SHKRUAR NGA PANDELI BARDHI
… Si është e mundur që Jozefina, kur ishte në pushtet, kryetare e Parlamentit “kapte për zhelesh deputetët “vagabondë” të Parlamentit dhe i nxirrte përjashta” kurse sot, që ka rënë nga “fiku” qëndron “gju më gju” më qytetarët e thjeshtë dhe “i “qan” shpirti për hallet e tyre, për mjerimin, për papunësinë, për braktisjen e vendit nga të rinjtë e të rejat etj. etj. Mora si shembull Jozefinën, me të cilën nuk kam asgjë, sepse, të kësaj “marke” janë të gjithë politikanët që ne kemi, këtë mentalitet kanë. Të gjithë këta, duan të duken, të shesin mend që i kanë me “tepricë” duan të gjithë të jenë të parët, të gjithë të kenë pushtet, të gjithë të bëjnë komandë, të mos kenë asnjë mbi vete, por të gjithë t’i kenë nën vete, të mos marrin asnjëherë urdhra, por vetëm të japin… Kjo i detyron edhe Patozët, Murrizët, Rudinat etj. e ndoshta vonë edhe ndonjë “humorist” si Gjuzi të krijojnë partitë e tyre të reja pavarësisht që nuk kanë dhënë asnjë provë për interesin e përgjithshëm, por vetëm të jenë në komandë, sepse vetëm kështu, shpalosin “dijet” e tyre”. Në rastin e Jozefinës, që kishte në krye një më shumë se “elifimatrak” që as parashkollorët nuk ia kanë zili dijet e tij, i quajtur Basha, a mund t’i imagjinojë kush të gjithë ata që kanë dy pare mend, të qëndrojnë nën urdhrat e një “dallkauku” që një Sali, dha “dy pare” dhe e futi në “valle” pa asnjë meritë, por vetëm “bëma” dhe sot japin edhe “pesë mijë” dhe nuk e heqin dot? Kush i është futur ndonjëherë llogarisë se çfarë dëmesh po i sjell Lulzim Basha Partisë Demokratike dhe demokracisë në përgjithësi? E vetmja “e mirë” e tij, është “pjelloria” e partisë, që gjatë kohës së “mbretërimit” të këtij “kolopuçi” janë “pjellë” shumë parti të tjera, përfshi edhe “trinjakët” e fundit. Edhe budalla fare, Basha, por edhe Nard Ndoka e shumë e shumë të tjerë, nuk mund të bëhen fajtorë kur shohin që askush nuk e ka mendjen tek Shqipëria e tek populli që jeton më keq se në Afrikë, por mendjen e vet, e kanë vetëm tek pushteti, tek xhepi i tyre. Të gjithë janë fajtorë “të pafajshëm” sepse fajtori i vetëm është ky sistem me “kontributin” e të gjithë këtyre që ngritën këtë sistem prej “balti” dhe pjell përditë e për orë Presidentë, ministra e funksionarë të të gjitha llojeve që dinë vetëm të vjedhin e të rrjepin dhe jo vetëm kaq, por edhe të nderohen për këto “kontribute”! Sa për Shqipërinë që ka mbetur si “jetime” në mes të Europës dhe shtetin ligjor që ka mbetur në “kalendat greke” askush nuk mendon, prandaj edhe demokracia sot është kthyer në “anarkodemokraci”. Por të mos harrojmë Jozefinën që i ka për zemër “zhelet” kur është në majë të Piramidës dhe të vobektët kur bie nga “fiku”. Po cilat janë këto “zhele”? Këto “zhele” janë hakmarrja, inati, fodullëku, ndjenja e të dukurit, dembelizmi, rruajtja e privilegjeve që kanë krijuar jo vetëm në këta tridhjetë vite, por edhe më parë kur “milnin” Partinë e Punës dhe më pas e flakën. Jo vetëm Jozefina, por të gjithë këta lloje politikanësh, kërkojnë të ruajnë privilegjet e shumta që nga shkollimi i fëmijëve jashtë e deri tek punësimi i të afërmve të tyre pavarësisht që nuk kanë bërë “shkrap” në ndonjë fushë si arsim, drejtësi, ekonomi etj. Nuk është e keqja vetëm e një “mediokri” në krye të partive apo të dikastereve, por këta, “pjellin” edhe shumë “mediokër” të tjerë që shumohen dita ditës. Është ngritur në sistem paaftësia që çorodit qytetarët, mosnjohja dhe moszbatimi i ligjeve, duke i hapur rrugë anarkisë. Shqipëria, është bërë si han, që hyn e del kushdo dhe të tjerët “kruajnë dhëmbët”. Në