Bashkë me verën erdhi edhe sezoni i dasmave. Këtë radhë, edhe më i vrullshëm se herët e tjera (pas lehtësimit të pandemisë). Shpesh, më ka qëlluar të marr pjesë në dasma, ku kishte plot fëmijë, por edhe në të tilla, ku pjesëmarrja e tyre nuk lejohej. Pyetja që unë shtroj në këtë postim është: a duhen lejuar fëmijët në dasma?
Më poshtë, mendimi im:
Dasma shqiptare, tradicionalisht, si elementë të rëndësishëm të saj, ka patur edhe fëmijët. Në momentin e ardhjes së nuses, para se ajo të zbriste nga kali për t`u futur në shtëpinë e burrit, në prehërin e saj ulnin një fëmijë të shëndetshëm, si rregull, djalë, në shenjë mbarësie e pjellorie.
Fëmijët ishin të pranishëm edhe gjatë dasmës, sidomos kur këndohej a hidhej valle, duke u “shkrirë” në to. Aty zinin fill edhe talentet e reja si këngëtarë e valltarë. Më përpara, dasmat organizoheshin në ambjente familjare, kështu që një pjesë e fëmijëve ishin të shtëpisë, por një pjesë e madhe e tyre, të bijave të ardhura nga larg, nipër e mbesa, ose e të ftuarve të tjerë, të afërm a të njohur.
Por kohërat kanë ndryshuar. Tani, dasmat po bëhen në lokale. Në vend të veshjes kombëtare, nuset po vijnë me vello, me “bisht” të gjatë. Po kërkohet zbatimi i një protokolli strikt, ndonjehere, i nxitur nga firma të specializuara dasmash, i cili përjashton pjesëmarrjen e fëmijëve.
Në gjykimin tim, “argumentet” që sillen kundër lejimit të fëmijëve në dasma (arsye sigurie, rreziku i shkeljes së vellos së nuses, rrëmuja eventuale, etj.), zhvlerësohen nga një argument thelbësor: dasma nuk është mbledhje, as konferencë, por gëzim. Dhe për shqiptarët gëzimi, në radhë të parë, lidhet me fëmijët, si bekim i zotit. Në martesat burrë-grua, si rregull, dasma është, jo vetem një gezim i madh per çiftin, por edhe një angazhim publik i tyre për vazhdimësinë e jetës, për riprodhimin e saj, nëpërmjet lindjes së fëmijëve. Dhe urimi i parë, gjithmonë, është: U trashëgofshi (me fëmijë)!
A ka kuptim që të përjashtohen nga dasma ata që asaj ia japin kuptimin e vërtetë?
Ka edhe arsye të tjera praktike, përse duhen lejuar fëmijët në dasma. Kosova dhe Shqipëria janë vende emigrantësh. Ku do t`i lënë fëmijët e tyre të vegjël (që as nuk i njohin të afërmit e këtushem) të ftuarit që vijnë nga Europa apo Amerika? Në qoftë se emigranteve, të cilët mund të jenë edhe vëllezërit apo motrat tona, iu thuhet të vijnë në dasëm pa fëmijë, në të vërtetë, me këtë kusht, po iu thuhet të mos vijnë, pra iu bëhet ftesë, sa për të larë gojën.
Duke qenë pro lejimit të fëmijëve në dasëm, natyrisht, unë jam për atë që kujdesi i prindërve apo shoqëruesve të tyre të jetë maksimal, në mënyrë që të parandalohet çdo e papritur dhe dasma të fillojë e të mbarojë me gëzim, si për çiftin, ashtu edhe për të gjithë dasmorët, të mëdhenj e të vegjël.
Ky është thjesht mendimi im. Natyrisht, nuk pretendoj të kem monopolin e së vërtetës, as të mësoj dikënd se si të organizojë dasmën e vet. Kjo është një e drejtë e çiftit dhe njerëzve të tij më të afërt, e cila duhet respektuar. Sidoqoftë, jemi në demokraci dhe shkëmbimi i ideve nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi, qëllimi është që gjërat që varen prej nesh, t’i bëjmë sa më mirë. Ndaj jeni të mirëpritur për të dhënë mendimet tuaja rreth kësaj çështjeje.
Burimi/Facebook


Leave a Reply