, e quajtur “E Majta e Bashkuar” mori vetëm 12 ulëse. Komunistët nuk fituan asnjë ulëse.
Ishte krejt e pamundur që e majta të merrte kaq pak ulëse në parlament në një vend si Greqia ku vetëm shtatë vjet më parë ishte bërë një grusht shteti me mbështetjen amerikane për të pënguar ardhjen e së majtës në pushtet.
Ishte krejt e pamundur që komunistët të mos arrinin dot të fitonin asnjë ulëse në parlament në një vend si Greqia ku në 1944-49 ishte dashur ndërhyrja ushtarake britanike dhe amerikane për të penguar komunistët që të merrnin pushtetin në Greqi. Doktrina “Truman” në 1947 u shpall pikërisht për Greqinë.
Kuptohet që amerikanët i kishin futur në një thes si të majtët socialistë ashtu dhe komunistët.
U kuptua qartë se ai që u quajt Metapolitefsi, pra ndryshimi i regjimit, për amerikanët do të thoshte që në vend të diktaturës ushtarake të djathtë të vendosej një diktaturë e djathtë civile, faktike, e maskuar me procedura zgjedhore demokratike.
E majta greke në këtë rrethanë kishte dy mënyra reagimi: Ose të nënshtrohej, ose të rifillonte luftën civile.
Për nënshtrim as që bëhej fjalë më pas atyre që kishin ndodhur në politikën greke tridhjetë vjetët e fundit.
Lideri i ri i së majtës greke Andreas Papandreu kishte si një nga librat e tij të pëlqyer “The Wretched of the Earth” (“Të mallkuarit e Tokës”), të ideologut revolucionar majtist antikolonialist Frantz Fanon.
Në këtë libër Fanoni thotë se popujt e shtypur jetojnë me mëdyshjen nëse duhet të tmerrohen nga shtypësit e huaj (të jetojnë në tmerr) apo të bëhen të tmerrshëm duke luftuar ndaj njëri-tjetrit. Lufta civile ishte zgjedhja e dytë, pra të bëheshin të tmerrshëm ndaj njëri-tjetrit. Por ka dhe një rrugë tjetër që të tmerrojnë shtypësit e tyre, kolonizatorët.
E majta greke zgjodhi këtë rrugë të tretë. Ajo deshi t’ i japë një kumt të qartë SHBA se mbështetja e një diktature të djathtë faktike në Greqi do të shkaktonte një luftë të re, por që këtë herë nuk do të ishte midis vetë grekëve, por midis grekëve që nuk e pranonin diktaturën e djathtë, nga njëra anë dhe amerikanëve nga ana tjetër.
Është diskutuar shumë për atë se kush e krijoi dhe e frymëzoi organizatën terroriste të majtë “17 nëntori”, por një gjë është e sigurt: Veprimet e kësaj organizate deri në 1981 kanë qenë në interes të PASOK, duke shërbyer praktikisht “17 nëntori” si grup presioni ndaj SHBA.
Aksioni më domethënës ishte vrasja e shefit të stacionit të CIA-s në Athinë Richard Wales në 1975, fill pas zgjedhjeve të vitit 1974.
Kumti ishte mëse i qartë: Ne godasim drejtpërdrejt padronin jo regjimin-klient të tij.
Nuk mund të mos vëresh dallimin mes aksionit më të bujshëm të brigadave të kuqe në Itali dhe “17 nëntorit” në Greqi. Brigadat e kuqe rrëmbyen dhe vranë kreun e partisë demokristiane në pushtet në Itali që donte të bënte kompromis me të majtën. Kolegët e brigadistëve të kuq në Greqi vranë drejtpërdrejt kreun e qendrës operative të shtetit-padron të regjimit grek.
Amerikanët e morën saktë kumtin. Ndërhyrja politike në Greqi kishte kosto tjetër nga ajo në Itali.
Është thënë se nëse nuk do të ishte vrarë Richard Wales në 1975, do të ishte vrarë Andreas Papandreu pak më vonë. Duket se kjo nuk ndodhi pasi nëse e majta greke nuk kishte një lider si Papandreu që ta mbante nën kontroll, ajo do të kalonte nga antiamerikanizmi retorik i Papandreut te antiamerikanizmi i dhunshëm.
Që nga ajo kohë amerikanët nuk ndërhyjnë më në zgjedhjet greke dhe administrimin e procesit zgjedhor e bën Ministria e Punëve të Brendshme.
Por zgjedhjet nuk vidhen me asnjë lloj mënyrë pasi pala tjetër nuk e njeh rezultatin e arritur në këtë mënyrë dhe kjo shpie në luftë civile. Fitorja me vjedhje është fitore e panevojshme. As amerikanët nuk e mbështesin një fitore të tillë se nuk kanë më “Richard Wales” për të sakrifikuar.
Pasi organizata “17 nëntori” e bëri rolin e saj në shërbim të demokracisë greke, ajo u tjetërsua si përbindëshi i Doktor Frankenstein, ngjashëm me Al-Qaedën e cila ishte fillimisht një organizatë e mbështetur nga SHBA për të luftuar kundër pushtuesve sovjetikë të Afganistanit dhe pastaj u shndërrua në një organizatë terroriste globale.
Do të kishte qenë mirë që mësimi i marrë në Greqi të vlente për amerikanët për çdo vend ku ata ndërhyjnë politikisht, por nuk ndodh kështu, ndonëse libri i Fanonit studiohet dhe rekomandohet edhe sot nga Pentagoni dhe CIA. Amerikanët nuk iu lenë zgjidhje tjetër veç asaj greke popujve që duan demokraci.
Libri i Fanonit është një nga ata që e mbaj mbi tryezën time të punës.
Burimi/Kastriot Myftaraj


Leave a Reply