këtë drejtim, i marrin “të keqen” diktatorit, i cili edhe ai nuk para i kishte shumë qejf të mençurit dhe të diturit, megjithëse ua dinte vlerat e tyre, por me kusht që të mos i kishte pranë por të qëndronin sa më larg atij… Përpara se të vazhdojmë me të “famshmet” parti, le t’u përgjigjemi dy pyetjeve të thjeshta. A janë bërë ndonjëherë dy shqiptarë bashkë dhe kur do të fitojnë “betejat” shqiptarët? Përgjigjet më të sakta për këtë, na i jep Mithat Frashëri, të cilin nuk e paragjykojmë se kush ka qenë, por e gjykojmë nga vërtetësia e atyre që thotë. Dhe ai i përgjigjet: “Vetëm një proverb të mirë di, “Trimi i mirë me shokë shumë”. Por kur mendoj fjalën e Ali Pashës, dy shqiptarë janë shumë, atëherë kam dëshirë ta kthej proverbin: “Trimi i mirë me shokë…pak”. Kurse përsa i përket pyetjes se kur ata do të fitojnë “betejat”, Frashëri i përgjigjet: “Kur të fitojnë betejën e fundit midis tyre”! Tërë jetën shqiptarët kanë bërë vetëm “beteja”, por jo kundër pushtuesve, por kundër njëri-tjetrit. Në historinë e tyre nuk kanë luftuar me kaq ashpërsi, kundër asnjë pushtuesi, me ashpërsinë që sot po luftojnë njëri-tjetrin. Nuk është e thënë që të bëhen dy shqiptarë bashkë, apo si të themi që të jenë në një mendje bashkë…
Ad by Valueimpression
A janë bashkuar ndonjëherë shqiptarët sipas shprehjes aq të bukur “Bashkimi bën fuqinë”? Asnjëherë, përkundrazi, janë bërë grupe grupe njëri kundër tjetrit. Po të marrim të dy periudhat, atë të diktaturës komuniste dhe këtë periudhën tridhjetë vjeçare “anarshistodemokratike” do të shohim që jo vetëm nuk janë bashkuar me njëri-tjetrin, por në të kundërtën e saj vazhdojnë të përçahen e në të ardhmen do të vazhdojnë me vendosmëri të ecin në rrugën e përçarjes. Po deri ku shkon përçarja? Përçarja shkon deri në pafundësi, aq sa parti dhe partiçka të tjera do të vazhdojnë të krijohen në të ardhmen sikur të ecet me “pjellorinë” e derisotme. Le të bëjmë një krahasim me periudhën komuniste që lamë pas. A ishin të përçarë shqiptarët në atë periudhë? Pa asnjë dyshim që ishin, por jo në këtë masë sa janë sot. Atëherë, ishte një parti e vetme, e cila të themi e përçau popullin në dy pjesë. Në njërën anë ishin ata që ishin në anën e partisë dhe nga ana tjetër, ishin armiqtë e saj ata që partia e vetme kishte shpallur të deklasuar, ata që i kundërviheshin partisë sepse ajo ishte vetë “zot” vetë “shkop”! As më shumë e as më pak, populli ishte i përçarë në dy pjesë. Po në këtë periudhë tridhjetë vjeçare? Përçarja është shumë herë më e madhe dhe hendeku sa vjen e thellohet. Kjo, vetvetiu na sjell në mendje që t’u përgjigjemi dy pyetjeve: Kush na i sjell tërë këtë përçarje? Kjo është e para. E dyta, kush humb dhe kush fiton nga kjo përçarje? T’i përgjigjemi pyetjes së parë. Tërë këtë përçarje më shumë se kushdo na i sjellin partitë që mbijnë e do të mbijnë edhe në të ardhmen si kërpudhat. Kur kishim një parti, siç e thamë më lart, ishim të përçarë më dysh, kurse sot jemi dyzet e pesëdhjetë fish të përçarë. Me fillimin e pluripartive, megjithëse e kishim ëndërr, por nuk ia dinim “të mirat” që do të na sillnin, tash po e shohim se çfarë “mrekullie” na sollën. Vërtet na kishte vajtur në “majë të hundës” me një parti të vetme dhe kërkonim të kishim më shumë parti dhe ja ku na erdhi kjo ditë “e bekuar” që po i shijojmë me kaq “shije”neve “aq të thekur” për demokraci që këtë e shihnim vetëm tek ajo që të kishim sa më shumë parti. Dhe kjo kohë e “artë” erdhi. Po ku kemi arritur? Kemi arritur atje që kemi kapur “fundin” dhe kur them kemi kapur fundin kemi kthyer gjithçka përmbys. Urrejtja