Im atë
Mihallaq Luarasi
Kur vdiq, ishte tridhjetëegjashtë vjeç.
Guri i vjetër i varrit të tij e thotë këtë.
Por ai nuk e di se çdjalë mbylli nën të…
*/*
Një grimcë
Në këtë Pafundësi
Univers i Madh
lëmsh galaktikash
Një grimcë jam e Gjithësisë.
Bart në vete,
veset e grimcës
virtytet e tërësisë.
*/
Buzët e Vdekjes
Si dy venduza të lagësht
buzët e Vdekjes
cukin shpirtin tim.
(1973)
*/*
Deti e Pulëbardha
Shpirti i madh i Detit dremit.
Stuhitë e furtunat-ndrydhur në thellësi
fosilet e dashurive të dikurshme
fshehur në fundin e tij…
Ndjenjat-ngurtësuar
në korale shumëngjyrëshe;
humnerave-heshtje e përjetshme.
Asgjë nuk të kujton
gjeniun zhurmëmadh,
kershtat e valëve thinjoshe,
tallazet që puthnin qiellin,
erën që me të uturinte
hovet e tij të furishme.
Thellë, shpirti I detit fle.
Mbi sipërfaqen e qetë
pasqyrohen retë-të bardha
si qingja në një fushë të blertë.
Enigma e syve të tij,
vjollcë në agim,
të kaltërt pasditeve,
ngjyrë plumbi muzgjeve.
Mbështetur kryet mbi krahët
që përqafojnë botën brigjeve,
vigani dremit
në pakënaqësinë e tij të përjetshme.
Befas
mbi shkretëtirën e hirtë të ujit
nga një re mjegullash
pikuar hareshëm prej qiellit
shfaqet një pulbardhëz e re.
Krahët e saj të bardhë
si vela të një lundre qiellore
cukin ëmbël rrudhat e Tij
sytë hetues të zogës
zhbirojnë në thellësi,
por Deti hesht në gjumin e zi…
Ajo ngrihet lart
e lëshohet mbi të det me vërtik,
sërishmi me flatra e fshik,
frushkullima e krahut fildish
përshkohet mbi trupin e tij
si shpatëz e ëmbël që ish,
e çohet lart përsëri.
Ngulmon pulëbardha
në kapriçin e saj e nuk ik…
……………………………
Ja, deti hap sytë e përgjumur
lëviz një qerpik…
sheh zogën në sfondin e qiellit
trupin e tejpashëm nën rrezen e diellit,
e rrudhat i shtohen në ballin e lodhur.
Ajo lëshohet pingul
e zhytet në gjirin e gjerë
shkuma përplaset
me gjëmë e potere!
Koralet po zgjohen
Turfullojnë krifat e luanëve të lidhur
Shungullojnë prej fundesh furtunat.
Pulbardha e grish Detin
në lojë të çuditshme dashurije,
zgjon vrullet rinore të tij!
Përshkënditet fytyra e viganit
Stërkalash, nën dritën-inxhi!
Rrezet thyhen në miriada
çiklima pasqyrash
që vallëzojnë rreth nuses së bardhë.
Sytë e Detit qeshin e qeshin
Bëhen ëndërrimtarë…
Në dejet ku rridhte mërzia
Ritme lëvrojnë si më parë…
…………..
Por,
për pulëbardhën aq ishte loja
kapriçi gazmor kureshtar…
Ajo flatrat desh të provonte
aftësinë e saj femërore,
nëse Detin do të mund ta zgjonte.
E zgjoi
dhe vrulltas, siç erdhi, sërish fluturoi
përtej kaltërsive të qiellit…
e vigani rënkon prej së thellit,
klithma e përgjakur e shpirtit
ngrihet e sillet rreth diellit
………………
Deti ushton e rënkon
ankon në jetë të jetëve.
Shpirti i tij i thellë, vuan
Torturat e mëdha të ndarjeve.
Gazeta Shqiptare
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply