Kur flet Lasgushi flet zemra e kombit!
—————————————————————
Një bisedim midis Lasgush Poradecit dhe At Fulvio Kordinjanos
Nga Kudret KOKOSHI
Ka shkuar më shumë se një vit
Një mëngjes vjeshte ndodhem në Tiranë te Libraria “Argus” për të blerë disa revista të huaja. Në librari ndodhen, përveç meje, i zoti, Canco-ja, dhe një djalosh ezmer melankolik, që mundohet të thëthijë një cigare. Pas pakë hynë dhe një prift katolik që, pas veshjes së tij, kujtoj se është pjesëtar i Urdhrit të Jezuitëve. Canco-ja e përshëndet, kurse “djaloshi ezmer e melankolik” me sjelljen e tij tregon se nuk ka njohje me jezuitin. Unë, në këmbë, po shfletoj një revistë italiane. Midis Cancos dhe “djaloshit” hapet një bisedë, kuptimin e të cilit unë s’e kap dot tërësisht, por, me sa kuptoj, argu¬menti që rrihet është mbi materialitetin dhe banalitetin e kësaj jete. Por ja që “muhabeti” bëhet i tërheqës nga ndërhyrja e fetarit që me një nënqeshje të hollë, ironike i thotë Cancos duke iu drejtuar djaloshit: – Zotnija qenka shumë praktik! Heshtje. Cigari hidhet për dhe dhe shtypet prej këmbës nervoze të “djaloshit; fytyra e tij mvrejtet e trishtuar; syt e zi dhe të thellë shkëlqejnë, kurse buzët kanë një të dridhme të lehtë dhe të shpejtë. Unë vështroj i habitur, Cancoja e paraqet: – Lasgush Poradeci — At Fulvio Kordinjano. Të dy emrat tingëllojnë fort. -Ah, ju jeni Lasgush Poradeci? Gëzohem, gëzohem tepër, thotë At Fulvio Kordinjano. Lasgushi përgjigjet me një shenjë koke. Unë kam lënë revistën dhe, në këmbë, vështroj dhe dëgjoj, i tërhequr nga fama e personazheve që kam përpara dhe nga vlefta e bisedimit që paramendoj se do të zhvillohet midis tyre. Dhe nuk gabohem. At Fulvio Kordinjano flet: -Unë jam tepër i interesuar për literaturën e Atdheut t’uaj. Kam bërë disa studime t’imta mbi poetët e Shqipërisë; kam hartuar një fjalorth shqip, dhe tash jam tue pregatit një histori mbi literaturën shqiptare, sepse ajo e fundit, shkruar prej Petrottë-s, ka shumë të meta, dhe prandaj është e pa vlefshme. Unë, në këto vjet që ndodhem në Shqipëri jam munduar të mësoj gjuhën tuaj, dhe sot e zotëroj në të gjitha hollësirat e sajë. Me gjuhë të ngadalshme dhe me një tingëllim pak ekzotik dhe t’ëmbël, At Fulvio Kordinjano flet pa i prerë njeri fjalën. Kur pushon, Lasgush Poradeci i drejtohet atij: – Më epni leje të flas për tre minuta? Dhe Lasgushi foli: -I nderuari Zoti Kordinjano, më falni, por unë s’ di të shprehem në gjuhë fetare, më dëgjoni. Ju në një koment kritik që keni bërë mbi poemën “Skënderbeu” të Naim Frashërit, keni thënë se ky poema është artistikisht i pavlefshëm; keni thënë se vargu i përdorur në atë poemë është shtatë rrokshi; që ë-ja në shqipe është e pa pronunçueshme dhe s’formon rrokje; keni thënë se e vetmja pjesë e vlefshme e atij poeme është ajo kur në armëpushim Heroi ynë vendos dhe martohet. Por prapë keni shtuar e thënë se edhe këtu bukuria e artit humbet nga shkaku i ndjenjës së qelbët të dashurisë që dominon në shpirtin e Heroit!!! Oh, z. Kordinjano, sa gabime, sa gabime! Poema “Skënderbeu” e të madhit Naim Frashëri përmban thesare artistike të paçmuarshme