dhe përçarja kanë zënë vendin e dashurisë dhe tolerancës, ekonomia mos më keq, përparimi ecën mbrapsht. Me fillimin e “anarkistodemokracisë” u krijua një parti si kundërpeshë e Partisë së Punës. Shqiptarët “të etur” vetëm për të bërë komandë e për t’u bërë të gjithë “të parët” ju futën me zell krijimit të partive që sot janë njëqind apo njëqind e tridhjetë, kjo nuk ka rëndësi, rëndësi ka që ato janë bërë si “strehëza” ku vegjetojnë dembelët dhe llafazanët dhe që nuk japin asgjë por vetëm marrin. Por a e njohin anëtarët e partive programin e saj? Këtë të mos ta dëgjojë kush sepse jo vetëm anëtarët e partive nuk e njohin, por as krerët e tyre që e kanë shkruar sipas parimit “u shkrofshin e kos u këndofshin”. Aq e vërtetë është kjo, saqë deri më sot, askush prej atyre dhjetra qindra e mijëra që kanë ikur e janë futur në parti të ndryshme, askush prej tyre, nuk është larguar, apo është futur në ndonjë parti sepse nuk i ka pëlqyer programi i partisë që largohet, apo ka gjetur bindjet e veta tek partia që futet. Jo dhe jo. Të paktën periudha e këtyre tridhjetë viteve nuk njeh deri sot as edhe një rast të vetëm që Kryetarë partish, anëtarë të kryesive, apo anëtarë të thjeshtë të jenë larguar nga partitë për mos qenien dakord me programin. Të gjithë që janë larguar e kanë hyrë në parti, kanë qënë ose për qejf mbetje, ose për mos plotësimin e interesave në partinë ku ka qënë prej vitesh, ose kërkojnë të bëjnë karrierë, ose bien nga “shkallët”, ose për grindje me kryetarin etj. etj. Shkurt muhabeti për karrierën e tyre, për tekat e tyre, këta “marka” i vënë flakën jo vetëm Partisë, por edhe Shqipërisë! Këtë bënë edhe Jozefinat edhe Rudinat edhe Murrizët. Midis këtyre dhjetra partive, një gjë është e vërtetë. Askush prej tyre nuk nxit dashurinë dhe harmoninë me partinë tjetër, por vetëm mbjellin urrejtje dhe i gëzohen përçarjes së partisë tjetër. Shqiptarët, gjithmonë u janë gëzuar disfatave, të tjetrit, falimentimit të tjetrit, grindjeve të të tjerëve dhe asnjëherë nuk i gëzohen të mirave, përparimit të personave apo partive të tjera, pavarësisht nga bindjet e kundërta. Partitë e sotme, kërkojnë me çdo kusht që të fitojnë “terren” mbi fatkeqësitë e tjetrit, mbi disfatat e tjetrit, e të metat e të tjerëve, t’i shumëfishojnë, t’i zmadhojnë ato për të rritur prestigjin e tyre, siç kërkon sot Basha që të fitojë pushtet me të vdekurit. Po mazhoranca, a mos vallë nuk kërkon pushtet duke mashtruar me fatkeqësitë e të tjerëve? “Ç’ka më tepër nga ne, Norvegjia që është e pasur”, thotë Hajdari dhe na e bën mendjen top që: ”Edhe Shqipëria, do të bëhet si Norvegjia sepse është midis dy deteve, ka pasuri të mëdha nafte dhe minerale”! Ja pra “sekreti” i varfërisë së Shqipërisë që nuk e kemi ditur më parë që është midis dy deteve dhe ka pasuri të shumta. Po Jozefina, si thoshte dikur? “Kalova në rrugën Fier-Vlorë dhe më dukej sikur kaloja në rrugët e Xhermanisë, kaç të bukur e bani Partia Demokratike”! Po sot si thotë Jozefina? E dinë të gjithë dhe nuk ka nevojë ta themi sepse partia që ajo krijoi, do “t’i japë fund mizerjes dhe mjerimit të qytetarëve. Këtej e tutje do të hamë me lugë “floriri” sepse tërë këto të mira, do të na i sjellin partitë e Jozefinës dhe ajo e “cupërlinkës” Rudina, e shkolluar në Amerikë…Vetëm Rudina do të na e bëjë Shqipërinë si Norvegjia dhe Kryetari i Rudinës, Endri Shabani i cili u zotua se “çdo kriminel që sot qeveris në Parlament, do ta zëvendësojë me një pedagog të aftë” siç është Endri! Lum si ne e lum si ju Jozefina e Rudinat të të gjitha ngjyrave.
Burimi/sot.com.al/


Leave a Reply