Bashkimi Sovjetik u shpërbë në dhjetor 1991, dy vjet e dhjetë muaj pas tërheqjes ushtarake nga Afganistani, të cilin e kanë quajtur “varreza e perandorive”.Nëntë muaj pas tërheqjes sovjetike nga Afganistani ra Muri i Berlinit, simboli i Perandorisë Sovjetike. Ose më saktë muri u hap me një përshtatje të formulës magjike “Sezam hapu!”, kur regjimi gjermanolindor, me miratimin e Moskës lejoi kalimin e lirë në Berlinin Perëndimor. Perëndimit i erdhi për mbarë ta dramatizonte në interes të tij këtë ngjarje duke e quajtur rënia e murit. Turmave entuziaste iu mbeti të bënin punën e tyre për ta bërë mbresëlënëse gënjeshtrën triumfaliste.
Perandoria sovjetike u shpërbë më paqësisht se çdo perandori në historinë botërore, ky është fakt. Lufta në Çeçeni ndodhi disa vjet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Edhe shpërbërja e Perandorisë Britanike që mbahet si paqësore në fakt ka pasur episode lufte luftrash koloniale si përpjekje për të ndaluar humbjen e zotërimeve perandorake. Britanikët luftuan në Malajzi (1947-1959) në Egjipt (1956), në Qipro deri në 1959, në Jemen deri në 1967. Britanikët ndërhynë ushtarakisht në Oman (1957), Jordani (1958), Kuwait (1961). Britania e Madhe bëri luftën e fundit koloniale për ishujt Falkland apo Malvine në Atlantikun jugperëndimor në 1982.
Nëse përdorim Afganistanin si tregues se kur një perandori hyn në varrezën e historisë por nuk e pranon dhe vazhdon të endet si zombie, kjo gjë Perandorisë Britanike i kishte ndodhur që në 1919 kur u tërhoq nga ky vend.
Perandoritë-zombie nuk kanë shqisa por kryeministri britanik Macmillan e ndjeu atë që e quajti “era e ndryshimeve” në fjalimin e tij të famshëm për shkolonizimin të mbajtur në Kapetoën të Afrikës së Jugut në 1960. Fraza u rimor në këngën e famshme të “Scorpions” në 1991 për ndryshimet në Lindjen komuniste ku thuhet saktë se era e ndryshimeve frynte nga Moska.
Perandoria sovjetike mund të kishte vazhduar të ekzistonte duke vegjetuar edhe dhjetë apo njëzet vjet para tërheqjes sovjetike nga Afganistani në shkurt 1989. Do të vazhdonte të ekzistonte edhe Muri i Berlinit dhe regjimet komuniste në Europën Lindore duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Perandoria Sovjetike u shpërbë aq shpejt sepse sunduesit e rinj perandorakë në Kremlin, me Gorbachevin në krye e lejuan shpërbërjen e perandorisë duke vepruar sipas logjikës se duhet lehtësuar pesha e anijes që po fut ujë që ajo të mos mbytet. Zotërimet perandorake ishin bërë një barrë, jo vetëm ato përtej kufijve sovjetikë, por edhe brenda tyre, përtej kufirit të Rusisë. Prandaj shpërbërja e perandorisë sovjetike u bë paqësisht.
Amerikanët e përjetuan si triumf të tyre shpërbërjen e perandorisë sovjetike dhe as e mendojnë që të nxjerrin mësime prej kësaj ngjarjeje historike. Koha do të tregojë se Historia do t’ ua japë mësimin në mënyrë shumë të dhimbshme.
Perandoria amerikane mund të vazhdojë të ekzistojë edhe dhjetë apo njëzet vjet pas tërheqjes nga Afganistani në 2021, por do të shpërbëhet në mënyrë shumë më të dhimbshme se ajo sovjetike.
Ka shumë ngjashmëri mes të dy perandorive në momentin e tërheqjes së tyre nga Afganistani.