që çdo shpirt shqiptari dhe intelekt artisti lehtazi e zbulon! Poema “Skënderbeu” o zoti Fulvio Cordinjano, nuk është shkruar në shtatë-rrokshin, por në tetë, sepse vargu epik shqiptar është tetë- rrokshi, dhe ë-ja në shqip ka foni të plotë. -Oh, këtë nuk e dija, ia pret At Fulvio Kordinjano, me zë të hollë dhe të …. turpëruar. -Ju e cilësoni, vazhdon me rrëmbim Lasgush Poradeci, ndjenjën e dashurisë të qelbet!!! Por nuk e dini, o Zoti Fulvio Kordinjano, që dashuria është ajo ndjenjë sublime dhe hyjnore që lumturon njerinë? Nuk e dini që dashuria është hovi kozmik që u jep jetë jetëve? Nuk e dini që pa ndjenjën e dashurisë ekzistenca jonë është e varfër dhe e kotë? Nuk e dini që dashuria është dielli i shpirtit? Nuk e dini se po të mungojë dielli shuhet çdo krijesë? Oh, qysh nuk e dini, o z. Kordinjano, që Krishti i Juaj vet ka thënë: Shumëzohuni. Kjo fjalë a nuk mbërthen në kuptimin e thellë të saj gjithë shprehjen më të lartë të da¬shurisë? Nga goja e Lasgush Porade¬cit rrjedhin me një harmoni të ëmbël fjalët. Lasgushi është më këmbë i skuqur në fytyrë, i nxehur, me sy që shkëlqejnë. Unë e pashë atë ditë; unë u ekzaltova nga fjala e Poetit dhe e Shqiptarit! At Fulvio Kordinjano, i tronditur, i mundur pëshpërit: – Nuk mundë t’u përgjigjem. Dhe djaloshi ezmer, melankolik, vazhdon: -Më falni, zoti Kordi¬njano, nëse u shqetësoj, por akoma do u bëj disa pyetje: – Ju keni bërë një fjalorth. Mbi ç’element u mbështetët për hartimin e këtij fjalorthi? Mbi fjalorin e Kristoforidhit? A e dini greqishten e re? Përgjigjet Ati: Jo,Jo. -Atëherë si mundet të kuptoni Kristoforidhin, At i nderuar, kur baza e fjalorit të Elbasanit është pikërisht gjuha e greqishtes së re? – Por unë di greqishten e vjetër. -Oh, jo, jo, zoti Kordinjano s’është njësoj, sepse midis dy gjuhëve ka një ndryshim të thellë ! -Ju thoni, vazhdon Poeti i Pogradecit, se po pregatitni një histori të literaturës shqiptare. Bazat ku i merrni, ç’autorë kunsultoni ? -Justin Rroten, Jung-un, Petrottë-n, përgjigjet me të shpejt Kordinjano. -A dini në se ekziston ndonjë libër tjetër mbi këtë argument? -Jo. -Më vjen keq që s’e dini, At i nderuar, dhe po ua the¬m unë. Po u them unë se në vitin 1916 një shqiptar i Italisë, i madhi si poet dhe i madhi si shqiptar, Zef Skiro, ka botuar një histori të vlefshme të lite¬raturës sonë Si mundet pra, si mundet, po u pyes, o sinjor Kordinjano, të shkruhet sot një libër mi historinë e letrave shqiptare pa njohur kontribuimin e Zef Skiro-it?… Kështu i foli Lasgush Porade¬ci At Fulvio Kordinjanos, dhe ky nuk mundi t’ i përgjigjet. Me Lasgushin foli zemra, foli mëndja e gjithë Shqipërisë, sep¬se të huajt para se të komentojnë dhe të shkruajnë për ne dhe mi veprat tona, duhet që të na njohin thellësisht, përndryshe ngjajnë ekuivoke gjithmonë në dëmin t’onë. Por unë bëj sot edhe një py¬etje: Pse, pse at Fulvio Kordinjano dhe të tjerët atje lart në Shkodër, që kanë doktrinë të thellë dhe interesohen për letrat shqiptare, pse, pyes unë, pse deri sot nuk kanë emrin e Lasgush Poradecit? Enigmë!!! Pogradec, 3 Tetor 1936



Burimi/Facebook


Leave a Reply