Të dy perandoritë, si ajo sovjetike, ashtu edhe ajo amerikane, kishin si bosht të tyre aleanca ushtarake, ajo sovjetike Traktatin e Varshavës, ndërsa ajo amerikane NATO-n.
Perandoria sovjetike kishte si parim të saj izolimin nga bota, me Murin e Berlinit si simbol të kësaj politike të “Perdes së Hekurt”.
Perandoria amerikane vitet e fundit ka nxitur në botën islame procese politike që sjellin dyndje masive të emigrantëve nga vendet islamike në Europë. Vetë SHBA është nën presionin e dyndjes së valëve të emigrantëve në kufijtë e saj jugorë. Mosdashja amerikane për të parë dhe kuptuar dëmin që i vjen Europës aleate nga pasojat e politikës amerikane të llojit të “pranverës arabe” është krejt e ngjashme me mosdashjen sovjetike për të kuptuar dëmin që iu vinte vendeve satelite të Europës Lindore nga izolimi i imponuar me “Perden e Hekurt”.
Të dy proceset, si izolimi ashtu dhe hapja anarkike sjellin pasoja destruktive që tekefundit nxisin shpërbërjen. Në të dy rastet grumbullohet një zemërim popullor që do të shpërthejë dikur herët a vonë.
Traktati i Varshavës u shpërbë sepse Gorbachev dhe bashkëpunëtorët e tij e kuptuan se nuk kishte të ardhme një aleancë ushtarake e cila zyrtarisht ekzistonte që t’ i mbronte vendet aleate nga rreziqet e jashtme por që në të vërtetë ishte një mjet për të garantuar sundimin sovjetik mbi to.
Në mënyrë të ngjashme NATO është bërë sot një mjet për të garantuar sundimin amerikan mbi vendet europiane dhe për t’ u imponuar atyre politikën amerikane. Shembull është ndërhyrja e NATO-s në Afganistan. Sipas traktatit të aleancës atlantike kjo duhet të veprojë në Europë dhe Amerikën e Veriut. Afganistani është në Azinë Qendrore.
Me shpërbërjen e Traktatit të Varshavës dhe të Bashkimit Sovjetik është e qartë se vendet europiane në kufijtë perëndimorë të Rusisë nuk kërcënohen më nga rreziku rus, përveç shteteve të vogla balltike ndoshta, ish-republika sovjetike. Edhe një përpjekje ruse për pushtimin e Ukrainës do të ishte një aventurë ushtarake aq e kushtueshme sa në Moskë nuk e shkojnë ndërmend. Tekefundit Rusia mori në Ukrainë atë që deshi në 2014, Krimenë dhe dy zonat e lakmuara lindore të saj.
Amerikanët e dinë mirë këtë gjë. Ashtu siç e dinë mirë amerikanët se në Kremlin as që e shkojnë ndërmend një sulm ushtarak rus në stil të gjerë ndaj ish-vendeve satellite sovjetike sot anëtare të NATO-s Polonisë, Sllovakisë, Çekisë, Hungarisë, Rumanisë, Bullgarisë. Apo më tej drejt Europës Perëndimore. Përralla strategjike me ariun kërcënues rus te porta e Europës iu duhet amerikanëve për të sunduar Europën.
Është e vërtetë që Europa ka një dobësi ushtarake në krahasim me Rusinë por kjo dobësi ka të bëjë me ndalimin që i kanë bërë amerikanët Gjermanisë për të pasur armë bërthamore. Sa i përket armatimit konvencional Europa ka epërsi të ndjeshme ndaj Rusisë.
Perandoria amerikane, në kohën e tërheqjes nga Afganistani, ka dhe një tjetër ngjashmëri me atë sovjetike në të njëjtin moment. SHBA sot ashtu si Bashkimi Sovjetik në 1989 është superfuqi ushtarake por nuk është më superfuqi ekonomike. Sot superfuqia ekonomike e botës është Kina. SHBA e mori skeptrin e udhëheqjes së botës nga Perandoria Britanike sepse kishte epërsi ekonomike ndaj kësaj të fundit.
SHBA sot është një superfuqi e rreme ekonomike që po grabit botën duke imponuar monedhën e saj letër, dollarin, si monedhë ndërkombëtare, megjithëse këtë status dollari amerikan e arriti duke marrë SHBA zyrtarisht dhe solemnisht detyrimin, me krijimin e IMF (Fondit Monetar Ndërkombëtar), se vendet e tjera që përdornin dollarë mund t’ i shkëmbenin ata në çdo kohë me ar. Që nga viti 1971 SHBA ka hequr dorë zyrtarisht nga ky detyrim por dollari vazhdon të jetë zyrtarisht monedhë ndërkombëtare e sanksionuar nga IMF, ku bëjnë pjesë 190 vende anëtare. Që pas vitit 1971 bota mban si vlera financiare plehrat e ricikluara amerikane me të cilat janë prodhuar dollarët.
SHBA ka sot nevojë për një “Gorbachev” dhe për një elitë politike të ngjashme me atë që erdhi në Kremlin me Gorbachevin. Një “Gorbachev” amerikan do të menaxhonte shpërbërjen e NATO-s që është sot një atavizëm historik dhe do të lejonte vendet europiane që të krijonin një aleancë të tere për të marrë masa kundër të vetmit rrezik real me të cilin ata janë duke u ballafaquar: dyndja e emigrantëve islamikë dhe pasojat e dyndjeve të mëparshme.
Sot janë amerikanët ata që pengojnë ardhjen në pushtet në shtetet europiane të partive politike të etiketuara si të ekstremit të djathtë që në fakt janë alternativa e arsyeshme për zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet Europa.
Një “Gorbachev” amerikan do të merrte vendimin e dhimbshëm por të pashmangshëm për shpërbërjen paqësore të SHBA duke lëshuar së paku Kaliforninë, Teksasin, New Meksikon, Floridën, ashtu siç lëshoi Moska pesëmbëdhjetë republika sovjetike. Dhjetë apo njëzet vjet më vonë, në Washington do ta kenë të vështirë të gjejnë se cila është “Rusia” amerikane që duhet mbajtur kur të shpërbëhet “Bashkimi Sovjetik” amerikan.
Problemi i madh për Amerikën dhe botën është se amerikanët kanë prirjen të vetëmashtrohen edhe më tepër se rusët e kohës sovjetike. Amerikanët jetojnë me delirin e të qenit perandori dhe nuk e kuptojnë dot se Historia e ka dhënë vendimin e prerë. Perandoria amerikane prehet tashmë në “varrezën perandorake” të Afganistanit. Që prej 15 gushtit nëpër botë endet zombie-perandori-superfuqia amerikane. Armët atomike nuk e shpëtojnë dot një perandori dhe këtë e tregoi qartë shembulli i perandorisë sovjetike.
Flamuri i kuq perandorak sovjetik me drapër çekan dhe yll u ul në Kremlin në dhjetor 1991, 34 muaj pas tërheqjes ushtarake nga Afganistani duke shënuar fundin e perandorisë dhe duke u zëvendësuar nga trengjyrëshi rus.
Nëse në Washington do të kishte një elitë politike të përbërë nga burra dhe gra të mençur flamuri perandorak me shirita dhe yje do të ulej në Shtëpinë e Bardhë dhe Kapitol në qershor 2024 e shumta, duke u zëvendësuar nga një flamur i ri i federatës së ngushtë amerikane. Flamuri i NATO-s duhet të jetë ulur para kësaj date sipas shembullit të Traktatit të Varshavës që u shpërbë pesë muaj para Bashkimit Sovjetik.
Por në SHBA nuk ka një elitë të tillë politike dhe që pritet të dalë në të ardhmen kështu që shpërbërja e NATO-s dhe SHBA do të jetë e dhunshme, për shkaqe të brendshme, jo të jashtme./Kastriot Myftaraj
Burimi/Facebook


Leave a Reply